Larg vëmendjes së mediave dhe opinionit publik, por me intensitet për të zbardhur me dhjetëra akuza dhe padi të ngritura për mashtrim, përvetësim të dhënash, zhvatje apo bllokim prone etj., Prokuroria e Posaçme SPAK po heton mbi veprimtarinë e “Fondit Besa”.
Sipas burimeve zyrtare nga kjo Prokurori, nisja e çështjes hetimore dhe thirrja e personave me pozita apo punonjës të “Fondit Besa”, të implikuar në ngjarje të ndryshme dhe të vënë nën akuza nga persona apo subjekte të ndryshme, ka nisur të zhvillohet që në muajin gusht të vitit të kaluar (2021).
Janë disa çështje të rëndësishme dhe padi të ngritura nga individë apo subjekte kundër “Fondit Besa”, edhe pse më herët ky institucion kishte mundur që nëpërmjet gjyqtarëve apo prokurorëve të caktuar ose t’i mbyllte ose t’i shtynte shumë çështje.
Por tashmë duket se faktet e shumta dhe paditë e ngritura dhe të qepura mirë e kanë vënë një prej institucioneve financiare më të njohura në vend në sektorin e mikrokredisë me “shpatulla për muri”.
Edhe pse nuk duket se “Fondi Besa” ka probleme apo vështirësi dhe se aktiviteti i tij vijon normalisht si në kredidhënie ashtu dhe në mbledhjen e detyrimeve, duket se skemat e mashtrimit të ngritura mbi bazën e një rrjeti të gjerë sekserësh, por dhe vjedhja e të dhënave personale të mijëra qytetarëve, kanë bërë që organet e drejtësisë të mos mbyllin dot më sytë.
“Priza.al” ka mësuar se një pjesë e padive të ngritura nga qytetarë kundër “Fondit Besa”, për mashtrim, zhvatje ose bllokim prone, vjedhje të dhënash personale, etj., tani janë gati për të shkuar si çështje edhe në Gjykatën e Strasburgut, pasi më herët nga gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar viktimave të mashtrimit nuk u është dhënë drejtësi.
Por ajo që përbën një skandal të vërtetë dhe që duket se do të përbëjë një sensacion në opinionin publik është se SPAK ka në dorë provat dhe po e heton “Fondin Besa” për akuzën e “Grupit të Strukturuar Kriminal”, “Organizatë mashtruesish”, si dhe për vjedhjen por edhe blerjen e të dhënave personale të mijëra qytetarëve shqiptarë, proces i nisur ndërkohë edhe nga Prokuroria e Tiranës, pas skandalit me databazën e pagave.
Presidenti i “Fondit Besa”, Bajram Muça po kërkon të dalë “pa u lagur”
Edhe pse prej disa muajsh është krijuar një “tollovi” në zyrat e SPAK-ut dhe Prokurorisë së Tiranës, si pasojë e dosjeve me prova që kanë nisur të mblidhen mbi paditë për skema mashtrimi nga IFJB-të që veprojnë në sektorin e mikrokredive, duket se “Fondi Besa” po bën të gjitha përpjekjet që të mos “prishet” reputacioni i tij.
“Priza.al” ka mësuar se janë të shumta ndërhyrjet dhe ofertat deri pranë personazheve më të lartë të politikës nga ana e presidentit të “Fondit Besa”, Bajram Muça, me qëllim që ai të mos thirret për të dëshmuar në prokurori dhe SPAK, por as të dhënat mbi hetimet të mos dalin në media.
Kjo ka bërë që disa prokurorë të SPAK-ut gjatë vitit të kaluar, por edhe të Prokurorisë së Tiranës, të pushonin çështje të ndryshme me pretendimin e “mungesës ose pamjaftueshmërisë së provave”.
Kjo gjë ka rënduar edhe më tepër në kurriz të mijëra viktimave që janë mashtruar dhe më pas janë detyruar të paguajnë edhe me forcë, paratë për këstet dhe komisionet e kredive që ata nuk i kanë marrë ndonjëherë.
