Kush e rinxorri Lulin në skenë dhe pse (kur çifti Sali-Ilir dhe grotesku Taulant mendojnë t’u hedhin sirën amerikanëve)

0
Gjigandi

Botuar në: Gazeta Dita

Nga: Alban Dabulla

Lulzim Basha u rikthye. Ish kreu i PD, u shfaq pardje papritmas në media, me atë si çyryk-qeshje false, duke ridhënë për të disatën herë ndjesinë që diçka nuk shkon përfundimisht me këtë njeri. Paraqiti disa “propozime”, që janë në fakt të drejta, por ato kanë kohë që janë artikuluar në publik.

Këtu në DITA përshembull, i kemi lexuar disa herë në kohë të ndryshme nga i ndjeri Moikom, nga Pëllumb Xhufi, nga Fatos Tarifa së fundmi, etj. I janë kërkuar klasës politike ato ndryshime që “propozoi” Luli, prej kohës kur Luli ishte vetë pjesë aktive e kësaj klase dhe vishte kostum e kollare, jo bluzë pambuku.

E dyta, megjithëse të drejta dhe të domosdoshme, ato ndryshime nuk varen nga Luli. Me atë peshë elektorale që dëshmoi PD e vulës në zgjedhjet e fundit, Luli mund të ndryshojë tani për tani vetëm veshjen e tij në ekrane, por jo Kushtetutën. Pra, Luli nuk ka dalë për propozimet. Ato ishin sebepi, jo shkaku i rikthimit.

Por atëherë pse doli? Doli vetë apo e nxorën të tjerë?

Luli doli vetë…?

RonaTyra

Nëse do ishte nga ata që dalin vetë, Luli nuk do kishte ikur fare. E gjithë historia e tij politike dhe parapolitike dëshmon që ai nuk ka mundur të ecë kurrë mbi këmbët e veta. Nuk do zgjatem tek kjo pjesë, sepse të gjithë ata që e ndjekin politikën e Tiranës, e kanë të qartë kush e mbolli, si mbiu (në vazo) i riu Lulzim, dhe si u rrit më pas  politikani Basha.

Një detaj komik sa për ilustrim: Para “skizmës” në PD, atë nuk e shihje thuajse kurrë pa kostum e këmishë. Të gjithë e mbajmë mend se si përpiqej të imitonte Saliun në të veshur, në të ecur, në të folur. Kurse pardje… Pardje ngjante si Rama pa mjekër. Dhe ishte veshur sportiv siç bën shpesh Rama në daljet e tij publike.

Dikush që dje imitonte Berishën, dhe sot Ramën, nuk ka si të ketë personalitet politik. Mund të jetë gjithçka, por jo lider.

Shqiptarët në fakt, nuk e kanë njohur dot deri më sot kush është Lulzimi i vërtetë. Nuk na i dha kurrë këtë mundësi, pavarësisht se ka vegjetuar vite e vite në politikë. Si plot të tjerë.

Shkurt, Luli është nga ato lule. Ai nuk ka dalë vetë…

Kush e nxorri?

Dje kishte zëra se ridalja e Bashës në skenë është një “lojë e Taulantit”. Kjo është e vërtetë por është vetëm çereku i së vërtetës. Saliu dhe Iliri i kanë gjithashtu duart në skajet e fijeve të fshehura që lëvizën pupacin nga rehatia.

“Takimi i Bashës me të rinjtë” u transmetua gjerësisht në një kanal që është shumë afër dyshes Sali-Ilir, por që pronari njihet për lidhjet e ngushta me Ballën. Kurse lloji i reagimit që patën mediat e lidhura direkt me familjen e Saliut ishte një histori më vete. Zero reagim pardje me daljen e Lulit (çfarë maturie e pazakontë për atë lloj stani), kurse dje doktorri u mjaftua me një batutë, së cilës Luli iu përgjigj flakë për flakë. Të dy, shumë larg vrerit të dikurshëm, ama shumë afër teatrit që kemi 30 vite që e shohim.

“E ka nxjerrë Rama” – tha doktori. Nëse ka një politikan që e ka të shkruar në ballë parimin e Hitlerit “akuzo kundërshtarin për atë që sapo ke bërë vetë” ky është Saliu. Dhe këtë e di sot i madh e i vogël në katundin tonë.

