Një 20-vjeçar është vënë në pranga paraditen e së enjtes në Rrëshen.
Sipas policisë, i riu mbante një kallashnikov dhe një sasi municioni me vete.
Fillimisht ai nuk i është bindur urdhrit të Policisë për të ndalur, por tentativa e tij për t’u arratisur ka dështuar me sukses.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative se një shtetas posedonte armë zjarri, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Start”, për kapjen dhe vënien në pranga të këtij shtetasi.
Si rezultat i operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi P. T., 20 vjeç, banues në Rrëshen, Mirditë, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësve të policisë së rendit publik”.
Gjatë operacionit, në Rrëshen, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar automjetin e këtij shtetasi dhe i kanë bërë shenjë për të ndaluar. Shtetasi P. T. nuk i është bindur urdhrit për të ndaluar dhe ka vijuar lëvizjen me shpejtësi, por falë veprimeve të shpejta është kapur nga shërbimet e Policisë. Në vijim të veprimeve procedurale, gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri kallashnikov me një krehër me 27 fishekë“, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.
p.k\dita