(Foto: Presidenti i ‘Fondit BESA’, Bajram Muça)
Jo vetëm kaq, por sipas disa informacioneve konfidenciale që “Priza.al” ka siguruar nga brenda “Fondit Besa”, gjatë muajve të verës së kaluar (2021), kur drejtuesit më të lartë të Fondit kishin dijeni nga brenda se SPAK dhe Prokuroria po bëheshin gati për ti thirrur, ata kanë urdhëruar një fushatë brutale mbledhjesh me forcë të parave ose aseteve nga shumë viktima të mashtrimit që kishin të hapura edhe çështje gjyqësore me këtë Fond.
Por nga sa kemi mësuar nga burime pranë SPAK, përpjekjen më të madhe për të mos qenë i thirrur apo për të mos dëshmuar rreth aktivitetit të “Fondit Besa” përpara prokurorëve, e ka bërë vet presidenti Bajram Muça, i cili është munduar t’ua “rrasë” përgjegjësinë vartësve të tij.
Kush është prokurorja e SPAK, që ka zvarritur çështjen për “Fondin Besa”
Janë të shumtë emrat e prokurorëve dhe gjyqtarëve që në vitet e fundit kanë zgjedhur në vend të peshores së drejtësisë të mbajnë më mirë peshqeshet e ofruara nga biznesmenë dhe bankierë.
Kjo duket se ka ndodhur edhe me figura të institucioneve të rëndësishme të drejtësisë, madje që kanë kaluar edhe procesin e Vetting-ut. E tillë duket se është edhe prokurorja Enkelejda Millonai, tashmë pjesë e trupës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK.
(Foto: Prokurorja e SPAK, Enkelejda Millonai)
“Pria.al” ka mësuar se kjo e fundit, prokurorja Millonai, e cila dy vite më parë kaloi me sukses procesin e vetting-ut, është bërë pengesë dhe është munduar të zvarrisë procesin e hetimit dhe të marrjes në pyetje të drejtuesve të “Fondit Besa” në lidhje me një çështje të caktuar (padi e ngritur nga një qytetar).
Prokurorja Millonai, të cilës i është ngarkuar çështja për hetim të veprimtarisë së mashtrimit në përmasa të mëdha dhe të pastrimit të parave nga “Fondi Besa” (ngritur këto mbi prova dhe dyshime të forta), ka zvarritur përgjatë muajve të fundit të vitit të kaluar (gusht- nëntor 2021), procesin e shqyrtimit dhe të marrjes në pyetje të palëve.
Por nga sa kemi mësuar, ka qenë Gjykata e Posaçme e Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (e njohur si GJKO) dhe më saktë gjyqtarja Miliana Muça, ajo që ka urdhëruar SPAK-un që të mos zvarrisë por të marrë në shqyrtim dhe të përgatis për gjykim çështjen mbi “Fondin Besa”.
(Foto: Faksimile të dokumenteve të kërkesës së Gjykatës së Posaçme të Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar drejtuar SPAK, për nisje hetimi ndaj ‘Fondit BESA’)
Nga sa ka mësuar “Priza.al”, gjyqtarja e Apelit, Muça, i ka kërkuar SPAK-ut dhe prokurores së caktuar Millonai që të hetojë me përparësi çështjen nëse ekziston apo jo, ose kemi të bëjmë me “Grup të strukturuar kriminal” ose “Organizatë kriminale mashtruese”, në lidhje me veprimtarinë e pretenduar të “Fondit Besa”.
Nesër “Priza.al” do të vijojë me botimin e dokumenteve, emrave dhe fakteve mbi procesin e nisur kundër “Fondit Besa”, dhe të gjitha materialet që janë vënë në dispozicion të drejtësisë, në lidhje me këtë skandal.
/Burimi: Priza.al/