Këshilli Bashkiak i qytetit Mineapolis miratoi njëzëri një propozim për të ndryshuar Kartën e qytetit që do të lejonte shpërndarjen e departamentit të policisë, pas kritikave të shumta ndaj organeve ligjzbatuese rreth vdekjes së afrikano-amerikanit George Floyd.
Votimi 12 me 0 është vetëm hapi i parë në një proces që përballet me pengesa të mëdha burokratike dhe që do të paraqitet në nëntor, ku votuesit e qytetit do të kenë fjalën e fundit. Ai vjen gjithashtu në klimën e disa incidenteve me armë zjarri në qytetin më të madh të shtetit Minesota, që kanë shtuar shqetësimet e shumë qytetarëve rreth shpërdarjes së departamentit të policisë.
Ndryshimi i propozuar, i cili do të zëvendësojë departamentin e policisë me një “Departament të Sigurisë në Komunitet dhe Parandalimin e Dhunës” i cili nuk është përkufizuar plotësisht, do t’i kalojë tani komisionit të politikave dhe komisionit të Kartës për një rishikim zyrtar, një shkallë e procesit ku qytetarët dhe zyrtarët e qytetit mund të thonë fjalën e tyre.
“Shpresoj që komisioni i Kartës do ta njohë momentin në të cilin ndodhemi dhe do të pranojë ofertën tonë të mbështetjes, për ta përshpejtuar këtë proces në mënyrë që votuesit të kenë një shans për të dëgjuar zërin e tyre për këtë çështje të rëndësishme,” tha Presidentja e Këshillit Bashkiak Lisa Bender para votimit.
Forca policore e Minneapolis ka qenë nën presion të madh që nga vdekja më 25 maj e afrikano-amerikanit Floyd, në duart e një oficeri policie, i cili i shtypi qafën me gjurin e tij për gati tetë minuta. Aktivistët kanë akuzuar prej kohësh departamentin e policisë se nuk ka qenë në gjendje të ndryshojë atë që e ata e quajnë kulturë raciste dhe brutale. Në fillim të këtij muaji, një shumicë e anëtarëve të këshillit shpalli mbështetjen për shpërndarjen e departamentit të policisë.
Burimi: top-channel.tv