Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj ka vizituar sot familjen e mjekut të UÇK-së, dëshmorit Lec Leci nga Gradica e Drenasit.
Ai me këtë rast tha se lufta çlirimtare do të ishte e pamundur pa kontributin dhe sakrificën e popullit tonë.
“Ushtria Çlirimtare e Kosovës, në radhët e saj kishte ushtarët më të zotë, lufta ishte e ashpër, në vijat e frontit shumë prej tyre merrnin plagë të rënda. Plagët duhej të mjekoheshin e ushtarët tanë duhej të shëroheshin që lufta për çlirim të vazhdonte e fitorja të arrihej. Padyshim që kontribut të jashtëzakonshëm në këtë drejtim kishte dhënë mjeku i UÇK-së, doktor Lec Leci, duart e tij të arta, largonin dhimbjet e shëronin plagët e ushtrisë tonë. Krah tij, si mbështetja më e fuqishme, qëndronte gjithnjë bashkëshortja e tij infermiere, Emine. Të palodhur në shërbimin e tyre ndaj atdheut, qëndruan gjithmonë. Familja e doktor Lecit, ka vazhduar rrugën e tij edhe pasluftës, një familje doktorësh. Qoftë i përjetshëm kujtimi për doktorin tonë, populli ynë do ta nderojë gjithmonë veprën e tij atdhetare”
, ka shkruar Mehaj në Facebook.
Lec Leci ishte njëri nga mjekët më humanistë në rajonin e Drenicës dhe me fillimin e luftës iu bashkua radhëve të UÇK-së, ku trajtoi qindra ushtarë të plagosur e shumë civilë, derisa ra në altarin e lirisë më 24 shtator 1998 në malet e Qyqavicës.