Largimet nga puna, Kuvendi DAP-it: Ndiqni ekzekutimin e vendimeve gjyqësore

0
13
Gjigandi

Largimet e padrejta të punonjësve të administratës nga pozicioni i tyre i punës i ka sjellë buxhetit të shtetit dëme në pagesën e miliona eurove.

Në fund të vitit 2021 detyrimet e prapambetura të raportuara për vendimet gjyqësorë ku bëjnë pjesë edhe ato të largimeve nga puna llogariteshin në 3.1 miliard lekë.

Problematika e largimeve të padrejta nga puna dhe kostos që kjo mbart për buxhetin është ngritur vazhdimisht nga Kontrolli i Lartë i Shtetit teksa së fundmi edhe Kuvendi ka kërkuar që kjo çështje të ndiqet nga Departamenti për Administratën Publike (DAP). Kësaj të fundit i është kërkuar që në vijim të ndjekë zbatimin e vendimeve gjyqësore dhe të bëjë përpjekje për të ulur ankesat.

“Kuvendi kërkon që Departamenti i Administratës Publike për vitin 2022 të angazhohet në ndjekjen ekzekutimin e vendimeve gjyqësore ndaj gjyqfituesve si dhe marrjen e masave nga ana e institucioneve për të mbajtur sa më të ulët numrin e ankesave të reja” thuhet në projektrezolutë.

Po kështu, është kërkuar që të bëhet rishikimi i kuadrit ligjor që lidhet me disa aspekte që nga ekzekutimi i vendimeve gjyqsore e deri tek vlerësimi i rezultateve të punës në administratë.

“Të përgatisë ndryshimet e nevojshme ligjore dhe nënligjore për procesin e ekzekutimit të vendimeve gjyqësore, strukturën e pagës, përmirësimin e metodologjisë së klasifikimit të pozicioneve të punës, përmirësimin e metodologjisë së vlerësimit të rezultateve të punës, pezullimit, lirimit, transferimit, me qëllim përmirësimin e përcaktimeve ligjore për këto çështje” thuhet në projektrezolutë.

E njëjta kërkon që në zbatim të udhëzimeve të Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, për zbatimin e detyrimeve të administratës publike gjatë proceseve zgjedhore të hartohen plane pune monitorimi dhe të paraqiten raporte analitike për përmbushjen e detyrimeve të nëpunësve civilë dhe institucioneve që punësojnë nëpunës civilë, gjatë periudhës zgjedhore. Po kështu, kërkohet të sigurohet një vlerësim sa më objektiv gjatë procesit të rekrutimit për të gjithë nëpunësit civil duke shtuar vëmendjen tek ata me profil arsimor në fushën e drejtësisë si edhe të garantojë një trup nëpunësish civilë me performancë të lartë në të gjithë nivelet e administratës, nëpërmjet trajnimeve dhe aktiviteteve të ndryshme me qëllim rritjen profesionale, veçanërisht për punonjësit të cilët kanë një profil arsimor në drejtësi./monitor

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu