“Në fillimet e shtatzënisë kam parë një ëndërr”, Dojna Mema flet për pritjen e ëmbël, nga emocionet deri te sjellja e Vlashentit

0
Gjigandi

Jeta nis me një rrahje, me një tingull nisin historitë e dashurisë e rastësia plotëson përjetësinë. Kështu u formësuan Dojna dhe Vlashenti, mes tingujve, rastësisë dhe tanimë rrahjes më të bukur që e presin çdo ditë. Disa ditë janë të ngjashme, të tjera të zymta, e disa të tjera të jashtëzakonshme. Ashtu ishte dhe dita e pushimit të Dojnës, kur një telefonatë e përballi me atë që sot është shpirti i saj binjak. Ajo një dimension i lirë deri në limit, ai një artist që plotëson çdo shkrojnë të fjalës e shumë më tepër. Pak piano, pak këngë, pak shikime e shumë dashuri, formula që u krijua mes Dojnës e Vlashentit.

Ka Tiranë, ka Paris, por ka dhe ndjenjë që ecën në ura që mbajnë botën. Teksa i sheh bashkë në kafe, qesh e nis t’i kornizosh në të gjitha hapësirat. Në ditën kur dhanë puthjen e parë, kur nisën të jetojnë bashkë, atëherë kur Dojna i shfaqi para sysh një test shtatzënie Vlashentit, i imagjinon në zënka fisnike dhe ato aspak të tilla, në marsin e shenjtë, në prillin e unazave, në folezën me dy, që shpejt do jetë tre. Dojna di të rrëfejë dhimbjen, lotët, di të flasë për ditët me shi, ato me diell të fortë, për nepsin e pranverës në vjeshtë, e dimrit në verë, për lëvizjet në barkun e saj që duket sikur rrotullojnë botën, të sajën, të tyren. Tani është në ditët e fundit të shtatzënisë, numërimi mbrapsht ka filluar, mëngjeset e mbrëmjen treten në mendimin magjik se nga momenti në moment do të ketë në duar të voglin e saj. E gjithë shtatzënia për të ka qenë një udhëtim në varkën e mrekullisë. Me vrap, me hap, me dritën që pulson në tri zemra. Dojna është vajzë, bijë, grua, bashkëshorte e do të jetë nëna e një djali që në pasqyrë do të shohë gjithmonë pasqyrimin e forcës së shpirtit të lirë në pafundësi.

Sa kohë ishte ky fëmijë lutja e mëngjesit dhe e natës së mirë?

Mendoj vërtet që janë fëmijët ata që zgjedhin prindërit dhe jo anasjelltas. Në rastin tonë, nuk po luteshim për të patur një fëmijë, por kur e zbuluam e deshëm me gjithë forcën tonë. Unë e kam ndjerë që në atë çast edhe gjininë e tij. E dija që ishte djalë. Ka diçka magjike, prej një tjetër bote, në ndjesitë dhe intuitën e një gruaje shtatzënë.

Si kanë qenë këto 9 muaj, nga dita e parë deri më sot?

RonaTyra

Muajt e parë, të lodhshëm duke qenë se unë isha në kulmin e punës si autore dhe moderatore e “Fan Club”. Mbaj mend muajin e tretë që ishte edhe më intensivi i ngjarjeve brenda në “Big Brother Vip”, ndërkohë mundohesha të mos më zinte gjumi kudo, ndonjëherë edhe ulur. Kështu tre muajt e parë djali ka dëgjuar vetëm biseda televizioni. Në tremestrin e dytë kam udhëtuar shumë dhe rrjedhimisht ka dëgjuar gjuhë nga më të ndryshmet. Unë e kam jetuar në maksimum atë periudhë dhe ka qenë padyshim më e bukura gjatë kësaj shtatzënie. Sa i përket tremujorit të fundit, babi kompozoi një këngë të re, ndaj ka dëgjuar muzikë të mirë. Unë jam tani në atë periudhë kur po numëroj edhe minutat. Ai e di kur dëshiron të vijë, uroj mos të vonojë shumë.

