Fayza Lamary, nëna e Kylian Mbappé, foli ekskluzivisht për “MARCA” dhe për herë të parë për një media spanjolle, ku siguroi se djali i saj nuk ka firmosur rinovimin me PSG. “Është krejtësisht lajm i rremë që Kylian ka rinovuar”, – siguroi ajo, duke mohuar kështu informacionin e “Le Parisien”, që pretendonte se marrëveshja ishte arritur tashmë.
Në fakt, ajo pranon se Real Madridi “vazhdon të jetë opsioni i parë” për të ardhmen e djalit të saj. Ndërkohë, te Real Madridi vazhdon të mbizotërojë qetësia maksimale. Klubi ka besim në mënyrën se si është kryer i gjithë negocimi dhe beson se puna tashmë është kryer.
Sipas informacioneve të gazetës pariziene, marrëveshja, për dy sezone, plus një opsional, përcaktonte një pagë prej 50 milionë eurosh në vit për sulmuesin. Përveç kësaj, do të përfitonte edhe një bonus prej 100 milionë euro për vazhdimësinë e tij. Përveç kësaj, PSG do ta kishte bindur atë, duke i prezantuar një projekt të rëndësishëm sportiv.
Siç raportohet nga “Le Parisien”, lojtari mban kontakte me PSG-në, pasi synimi i tij është të marrë pjesë në galanë e çmimeve të Ligës Franceze, të dielën, më 15 maj, në të cilën mund të marrë çmimin për lojtarin më të mirë të sezonit, i cila tashmë iu dha atij më 2019 dhe 2021.
Megjithatë, në atë datë drejtuesit e klubit planifikojnë një udhëtim në Katar për të përmbushur angazhime të ndryshme reklamuese me sponsorë si Ooredoo, Aspetar ose Qatar Airways. Sulmuesi po përpiqet të rregullojë axhendën për të qenë në gjendje të marrë pjesë në galanë e datës 15 dhe të takohet me sponsorët në Doha, të nesërmen.
I gjithë ky operacion është në kontrast me raportin e Drejtorisë Kombëtare të Kontrollit dhe Menaxhimit (DNCG), një organ mbikëqyrës i Ligës Profesionale të Futbollit (LFP), i cili nxjerr në pah rënien ekonomike që kanë kaluar pothuajse të gjitha klubet franceze, dhe në veçanti PSG, e cila ka humbje prej 224.3 milionë euro në sezonin 2020-2021.
Shpenzimet e klubit parizien përfshijnë 503 milionë euro paga për stafin e vet, shumë e cila përfaqëson 31.7% të të gjithë Ligue 1 dhe 21% më shumë se sezoni i kaluar.