Është mbyllur procesi i numërimit të votave në Bulqizë, ku është zgjedhur kryetari i ri i degës së Partisë Demokratike.
Me një shumë prej 558 votash, Fatos Hoxha është zgjedhur ktyetar dege, duke lënë pas kështu Shaqir Manjanin me 442 vota, ndërsa të pavlefshme ishin 8 prej tyre.
Procesi i votimit për zgjedhjen e kryetarit të ri të Partisë Demokratike në Bulqizë, është shoqëruar me përplasje fizike, ku mbështetës të kandidatëve Fatos Hoxha dhe Shaqir Manjani janë përplasur në ambientet e Kinemasë së qytetit duke shqyer edhe derën e saj me qëllim futjen brenda ambienteve të votimit, pasi nuk kishin emrat në listë.
Zgjedhjet në Bulqizë ishin planifikuar të mbaheshin të dielën, por u shtynë për shkak të tensioneve që u shkaktuan nga listat e parregullta.
Zgjedhjet sipas parimit një anëtar, një votë janë zhvilluar në disa nga degët e PD-së në vend, ndërsa pritet që procesi të përfundojë javën e ardhshme. Zgjedhja e kryetarëve të rinj është nismë e grupit të Rithemelimit që drejtohet nga Sali Berisha dhe që është kundërshtuar nga grupi tjetër që mbështet Enkelejd Alibeajn.
Vetë kryetari i komanduar i PD-së, Alibeaj është shprehur se në këtë mënyrë, Berisha po e thellon përçarjen në PD dhe nuk po kontribuon në bashkimin e partisë, ashtu sikurse ish-kryeministri pretendon.