Me rastin e 80 vjetorit të Çetës së parë Partizane të Myzeqesë

0
Gjigandi

Nga DHIMITËR SHTËMBARI

Nënkryetar i Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve e të Pasardhësve të LANÇ të Popullit Shqiptar “Nderi i Kombit”

 

Shpirti antifashist i myzeqarëve është shpalosur që në krye të herës, kur, për të luftuar kundër pushtuesve fashistë, ndizej flakë për çështjen atdhetare.

Në kujtimet e Myslim Pezës, që bëjnë fjalë për muajt e parë të vitit 1940, paraqitur në librin “Kur dhashë besën” të historianit Azis Gjergji, mes të tjerave shkruhet:

RonaTyra

“… Duheshin gjet edhe shokë të tjerë, të ngrinim një çetë e të luftonim kundër regjimit të urryer të Zogut…. Shokët do të mund t’i gjenim në mesin e atyre që ishin arratisë për shkak të atij regjimi.

Nga këta të arratisur unë u përpoqa të takoja Jonuz Spahon, një djalë trim nga German – Çoku i Divjakës. Për atë ishte ngritur edhe një kangë: “Jonuz Spaho, djal’ i ri / Vrave xhandarë me gjithë bekçi”.

Jonuz Spaho u kap pabesisht dhe u dënua me vdekje. Por ai theu hekurat e burgut dhe u arratis para ekzekutimit. “Ky është për ne” mendova dhe e kërkova. E kërkova Jonuz Spahon deri sa rashë në gjurmë të tij. Kishte ra në duart e agallarëve të Peqinit… Hyrjen në Peqin mund ta paguaja me kokë, por për Jonuz Spahon ia vlente të rrezikoje. Por, as me sakrificën time më të madhe, nuk munda të takohesha me Jonuz Spahon. Më dolën fjale agallarët, duke më thanë se gjasme nuk ishte gjet Jonuzi. Ma vonë mora vesh se Jonuz Spaho ishte vra pabesisht në nji rrethim të xhandarmërisë”.

Që me pushtimin fashist qe menduar për çetë antifashiste.

 

*     *     *

 

Para se të formohej Çeta e parë Partizane e Myzeqesë më 26 dhjetor 1942 në fshatin Kolonjë të ish rrethit të Lushnjes, ishin krijuar disa njësite partizane në përbërjen e të cilave ishin elementë antifashistë, joshur edhe nga idetë më përparimtare të kohës, ato komuniste.

Në librin “Dajë Rrahmani dhe familja e tij”, shkruar prej ish partizanit Pasho Ruçi (djali i Rrahman Ruçit), në faqen 34 shkruhet:

“Më 20 shkurt të vitit 1942 Rrahman Ruçi afroi pranë njëri – tjetrit më trimat, duke krijuar kështu njësitin gueril të fshatit Karbunarë. Kuptohet, nuk pati ndonjë ceremoni zyrtare, nuk pati protokoll, nuk pati të deleguar e nuk pati fjalime përshëndetëse

Pati vetëm një betim shokësh, se do të luftonin pa kompromisë për të shporrur nga vendi pushtuesit e huaj. Pati një lidhje bese, e cila do të mbeste deri në fund një solidaritet antifashist, në themel të së cilës do të ishte vendosmëria për t’i shkuar deri në fund kauzës së luftës për liri.

Por çfarë bëri ky njësit partizan?

Vuri rregull dhe garantoi qetësi në fshat. Ishte e vështirë të kalonte hajduti pa u diktuar në fshat. Se tashmë fshati kishte një çetë, pushka e së cilës dëgjohej sa herë që shikohej që bashkëpunëtorët e pushtuesve të huaj mundoheshin të krijonin turbullirë në fshat e më gjerë.

Pikërisht edhe nga ky njësit dolën trimat e parë që shkuan në Çetën e parë Partizane të Myzeqesë dhe, më pas, në batalionet partizane”.

 

*     *     *

Rruga drejt 26 dhjetorit të vitit 1942, ditës që do të formohej Çeta e parë Partizane e Myzeqesë, do të kalonte përmes aksioneve të pandërprera luftarake të disa prej njësiteve partizane.