Si e përfytyron fëmijën tënd? Kujt do doje t’i ngjante?

Në fillimet e shtatzënisë kam parë në ëndërr një fëmijë 3 ose 4 vjec, me flokë të gjatë që vraponte në plazh. Ishte me kurriz ndaj nuk munda të shquaja as tiparet dhe as gjininë, por e sigurt që dukej shumë i lirë. Unë ashtu e përfytyroj; të lirë, të shpenguar, pa komplekse që i gëzohet jetës si mami dhe babi i tij. Sa i përket tipareve fizike mund të tingëlloj egocentrike kur dëshiroj të ketë sytë e buzët e mia, por e kemi me konsensus, për sa kohë do të ketë flokët e babit.

Vlashenti si është sjellë këto muaj? E ka duruar çdo tekë?

Vlashenti thotë shpesh që do të dëshironte të isha shtatzënë gjithë jetën. Sipas tij, nuk kam qenë kurrë më e dashur dhe e kujdesshme se këtë periudhë. Megjithatë, përtej kësaj, ai ka ditur të vërë në zbatim mjaft mirë filozofinë :”Një grua shtatzënë ka gjithmonë të drejtë”. Nuk kam patur një shtatzëni tekanjoze, më tepër se kam dashur që çdo gjë të ishte gati shumë shpejt. E kam bërë të montojë krevatin katër muaj para dhe shpesh ai kujton me humor muajin e tretë të shtatzënisë kur mendoja për fondin e universitetit të djalit.

Si ke qenë ti me nepsin?

Kam zbuluar që isha shtatzënë në fund të nëntorit dhe atë periudhë më shkonte mendja vetëm për kajsi, të cilat sigurisht s’kishe asnjë mënyrë t’i gjeje në mes të dimrit. Kur erdhi stina e kajsive pastaj, më shkonte mendja për gështenja. Përtej nepsit të çuditshëm, për herë të parë e kam shijuar shumë ushqimin. I gëzohem çdo pjate si fëmijë.

Çfarë ka ndryshuar diçka te t’i në këto muaj?

Gjithçka që shihet dhe nuk shihet. Adhuroj çdo ndryshim që i ka ndodhur fizikut tim. Madje kam dashur ta tregoj barkun që në fillimet e shtatzënisë duke u përballur hera-herës edhe me një mentalitet më supersticioz apo thjesht paragjykues. E kam shijuar këtë shtatzëni dhe kam ndarë emocionet e bukura që përjetoj. Për këtë nuk dua të gjykohem ashtu siç unë nuk gjykoj askënd.

Keni menduar për emrin? Ndonjë domethënie e veçantë?

Mendoj se nëse nuk jemi ndarë për përzgjedhjen e emrit, nuk kemi për t’u ndarë ndonjëherë. Kemi dy emra që na pëlqejnë të dyve dhe kemi vendosur të zgjedhim mes tyre kur ta shohim djalin. Nuk dëshironim që ai të kishte emrin e dikujt tjetër, ndaj nuk jemi frymëzuar as nga emri i babait tim që nuk jeton më, as nga ai i babait të Vlashentit. Ai do të dijë gjithçka për gjyshërit e tij, por nuk ka pse mban mbi shpatulla peshën e emrit apo jetës së tyre. Nuk kemi preferuar bashkime emrash dhe as emra të vështirë për t’u shqiptuar. Të dy emrat i ka gjetur babi, kështu që më shumë se sa domethënia, i ka pëlqyer tingulli.

Dhoma e bebit është gati?

