Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ka bërë sot një bilanc të situatës në terren, ku janë krijuar disa problematika për shkak të motit të keq që ka ‘pushtuar’ Shqipërinë.
Me anë të një prononcimi për mediat, Peleshi u shpreh se të gjitha strukturat janë në gatishmëri për t’i paraprirë çdo situate. Mes të tjerash ministri tha se priten reshje të dendura shiu në vend, duke shtuar se lumi Vjosa është pranë niveleve kritike të tij për shkak të prurjeve të mëdha.
“Priten reshje të dendura shiu në vend. Lumi Vjosa është pranë niveleve kritike. Ka shtim të përmbytjeve në zonat e Nënshkodrës. Shkarkimet po bëhen në mënyrë të kujdesshme nga KESH. Gjatë ditës së djeshme përmendën dhe shkëputjet e energjisë elektrike. Ka pasur disa ndërprerje në zona të Shkodrës, Kukësit, apo dhe në Korçë. Sa i përket kuotave të lumenjve, Osumi është në rënie. Në Urën e Varur, ky lum është në kuota normale. Drini në Shkodër, është në kuotë normale. Niveli i liqenit të Shkodrës është dhe gjysmë metri nga kuota kritike. Buna ka dalë nga shtrati. Në Lezhë kemi pasur disa vërshime në disa rrugë të qytetit”, tha Peleshi.