Ish kuadri i Brigadës XVI Sulmuese Partizane, Riza Taullahu, në librin e tij “Myzeqeja në luftën për liri e përparim” në faqet 88 dhe 89 shkruan:

“Gjatë vitit 1942 në nënprefekturën e Lushnjes vepronin tre njësite guerile, në përbërjen e të cilave kishte anëtarë të grupeve edukative, si dhe të rinj antifashistë. Njësiti gueril i qytetit kishte 20 veta, njësiti ilegal kishte 21 veta, ndërsa njësiti i i Libofshës kishte 9 veta.

Njësitet kryenin herë mbas here aksione të guximshme kundër pushtuesve të huaj.

Më 24 korrik 1942 njësiti gueril i qytetit mori pjesë në aksionin kombëtar të prerjes së linjave telefonike Lushnje – Rrogozhinë, Lushnje – Fier dhe Lushnje – Berat.

Në korrikun e vitit 1942 po ky njësit kreu aksionin e rrëmbimit të makinës së shkrimit në zyrën e Fashios në Lushnje.

Po në korrikun e vitit 1942, pra, pesë muaj para formimit të Çetës së parë Partizane të Myzeqesë, njësiti kreu aksionin e rrëmbimit të një tjetre makine shkrimi në zyrën e Komunës së Qendrës dhe të një sasie të konsiderueshme letre në bashkinë e qytetit.

Njësiti gueril i Libofshës çarmatosi dy ushtarë fashistë italianë, të cilët u kishin vjedhur fshatarëve disa dele!

Po ky njësit u mori paratë e shitjes së peshkut punonjësve të administratës së Dajlanit, administratë kjo e lidhur me fashistët”.

Drejt formimit të Çetës së parë Partizane shkohej me luftë kundër fashistëve.

Njësitet vazhdonin drejt formimit të Çetës gjurmëve të lavdisë.

 

*     *     *

Çeta e parë Partizane e Myzeqesë u krijua jo spontanisht, as edhe jo rastësisht pikërisht në fshatin Kolonjë të ish rrethit të Lushnjes.

Ish partizani i hershëm myzeqar, Uani Hila (pas çlirimit për mjaft vite në detyrën e kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit të Lushnjes) në librin e tij me kujtime interesante “Myzeqeja e luftës dhe e punës” në faqen 12 shkruan:

“Në Aktivin e Rinisë të qytetit (Lushnje, shënimi ynë) bënin pjesë Reshat Nepravishta, Vangjel Bozo, Foto Puka,  Zoj Moja, Pilo Spiro, Besim Ruli, Koli Ndin Bozo, Sotir Bozo, Sulejman Mandija, Nysret Verrija, Miti Gjeçi,  Raqi Pisku, Veko Toshkëzi, Goni Kënuti, Nasi Bano, Thoma Tushe, Lumturi Kokona, Riza Taullahu, Lute Haxhiu, Koço Gjyli e mjaft të tjerë.

Një ndihmë efektive kanë dhënë edhe bazat e  Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, siç qenë familjet e Taqi Spiros, Nikoll Gjeçit, Vasil Bozos, Rrapi Gjoshit, Asllan Dakës e mjaft të tjera.

Në këto e në të tjera shtëpi janë strehuar mjaft ilegalë, si Spiro Moisiu, Temo Vasi, Spiro Bakalli, Miho Xhani, Tahir Minxhozi, Naxhi Xherahu, Muharrem Shabani, Xhoxhi Robo, Hasan Gina e të tjerë”.

Hap mbas hapi, militantët myzeqarë dhe ata të ardhur nga rrethet arritën të mblidheshin në fshatin Kolonjë, ku do të krijohej Çeta e parë Partizane e Myzeqesë. Dhe ish partizani i mirënjohur myzeqar Uani Hila vazhdon:

”Më 26 dhjetor 1942 në shtëpinë e patriotit Kostë Robo në fshatin Kolonjë u krijua Çeta e parë Partizane e Myzeqesë. Merrnin pjesë në inaugurimin e saj Spiro Bakalli – i deleguari i Komitetit Qarkor të Partisë për Durrësin, Xhorxhi Robo – i deleguar nga celula e Partisë për nënprefekturën e Lushnjës dhe major Spiro Moisiu.

