Ministrja e arsimit, Arbërie Nagavci në Ditës Botërore të Librit, ka thënë se mësimdhënësit, bashkë me prindërit dhe gjithë komunitetin, duhet të shtojnë përpjekjet që të nxisin gjeneratat e reja për lexim, jo vetëm të librave shkollor.
Nagavci ka shkruar në Facebook se Dita Botërore e Librit rikthen kujtimet tona në periudha të vështira, kur kishim mungesë të librave, numër të vogël të librave të përkthyer, por edhe libra të ndaluar.
“Kjo është historia e dhimbshme e shqiptarëve në raport me librin. Por, kjo ditë, po ashtu, na i sjellë në mend shkrimtarët e mëdhenj të kohërave që i dhanë ngjyra jetës dhe kurajo botës përmes letërsisë për të luftuar të keqen, duke nxitur edhe zhvillimin e njerëzimit dhe përpjekjet për një botë më të mirë.
Mësimdhënësit, bashkë me prindërit dhe gjithë komunitetin, duhet të shtojnë përpjekjet që të nxisin gjeneratat e reja për lexim, jo vetëm të librave shkollor. Libri, si një nga mjetet më të vjetra të komunikimit, mbetet një nga mundësitë më të mira për zhvillim arsimor e kulturor, por edhe për kënaqësi shpirtërore”
, ka shkruar ajo.