Kompletohet “pokeri” për Jose Mourinhon, i cili pas dy sukseseve me Porton, triumfit me Interin dhe fitimit të Ligës së Evropës me Manchester United, fiton pesë nga pesë finalet europiane të luajtura prej tij. Portugezi ka ngritur në qiell edhe “Conference League”, të cilën e kishte përcaktuar si trofeu më i rëndësishëm i karrierës së tij.
Sytë plot shkëlqim dhe një buzëqeshje dinake shquhen qartë te “Special One”, i cili në rimë me rezultatin e një sezoni të tërë e dedikon trofeun për të gjithë tifozët verdhekuq, ata që mbërritën në Tiranë me çdo mjet dhe ata që stërmbushën tribunat e stadiumit “Olimpico” për të vuajtur dhe brohoritur para ekraneve të mëdhenj.
“Ka kaq shumë gjëra që më kalojnë në kokë, por kjo përfshirje emocionale është sepse ato janë unike. Unë dua që njerëzit tanë të festojnë, ky është një gëzim që do të mbetet përgjithmonë. Ndihem romanist, por jam edhe i Portos, i Interit, i Chelsea. Jam i çmendur pas Real Madridit, i dua ata që mendojnë se janë një familje. Por me gjithë respektin e klubeve të mia të tjera, sot ndihem 100% romanist”.
Më pas, Mourinho shpërndau “fjalë me mjaltë” ndaj skuadrës që drejton: “U thashë djemve se në Torino bëmë atë që duhej të bënim, të kualifikoheshim në ‘Europa League’. Pra, përligjëm punën tonë të një sezoni. Sonte nuk ishte puna, ishte historia. Ose e shkruanim, ose nuk e shkruanim historinë në Tiranë.
Dhe ne e shkruajtëm atë. Liga e Konferencës është bërë një kompeticion gjithnjë e më i vështirë, por ne kemi qenë gjithmonë të fokusuar tek ajo, ndërsa në Serie A kemi vazhduar të bëjmë detyrën duke u kualifikuar në ‘Europa League’. Sigurisht që mund të kishim fituar disa pikë të tjera, por kemi luajtur gjithçka në këtë mbrëmje dhe jemi shpërblyer”.
Një dedikim i përzemërt edhe për ‘Friedkins’, plot mirënjohje për zgjedhjen e amerikanëve për të vënë bast mbi të: “Tani po qëndroj, pa dyshim, edhe nëse ka zëra. Kanë kaluar njëmbëdhjetë muaj të pabesueshëm dhe tani dua të qëndroj. Ne vetëm duhet të kuptojmë së bashku me Friedkins, pronarët tanë fantastikë, nëse duam të shkruajmë një histori të re. Ky duhet të jetë fillimi i një projekti të madh që ne mund ta vazhdojmë pas kësaj fitoreje të madhe dhe këtyre njerëzve fantastikë”.
Les larmes de José Mourinho, cet homme est le football : pic.twitter.com/0zVnLsLQ17
– José Mourinho Show (@Jmfmourinho00) May 25, 2022