Dita e fundit e Premier League ishte zhgënjyese për Liverpool-in, i cili megjithatë nuk ka kohë “të lëpijë plagët”, sepse është fokusuar totalisht te finalja e Champions League. Të besuarit e Jurgen Klopp, të cilët tashmë kanë fituar “Carabao Cup” dhe “FA Cup”, do të kërkojnë të bëjnë “tripletë” sezonale, duke mposhtur kampionin spanjoll, Real Madridi, në “Stade de France” dhe duke marrë në shtëpi “kupën me veshë të mëdhenj”.
Përpara ndeshjes së shumëpritur, lojtarët e Liverpool-it po stërviten në qendrën e tyre sportive, duke përdorur teknologjinë më të fundit. Klubi ka angazhuar edhe një herë neuroshkencëtarin Niklas Hausler dhe partnerin e tij të biznesit Patrick Hantschke, dy mendjet pas kompanisë “Neuro11”.
Këtë herë, “Reds” kanë përdorur një teknologji të krijuar posaçërisht për të trajnuar drejtpërdrejt trurin, në mënyrë që të ndihmojnë lojtarët e Liverpool-it të arrijnë gjendjen e tyre mendore optimale. Thuhet se kushdo që përdor këtë teknologji do të jetë në gjendjen mendore optimale për të performuar në nivelin më të lartë.
Mbrojtësit e krahut Trent Alexander-Arnold dhe Kostas Tsimikas u fotografuan të dy duke përdorur sensorë të veçantë të trurit. Këto sensorë mundësojnë grumbullimin e të dhënave themelore për të përshtatur programet e stërvitjes sipas lojtarit. Ekspertët gjermanë filluan bashkëpunimin me Liverpool-in që nga gushti i kaluar. Dhe teknologjia “Neuro11” duket se ka bërë magjinë e saj.
“Reds” përfunduan të parët, së bashku me Manchester City, me këtë të fundit me më shumë gola. Klubi nga Merseyside fitoi gjithashtu “Carabao Cup” dhe “FA Cup” me penallti, situata që kërkojnë përqendrim maksimal mendor.
Klopp shpesh i ka etiketuar lojtarët e tij si “përbindësh të mendjes” dhe gjithashtu ka falënderuar vazhdimisht dhe publikisht Dr Niklas Hausler dhe partnerin e tij Patrick Hantschke për ndihmën që po iu japin lojtarëve. A do ta ndihmojë teknologjia Liverpool-in edhe në finalen e Champions League? Do ta zbulojmë më 28 maj.