Djali po vjen në një periudhë të rrëmujshme kur shtëpia jonë nuk është ende gati, kështu që po qëndrojmë te shtëpia e vjetër e Vlashentit si fillim. Muajt e parë djalin do e mbajmë në dhomën tonë, ndaj i kemi krijuar këndin e tij. Nuk kam dashur ta ngarkoj, duke qenë se më pëlqen minimalizmi në arredim. Mendoj gjithashtu që jam treguar e arsyeshme në blerje, pa e ekzagjeruar. Nuk më pëlqejnë arushat apo logot e mëdha për fëmijë ndaj ia kam bërë shumë të vështirë edhe njerëzve rreth e rrotull meje për dhurata.

Kur të vijë ai çfarë do ndodhë me mami Dojnën, kur do kthehet në ekran?

Kjo është shtatzënia ime e parë dhe as vetë nuk e di se çfarë do të ndiej pasi ai të ketë ardhur. Është një rrugëtim sa i bukur, aq edhe rraskapitës. Megjithatë as nuk e mendoj tërheqjen nga ekrani, për sa kohë puna më jep energji dhe më bën të lumtur. Nëse gjithçka shkon mirë dhe do të ndihem gati, rikthehem në ekran në janar. Përpara se të bëhem nënë, jam grua që kam dëshirat dhe ëndrrat e mia. Jam e bindur që as im bir s’do të donte të kishte një mami e cila heq dorë nga një pjesë e jetës së saj për të cilën ka punuar që 19 vjeçe. Fatmirësisht punoj në një ekran ku gratë tregojnë çdo ditë se sa të forta janë dhe se mëmësia s’ka qenë kurrë një problem. Përkundrazi, ka plot shembuj nënash fantastike që frymëzojnë në “Top”.

A ka një format ku do doje të ishe?

Kam provuar shumë në media dhe formatet ekzistuese që do të dëshiroja të bëja, i kam bërë. Fillimisht radio, më pas prezantimi i “Top Fest 12” kur isha vetëm 22 vjeçe. Autorësia e parë me “Pop Culture”. Prezantimi i një formati ndërkombëtar si “The Voice Kids 3” dhe përgjegjësia që “Fan Club” kishte si format nga ana e autorësisë, por edhe e moderimit. Më mungon një format “Late night show” duke qenë se njerëzit që më njohin nga afër thonë se kam një humor që i rri shumë mirë atij orari, për më tepër e mendoj vërtet që intervistat dhe bisedat janë pika ime e fortë. Më pëlqejnë formatet “reality” sepse nuk i kam prezantuar ndonjëherë dhe më duken sfiduese në menaxhim. Gjithashtu do të më pëlqente një format që do të krijohej nga hiçi dhe të mund ta personalizoja me dikë të rëndësishëm për mua. I kam dy emra ndërmend, brenda familjes sime.

“Pse s’bëtë dasmë?”,- do pyeste dikush që vdes për dasma…

Vlashenti gjithashtu mbaron për dasma. Unë më pak sepse kërcej skandal. Nëse ke dëshirë të më vësh në siklet, më fto në valle. Jam e aftë të shkatërroj çdo rreth e çdo pogonishte në 30 sekonda. Kështu që përfitova nga rasti që isha shtatzënë dhe e përdora si pretekst për të mos bërë dasmë. Jam e sigurt që nuk do i shpëtoj gjatë, kështu që vitin tjetër mund të shtojmë një datë të “Za Fest” e cila do të ishte dasma jonë.

Çfarë ndodh në shtëpinë tuaj, kush komandon? Kush i mban lekët?

Secili mban lekë sepse ndryshe do të kishim arsye për t’u zënë cdo ditë. Megjithatë, Vlashenti ka nën kontroll aspektin praktik dhe ekonomik të shpenzimeve të shtëpisë sepse unë kam nga një vrimë në të dyja duart. Gjithashtu gatuan ai sepse di ta bëjë shumë më mirë se unë. Sa i përket çdo gjëje që ka lidhje me stilin e jetesës, rregullin në shtëpi, e marr unë situatën nën kontroll. Kemi gjetur një balancë sepse fillimet e bashkëjetesës ishin pak të vështira duke qenë se ai kishte jetuar 20 vjet vetëm, ndërsa unë asnjë ditë./who

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu