Në ambientet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale është lançuar “Zinxhiri i Solidaritetit për njerëzit në nevojë”, një platformë komunikimi që bën bashkë institucionet shtetërore organizatat e shoqërisë civile për t’u ardhur në ndihmë në kohë reale familjeve dhe individëve në nevojë në të gjithë vendin.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu në fjalën e saj tha se kjo nismë do të ofrojë një qasje të re e cila aktivizon në kohë reale organizatat dhe strukturat në terren në ndihmë të komuniteteve, familjeve apo individëve në nevojë.
Manastirliu në fjalën e saj tha se nisma e përbashkët, e ndërtuar për të krijuar një platformë interaktive të bashkërendimit në territor, do të adresojë nevojat sociale, nëpërmjet programeve të riintegrimit dhe fuqizimit ekonomik të individëve dhe familjeve në nevojë.
“Është shumë i rëndësishëm Zinxhiri i Solidaritetit që ne nisim jo si një nisëm të re, sepse ne së bashku kemi punuar, do të vijojmë të punojmë, por si një filozofi e cila duhet që të ketë edhe një qasje apo një dimension të ri. Dimensionin e një platforme e cila në një kohë reale aktivizon organizatat, strukturat ne terren në ndihmë të komuniteteve, të familjeve apo të individëve në nevojë. Ky është thelbi i këtij organizimi, i këtij zinxhiri solidariteti, i punës që ne bëjmë por edhe e një përgjegjësie që secili duhet të marrë në territor
“, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mborjtjes Sociale tha se kjo nismë do të shërbejë për të ndërtuar një platformë komunikimi interaktive për të çuar në një nivel të ri programin e mbrojtjes sociale.
“Do të ndërtojmë një platformë komunikimi interaktive, pikërisht për të realizuar qëllimet tona të përbashkëta, nëpërmjet partneritetit dhe bashkëpunimit me Ju. Jemi këtu për të ngritur në një nivel më të lartë bashkëpunimi mes nesh dhe jemi këtu për të çuar në një nivel të ri të gjithë programin e mbrojtjes sociale dhe përfshirjes sociale për të cilën përgjegjësia është e para e MSHMS dhe por ne duam që ta bëjmë sëbashku, pra me gjithëpërfshirje
“, tha Manastirliu.
Nisma “Zinxhiri i solidaritetit” u prezantuar nga Ministrja Manastirliu si një iniciativë konkrete për të bashkërenduar veprimet në territor, në përgjigje të menjëhershme të nevojave të individëve apo grupeve në nevojë, në partneritet mes institucioneve shtetërore dhe organizatave humanitare dhe zhvillimore që veprojnë në vendin tonë.