 

*     *     *

Sipas monografisë interesante të shkrimtarit Jovan Bizhyti kushtuar militantit të shquar myzeqar Xhorxhi Robo bëhet fjalë, se më 24 dhjetor 1942 partizanët ilegalë mbërritën në fshati Gradishtë, disa kilometra në veriperëndim të Kolonjës.

Dhe shkrimi vazhdon:

“Aty (në Gradishtë, shënimi ynë) në atë mbrëmje u bë mbledhja e celulës së Partisë që vendosi për krijimin e Çetës dhe vendin se ku do të bëhej ky  takim.

Të nesërmen, më 25 dhjetor 1942, partizanët mbërritën në fshatin Kolonjë dhe u vendosën në bazat e sigurta të fshatarëve patriotë, ku, bashkë me këto familje, festuan darkën e Krishtlindjeve…

Të nesërmen, në mbrëmjen e 26 dhjetorit 1942, shtëpia e familjes Robo me të parët e tyre Kosta e Taqi pritën 21 mysafirët e parë me pushkët në krah e me gjerdanët e fishekëve në brez.

Xha Kosta, si më i madhi i shtëpisë, i ulur në njërën qoshe, ftoi përkarshi Spiro Moisiun, Pipi Bakallin dhe Rrahman Ruçin si më të rritur dhe, pas këtyre, edhe të tjerët.

Xhorxhi Robo ishte djali i shtëpisë. Ai vazhdoi të kujdesej bashkë me Koli, Irakli, Nako e Miti Bozon për masat mbrojtëse në fshat.

Në atë mbrëmje vërtet historike, xha Kosta (Robo) u uroi mysafirëve mirëseardhjen djemve të luftës, ndërsa Xhorxhi hapi takimin me sihariqin e gëzuar, se atë natë historike krijohej Çeta e parë Partizane e Myzeqesë, krijesa që do të jepte sinjalet e para të luftës partizane, vazhdimi i së cilës do të pasohej nga batalionet partizane, nga Grupi i parë Partizan i Myzeqesë, nga Brigada XVI Sulmuese Partizane …”.

Çetën e lindi nevoja e antifashistëve për të shporrur nga vendi pushtuesit e huaj.

 

*     *     *

 

Fshati Kolonjë, i vendosur në prehër të kodrës së Ardenicës, në majën e së cilës gjendet Manastiri, ka histori të hershme. Sidomos familjet Bozo e Robo përshkohen nga një rrjedhë e hershme historike, që i bënin këto të respektoheshin jo thjesht e vetëm nga bashkëfshatarët e tyre, por edhe shumë më gjerë. Në shtëpitë e tyre bujtnin deri edhe figura të shquara, ardhur nga vise të ndryshme të Shqipërisë.

Ja, pikërisht në njërën nga këto shtëpi do të bëheshin edhe zgjedhjet e  kuadrove që do të drejtonin formacioni e parë partizan, edhe pse ky i vogël në numër.

Për drejtimin e Çetës së parë Partizane të Myzeqesë komandant u zgjodh Rrahman Ruçi, një figurë e njohur jo vetëm në Karbunarë e në zonën e Darsisë, por edhe shumë më gjerë. Me veprime prej kaçaku, tashmë nën disiplinën partizane, ai do të bëhej një drejtues i aftë e vizionar i Çetës.

Zëvendëskomandant u zgjodh Vesel Ahmeti, djali i atdhetarit të njohur Karafil Ahmeti nga Çamëria, antifashist i orëve të para.

Komisar u caktua Muharrem Shabani (Rugia), militant i hershëm, i gojës dhe i gishtit. Zëvendëskomisar u caktua Hasan Gina, edhe ky një figurë e shquar dhe me shumë reputacion jo vetëm në Lushnje, por edhe shumë më gjerë.

Atë natë përveç Spiro Moisiut e Spiro Bakallit, të pranishëm ishin edhe partizanët Naim Kuçi, Koli Ll. Bozo, Irakli Bozo, Nako Bozo, Miti Bozo, Beqo Arapi, Pasho Zoto, Sefedin Arrëza, Josif Pogaçe, Myslym Emini, Rako Gjermeni, Miti Gjermeni, Naxhi Xherahi, Skënder Libohova, Sadik Koprencka dhe Skënder Çela. Gjithsejt, 21 partizanë.

