Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se është themeluar Fondi i Sigurisë, me ç’rast ftoi qytetarët e Kosovës dhe bashkatdhetarët në diasporë por edhe donatorë të tjerë të kontribuojnë për sigurinë shtetërore.
Kësaj ftese po i përgjigjen edhe shumë emra të njohur nga estrada, duke shprehur gatishmërinë që të rrisin këtë fond në të mirë të sigurisë së vendit.
Reperi Mozzik, emri i vërtetë i të cilit është Gramoz Aliu bëri të ditur përmes një statusi në rrjetin social Facebook, se është i gatshëm të dhurojë edhe jetën për atdheun e tij po qe nevoja, e lëre më ndihmën financiare.
“As që nuk diskutohet kontributi i asnjërit për Fondin e Sigurisë së Kosovës të gjithë sa mundemi. Pos të hollave që do i dhuroj, jam në gjendje dhe pa menduar fare unë personalisht jap edhe jetën në dispozicion për Kosovën e dashur! Zoti i bekoftë mërgimtarët! Zoti e bekoftë Kosovën”, ka shkruar 26-vjeçari në Facebook.
Një përgjigje pozitive për të ndihmuar Fondin e Sigurisë e ka dhënë edhe reperja e njohur Tayna.
Foto: Tayna/Instagram
Ajo së fundmi përmes rrjeteve sociale bëri të ditur se do t’i dhurojë të gjitha të ardhurat e fituara nga një koncert në Zvicër, për fondin në fjalë.
“Ushtria e Kosovës edhe unë e duam shumë veten edhe Kosovën, se Kosova duhet me u deshtë sa vetja e edhe ma shumë. Për rastësi të bukur data 5 mars i bie me ditën kur filloi me ardh era liri me përjetësimin e Jasharajve, dhe unë tash në liri nga Kosova në Luzanë shkoj të këndoj bashkë me diasporën tonë! Shuma nga ky koncert shkon për Fondin e Sigurisë të Republikës tone. Ushtria ime”, shkroi reperja në një video të publikuar në Instagram.
/abc24.al/