Përplasje në SPAK nëse duhet arrestuar Ilir Beqja? Ja çfarë thotë një burim i brendshëm

0
Gjigandi

Burime të ndryshme mediatike raportojnë se implikimi i ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj, në koncesionin 100 milionë dollarë të sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale, ka sjellë një përplasje juridike mes dy prokurorëve të çështjes dhe kreut të SPAK, Altin Dumani.

Përplasja ka ardhur si pasojë e “qëndrimit të butë dhe të kursyer”, për sa i përket veprimeve hetimore të dy prokurorëve Kondili dhe Nakuçi, në përcaktimin e përgjegjësisë penale të Ilir Beqajt në këtë dosje – thonë raportimet.

Nisur nga kjo situatë përpara se dy prokurorët ti drejtoheshin GJKKO-së me kërkesë për caktim mase sigurimi ndaj biznesmenit Ilir Rrapaj, ish-zv/ministrit Klodian Rjepaj dhe 6 anëtarëve të Komisionit të Dhënies së Koncesionit,  Dumani ka shprehur me shkrim mendim kundër, me atë që kishin paraqitur në dosje dy prokurorët.
Argumentet juridike të Dumanit, duke sugjeruar hetimin dhe nxjerrjen e përgjegjësisë ligjore për Beqaj, janë të administruara në dosje.
“…me aq hapësira që më lejon ligji, unë si drejtues institucioni kam dhënë mendimin tim ligjor mbi orientimin e hetimeve për nxjerrjen e përgjegjësisë penale të Ilir Beqaj…”, deklaroi Dumani gjatë një takimi me gazetarët.

Në të njëjtën linjë me Altin Dumanin, ka dalë dhe gjyqtari i GJKKO-së, Erion Bani. Gjatë vlerësimit të kërkesës për caktimin e masave të sigurisë ndaj 8 personave, gjyqtari Bani ka argumentuar se që nga procedura e hapjes dhe deri tek mbyllja e praktikës për shpalljen e fituesit të koncesionit të sterilizimit, dallohet qartë pjesëmarrja aktive e ish-ministrit Beqaj.

I pyetur nëse këto raportime në media janë të sakta një burim nga SPAK tha për gazetën DITA se opinionerët e ndryshme mbi dosjet hetimore janë të pranishme por ai “nuk ka dijeni për përplasje”.

Prej 3 vitesh dy magjistratët e SPAK, Ervin Kondili dhe Ened Nakuçi, po hetojnë koncesionin 10 vjeçar të sterilizimit.

Në muajin qershor 2023, gjyqtari Bani urdhëroi arrestimin e pronarit të kompanisë koncesionare “Sani Service”, Ilir Rrapaj dhe ish-zv/ministrit të Shëndetësisë Klodian Rjepaj. Ndërsa vendosi arrest shtëpie dhe detyrim paraqitje për personat e tjerë Arben Gjata, Pertef Mersini, Genc Burazeri, Naile Ajazi, Saimir Kadiu drejtor ekonomik, dhe Marsela Serjanaj drejtoreshë juridike në ministri.

p.c. /dita

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu