Dy persona janë arrestuar në Lezhë, pasi kultivonin lëndë narkotike.
Shtetasit me iniciale A. T., 37-vjeç dhe N. T,. 26-vjeç akuzohen për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Mësohet se uniformat blu kanë asgjësuar parcelën me kanabis.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet, pas një hetimi disamujor, operacioni policor i koduar “Ndëshkimi”, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Lezhë, në bashkëpunim me shërbimet e PKK Hani i Hotit dhe Prokurorinë e Lezhës.
Zbardhen 5 raste të kultivimit në kohë të ndryshme, të bimëve narkotike në ambiente të hapura, vihen në pranga 2 autorët e dyshuar.
Njëri prej të arrestuarve u kap nga shërbimet e PKK Hani i Hotit, gjatë tentativës për të kaluar kufirin.
Bimët narkotike kanabis, të evidentuara dhe të asgjësuara më parë nga shërbimet e Policisë, gjatë kontrolleve të imtësishme në çdo skaj të vendit, për goditjen e kultivimit të bimëve narkotike.
Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike, si dhe bazuar në informacionet e marra në rrugë operative, se në zona të ndryshme të Njësisë Administrative Balldre kultivoheshin bimë narkotike, strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Lezhë kanë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për nisjen e një hetimi intensiv proaktiv, me qëllim dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe vënien në pranga të autorëve.
Si rezultat i hetimeve, veprimeve profesionale policore dhe bashkëpunimit me shërbimet e PKK Hani i Hotit dhe Prokurorinë e Lezhës, u vunë në pranga shtetasit:
-A. T., 37 vjeç, banues në fshatin Torovicë dhe N. T,. 26 vjeç, banues në Torovicë, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.
26-vjeçari u kap dhe u ndalua nga shërbimet e PKK Hani i Hotit, në tentativë për të kaluar kufirin me qëllim shmangien e përgjegjësisë ligjore për veprimtarinë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike.
Shtetasit A. T. dhe N. T. janë arrestuar, pasi nga veprimet hetimore rezulton se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në kohë të ndryshme, në zona të ndryshme të pyllëzuara të fshatrave të qarkut Lezhë, kanë kultivuar bimë narkotike kanabis, konkretisht:
– Me 7 korrik 2022, në 1 ambient të hapur, në fshatin Malecaj dhe
– Me 20, 28 dhe 29 gusht 2022, në 3 ambiente të hapura, në Malin e Torovicës dhe në 1 ambient të hapur, në zonën e quajtur “Shkëmbi i Kuq”.
Bimët narkotike kanabis janë gjetur dhe asgjësuar nga shërbimet e Policisë, si rezultat i kontrolleve të pandërprera, me qëllim goditjen e kultivimit të bimëve narkotike.
Materialet procedurale u referuan në Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.