Por nuk është vetëm qëndrimi i mediave apo piruetat e doktorit ato që provojnë se cilat janë duart që levizën Lulin. Disa ditë më parë qarkulloi një video e një takimi sekret, mes tij dhe Taulant Ballës.

Dorëheqja e “luftarakut” Alibeaj, gjithashtu mbeti pa përgjigje bindëse.

Burime diplomatike kanë patur dijeni mbi lëvizje dhe takime të tjera krejt të pazakonta për kontekstin e përplasjeve të egra Berisha-Basha.

Përmendëm burimet diplomatike sepse pikërisht ato janë “vlera’ e vetme e Lulit, më saktë “shënjeshtra” e atyre që e rinxorën Lulin në skenë.

Dihet që Luli nuk vlen si politikan, kreditet e tij në popull janë zero. Por në vilat e opozitës atij i vlen karta e “të preferuarit të amerikanëve”.

Në kushtet e ndërprerjes së plotë të kontakteve me amerikanët, doktorit i kanë mbetur shumë pak mundësi për të kuptuar impaktin e veprimeve të tij. Çfarë është më e rëndësishmja ai kërkon përgjigje për atë që do t’i ndodhë në të ardhmen, nëse ka ende mundësi negocimi, sidomos tani që e shfaqi veten me “500 mijë votat” që i përmend pareshtur, të cilat pushtet nuk i japin dot, por një mundësi pazari doktori mendon se e meriton.

Personi më pak i dyshimtë te amerikanët dhe jo vetëm tek ata për t’i siguruar doktorit një urë informative jetike është “armiku” Luli. Një lëvizje, që më pas, ai shpreson ta kthejë në mundësi negocimi. Pas 14 majit ai dëshiron më fort se kurrë një tërheqje në këmbim të lënies në qetësi të vetes dhe familjes. Një pazar që në fund të jetës e tentojnë të gjithë politikanët e sojit të tij që kanë patur histori të ngjashme në raportet me amerikanët.

Pse është bërë edhe Taulanti pjesë e kësaj skeme, këtu hyjnë disa arsye që tani për tani njihen pak, por shumë shpejt do të bëhen publike.

Edi Rama nuk ka dijeni për këto lëvizje. Nëse do kishte dijeni, kjo do të thotë të binte dakord që pasardhësi i tij të jetë Basha, pasi të plotësohet mozaiku i plotë me kushtin që Berisha dhe Meta të mos jenë më në skenë.

Askush nuk e garanton atë që njëri apo këta dy të fundit, nuk do vazhdojnë të qëndrojnë pas Bashës, në çdo rast. Pasi asnjë prej këtyre personazheve të përfshirë në këtë përpjekje për t’u hedhur sirën amerikanëve, nuk ka dëshmuar vijimësi apo luajalitet; parime jo e jo, se i kanë shkelur me këmbë prej kohësh.

Rama ka të vetat, por nuk është nga ky stof. Ka shumë distancë nga Berisha e Meta, akoma më tepër nga Basha. Për të mos folur për groteskun Taulant.

Ka disa dukuri të cilat nuk mund të anashkalohen dhe që krijojnë shpesh idenë se në jetën e këtij populli veprojnë ca ligje të çuditshme, që vazhdimisht duan ta pengojnë ecjen përpara, edhe kur ajo është e sigurtë. Duket sikur një dorë e padukshme në mënyrë tinzare na tërheq mbrapa.

Është punuar fort këto 30 vjet që këtij populli t’i lëkundet besimi tek e ardhmja dhe të mendojë se një mallkim e ndjek në mënyrë të vazhdueshme.

Por ata që kanë vendosur ta vazhdojnë jetën e tyre në këtë vend të bukur, kanë më shumë se një dekadë që zgjedhin të njëjtin. Dhe e rikonfirmuan në 14 maj.

Rikonfirmuan jo vetëm burrin e gjatë që prishi pas tri dekadash skemën e madhe të dhjetorit ’90. Por edhe sloganin e tij, që jo rastësisht ishte, “kurrë më mbrapa”

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu