Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, ka ftuar liderët partiakë në një takim para vizitës së planifikuar më 27 qershor në shtëpinë e bardhë në Uashington.
Takimi, do të mbahet të enjten në ora 11, në zyrën e kryeministrit dhe do të ketë si qëllim bashkërendimin e qëndrimeve të spektrit politik të vendit në procesin e dialogut me Serbinë. Kjo ndodh në një kohë kur i dërguari i BE për dialogun Kosovë serbi, Miroslav Lajcak, ndodhet në Prishtinë dhe në ditën e dytë të qëndrimit të tij atje, ka takuar kryetarin e lidhjes demokratike të Kosovës, Isa Mustafa dhe atë të lëvizjes vetëvendosje, Albin Kurti. Në agjendë, Lajcak ka takime edhe me krerët e partive të tjera parlamentare ndërkohë që mbrëmjen e të martës, ai u takua me kryeministrin Avdullah Hoti. Ky i fundit tha se e informoi Lajcak për qasjen e qeverisë ndaj dialogut, që përfundimisht duhet të përmbyllë një marrëveshje dhe çështjet e hapura mes Kosovës dhe Serbisë.
“Kjo marrëveshje është e rëndësishme sigurisht për Kosovën dhe Serbinë, për qytetarët e të dy vendeve, është e rëndësishme për gjithë rajonin dhe është e rëndësishme për stabilitetin komplet të Bashkimit Evropian, vendi ynë është Brenda Bashkimit Evropian, unë jam shumë i kënaqur dhe i inkurajuar me mesazhet që zoti Lajçak na i tregoi”.
Vetë Lajçak tha ndërkohë se rruga evropiane nuk mund të trazohet nga askush tjetër, përveçse nga Bashkimi Evropian.
“Pa dialogun e lehtësuar nga BE kjo nuk do të ishte e mundur dhe natyrisht që dua të ndërtoj atë që është arritur tashmë dhe të shkoj më tej dhe ta çoj këtë proces në një përfundimin të suksesshëm dhe pa humbur kohë”.
Kjo është vizita e parë e Lajçakut në Kosovë, që kur ai mori postin e të dërguarit të posaçëm të BE-së ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Burimi: top-channel.tv