– E po, pushka top na u bëftë! – uruan njëri – tjetrin partizanët.

 

*     *     *

 

Të nesërmen, 27 dhjetor 1942, partizanët e Çetës së sapoformuar iu qepën kodrës së Ardenicës me vendmbërritje Libofshën, ku gjendej një postë – komandë e karabinierisë fashiste italiane.

Në monografinë “Xhorxhi Robo – një jetë me histori” të shkrimtarit Jovan Bizhyti në faqen 50 lexojmë: “Pak ditë pas krijimit të saj, Çeta Partizane e Myzeqesë kreu aksionin e saj të parë kundër një batalioni bregdetar dhe postë – komandës së karabinierisë bregdetare fashiste në fshatin Libofshë.

Që në aksionin e parë Çetës iu bashkëngjitën edhe shumë partizanë të tjerë të Libofshës, si Sadik Koprencka, Nikoll Kule, vëllezërit Llaqi e Mihal Jano,  Spiro Kule, Jovan Sema, Sefer Hajdari e të tjerë. Ky aksion i Çetës qe sprovë për partizanët e saj dhe tmerr për fashistët. Gjenerali i brigadës bregdetare italiane Silvio Robino me anën e një telegrami njoftonte eprorët e vet në Tiranë: “Mbrëmë rreth orës dhjetë të 28 janarit 1943 në fshatin Libofshë një çetë e armatosur tue pre linjat telefonike ka sulmue pa pritur kazermën e vogël të postë – rojës së kompanisë 428 të batalionit të bregdetit dhe kazermën e armës së karabinierisë me anën e një zjarri të gjallë, të shtime me breshëri e me bomba dore. Sulmuesit ftonin ushtarët tanë duke thirrur: “Dorëzoni armët!”. Në këtë përpjekje mbetën të plagosur ushtarët tanë, Palumbo dhe Zhuzepe”.

Mbas Libofshës Çetën do ta prisnin të tjera aksione të suksesshme.

 

*     *     *

Kudo që shkelte Çeta e parë Partizane  e Myzeqesë, ajo gjente simpatizantët e saj të flaktë, që sistematikisht përfshiheshin në radhët e saj. Këshu, brenda tremujorit të parë të vitit 1943 në nënprefekturën e Lushnjes u krijuan edhe katër çeta të tjera.

Njëra çetë kishte sheshveprimi luftarak zonën Karbunarë – Biçakaj. Një  tjetër çetë, zonë veprimi kishte fshatrat Mërtish – Krutje. Çeta e tretë vepronte në zonën e Karatoprakut: Libofshë – Karavasta – Divjakë. Ndërsa çeta e katërt kontrollonte zonën kodrinore të Darësisë, Hyzgjokaj – Ballagat.

Çeta e parë Partizane e Myzeqesë pati privilegjin, se në gjirin e saj pati si këshilltar ushtarak Spiro Moisiun, që në korrikun e vitit 1943 do të zgjidhej komandant i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare.

Le të shënojmë këtu, se më 20 mars të vitit 1943, gjatë një mbledhjeje që do të organizohej në fshatin Krutje e Sipërme Spiro Moisiu do të zgjidhej kryetar i Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar të nënprefekturës së Lushnjës.

Kanë kaluar 80 vjet nga ajo ditë e krijimit të Çetës së parë Partizane të Myzeqesë dhe sot nuk gjen asnjë në jetë prej atyre që i falën lavdi atij formacioni luftarak. Megjithatë, janë fëmijët e tyre, djemtë e vajzat, nipa e mbesat e tyre që e kujtojnë me shumë nderim 26 dhjetorin e vitit 1942, Çetën e parë Partizane të Myzeqesë, këshilltar ushtarak i së cilës ka qenë Major Spiro Moisiu, që vetëm disa muaj më pas do të caktohej Komandant i Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH. Ka shumë të drejtë Ilir Rako Gjermeni teksa shprehet:

– Vendlindja ime, Fieri i Ri, dhe Kolonja, vendlindja e Çetës së parë të  Myzeqesë, ku im atë ka qenë ndër partizanët e parë të saj, janë të pandara nga unë: Pikërisht në Kolonjë babi im nisi fluturimin e parë për në formacionet partizane, për t’u kthyer vetëm mbas çlirimit bashkë me lirinë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu