Sot bëhen 104 vjet nga vdekja e atit të Pavarësisë së Shqipërisë Ismail Qemalit. Ai u lind në vitin 1844, në Vlorë, aty ku kreu edhe shkollën fillore e kreu. Më pas vazhdoi shkollën e mesme në Janinë, ku mësoi greqishten e vjetër, latinisht dhe frëngjisht. Kur ishte vetëm 16 vjeç, për shkak të gjuhëve që zotëronte, filloi të punonte në Zyrën e Përkthimeve të Portës së Lartë, në Stamboll. Në vitin 1900 për shkak të përndjekjes nga bashkëpunimi me xhonturqit dhe ideve për të arritur një organizim të shqiptarëve u arratis për në Greqi dhe nga aty kaloi në Evropë.
Në vitin 1902 Ismail Qemali mori pjesë në kongresin e xhonturqve që u organizua në Paris. Vetëm pas rishpalljes së Kushtetutës (1908) Ismail Qemali u kthye nga Evropa dhe u zgjodh deputet i Beratit.
Në kryengritjen e Malësisë së Madhe (1911) shkoi në Çetinje të Malit të Zi, ku me iniciativën e tij u firmos edhe memorandumi me 12 pika i Kuvendit të Greçës. Me kryengritjen e vitit 1912 u arrit një autonomi e shqiptarëve brenda Perandorisë Osmane, por fillimi i Luftës Ballkanike solli pushtimin dhe copëtimin e trevave shqiptare. Ismail Qemali udhëhoqi lëvizjen dhe mbledhjen që u mbajt në sarajet e familjes Vlora, ku më 28 nëntor 1912 u shpall Pavarësia e Shqipërisë dhe u zgjodh kryetar i Qeverisë së Përkohshme të Vlorës.
Në muajin mars 1913, nëpërmjet Dukës de Monpensier kaloi në Brindizi dhe më pas vizitoi kryeqytet e shteteve Evropiane për të siguruar mbështetje për çështjen e Shqipërisë në Konferencën e Ambasadorëve në Londër. Më 22 janar 1914, Ismail Qemali dha dorëheqjen nga Qeveria e Përkohshme e Vlorës, ia dorëzoi pushtetin Komisionit Ndërkombëtar dhe u nis bashkë me familjen për në Francë.
Ndërroi jetë më 24 janar 1919, në Peruxhia dhe më 12 shkurt u varros në oborrin e Teqesë në Kaninë të Vlorës.