Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi zhvilloi sot një interpelancë në Kuvend të kërkuar nga deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, në lidhje me përbërjen e Komitetit për Azilin.
Zhupa u shpreh në fjalën e saj se,
“me vendim nr 206 i datës 16.3.2016, Komiteti i Azilit përbëhej nga 7 persona dhe një ndër ta ishte një përfaqësues i shoqërisë civile konkretisht Komitetit Shqiptar të Helsinkit. Rezulton se me vendim nr 669 datë 10.11.2021, pa asnjë diskutim paraprak dhe pa asnjë arsye objektive përfaqësuesi i shoqërisë civile, konkretisht i KSHH-së është hequr nga përbërja e Komisionit, sepse Komisioni është bërë me 5 përfaqësues, ku 4 janë nga ministritë dhe njëri është përfaqësues i SHISH. Nuk kuptohet se ku është nevoja për të zvogëluar dhe nëse është nevoja për ta zvogëluar, pse pikërisht të preket përfaqësuesi i shoqërisë civile dhe jo përfaqësues i ministrive të tjera prezente atje”.
Ministri Çuçi, u përgjigj se, “
ne vjet kemi miratuar ligjin e ri për azilin në Shqipëri. Ky ligj përveç se është në përputhje të plotë me direktivën përkatëse të BE-së, ka sjellë edhe disa risi shumë pozitive ku më kryesor pa diskutim është përfshirja për herë të parë e statusit të mbrojtjes së përkohshme të azilkërkuesve apo personave pa shtetësi që kërkojnë azil”.
“Një përcaktim që ka qenë në direktivën e BE-së që pas luftës së Kosovës, por që nuk është aplikuar asnjëherë, as në vendet e BE, por që ne i paraprijmë duke aplikuar për herë të parë në rastin e krizës së refugjatëve afganë dhe që BE po e aplikon për herë të parë me rastin e krizës së refugjatëve nga Ukraina
“, tha Çuçi.
Risia tjetër e rëndësishme, U shpreh Çuçi, “
është ndihma juridike që i garantohet nga shteti çdo azilkërkuesi”.
Ndër të tjera, shtoi Çuçi, “
është ky ligj që ka përcaktuar që Komisioni Kombëtar për Azilin të përbëhet nga 5 anëtarë dhe jo nga 7 anëtarë”.
“Ky është një Komision ankimi administrativ, pra është brenda organit administrativ. Garantohet në bazë të ligjit të Kodit të Procedurave Administrative, e drejta e ankimit çdo personi që preket nga një vendim administrativ, në rastin konkret organi administrativ që shqyrton lejen për azilin apo për refugjatët, që në këtë rast është Drejtoria brenda Ministrisë së Brendshme. Në bazë të përcaktimeve që bën ligji, i cili nuk përcakton se çfarë ka në përbërje është ngritur ky Komision me 5 anëtarë”,
tha Çuçi.
Për faktin se pse nuk është më në këtë Komision Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Çuçi, u shpreh se,
“megjithëse ligji nuk na detyron dhe megjithëse shumë qartë në bazë të Kodit të Procedurave Administrative dhe ligjit për Azilin Komisioni i Shqyrtimit Administrativ, pra Apeli Administrativ, përbëhet dhe ngrihet brenda organit administrativ që ka dhënë vendimin, sepse është procedurë brenda organit administrativ, ne prapë për hir të një tradite që kishim krijuar, duke e pasur në Komision, i kemi dërguar KSHH-së në 5 korrik të 2021, një variant të VKM-së, ku e kishim përfshirë edhe KSHH-në. Dhe nuk kemi marrë përgjigje deri në 29 tetor të vitit 2021. Pra më shumë se 3 muaj pa përgjigje”
.
Ndërkohë, nënvizoi Çuçi,
“sigurisht duke mos marrë përgjigje nga KSHH ne vazhduam me ngritjen e Komisionit dhe gjykuam që jo vetëm KSHH, por edhe çdo organizatë tjetër që mbron të drejtat e azilkërkuesve apo refugjatëve, të jetë pjesë në çdo mbledhje të Komitetit Administrativ si vëzhgues edhe për të dhënë opinione të drejtpërdrejtë brenda Komisionit Administrativ”.
“Kështu që u ngrit me 5 anëtarë ky Komision sipas përcaktimeve që i jep ligji dhe të 5 anëtarët përcaktojnë një aspekt që lidhet me të drejtat që kanë azilkërkuesit apo refugjatët në Shqipëri”,
tha Çuçi.