Kriza energjitike në Shqipëri, ekspertët nxisin diversifikimin e burimeve

0
Kriza energjitike në Shqipëri, ekspertët nxisin diversifikimin e burimeve
Gjigandi

Shqipëria, që prej vjeshtës së vitit të shkuar, po përballet me krizë energjitike, edhe pse gjatë vitit 2021 u prodhua rreth 47% më shumë energji, se mesatarja e dekadës së fundit. Rezervat energjitike ranë nga muaji maj në tetor me 70% dhe çmimi mesatar i importit të energjisë për vitin që shkoi u rrit me 132%. Ekspertët thonë se situata u keqmenaxhua nga autoritetet. Energjia elektrike në vend prodhohet nga burime hidrike, me varësi nga reshjet, që kanë në themel mungesën e vazhdimësisë së prodhimit. Ata nënvizojnë se në drejtim të diversifikimit të burimeve janë bërë hapa pas.

Shqipëria po përballet prej 9 muajsh me një krizë energjitike, që u shfaq si pasojë e rritjes së çmimit të saj në tregjet ndërkombëtare. Ajo u thellua edhe më tej nga agresioni rus në Ukrainë në shkurt të këtij viti, në kushtet kur Europa 40% të nevojave për gaz i plotëson nga Rusia. Në Shqipëri energjia prodhohet nga burime hidrike, të cilat plotësojnë rreth 70% të nevojave të saj. Në këto kushte, importi është domosdoshmëri në një masë prej 30%. Shqipëria ka gjithsej 3 hidrocentrale publike dhe 236 private dhe me konçension të cilët prodhuan për vitin që shkoi respektivisht në masën 60 dhe 40%.

Por edhe pse në vitin 2021, u shënua prodhimi më i lartë i energjisë i regjistruar në vend, rreth 47% më shumë se mesatarja e dekadës së fundit, (prej 6 mijë GWh,) në gjysmën e dytë të vitit, me fillimin e vjeshtës, u shfaqën mjaft probleme. Rezervat energjitike në kaskadën e Drinit ranë nga muaji maj në tetor me 70% ( nga 1520 në 443 GW/h), ndërsa niveli i liqenit të Fierzës, në 6 mujorin e dytë të vitit, ra nën nivelin mesatar shumëvjeçar të periudhës 1991 – 2021.

Ekspertët thonë se kjo situatë u përkeqësua edhe si pasojë e keqmenaxhimit të sistemit, pasi sipas statistikave prurjet mesatare në

RonaTyra

Fierzë, gjatë vitit, ishin rreth 30% më të larta se mesatarja 15 vjeçare (2006-2020).

“Të etur nga lumturia që të sjell marrja e parasë në moment, u shit energji pa duar. Dhe shitja gjithmonë bëhet me çmime më të ulëta se sa blerja. U keqpërdor kaskada e Drinit, dhe ne mbërritëm në atë që pothuajse doli jashtë përdorimit hidrocentrali. Nëse blerja e energjisë dhe shitja e saj do të ishte e matur dhe do të ishte parë në një plan më afatgjatë, nuk do të kishte ndodhur kjo që ndodhi”-

tha për Zërin e Amerikës Zana Guxholli, eksperte e ekonomisë.

Rritja e çmimit të energjisë në tregjet ndërkombëtare, vuri në vështirësi financiare buxhetin e shtetin, pasi autoritetet u përballën me një çmim mesatar vjetor rreth 132% më të lartë se një vit më parë. Në Shqipëri çmimi i importit arriti pikun në muajin tetor, 280 euro/MWh ndërsa ai mesatar vjetor ishte rreth 164 Euro/MWh, nga 71 që ishte në vitin 2020. Autoritetet thonë se situata mbetet e vështirë, dhe se liqeni i Fierzës vazhdon të rikuperojë rezervën, me shpresën për të shkuar në fund të qershorit, sipas tyre, në vlerën maskimale prej 297 metrash. Ndërkohë furnizimi i konsumatorëve, siç shprehen ata, nuk rrezikohet për shkak të kryerjes së importeve afatgjata. Kritikave për keqmenaxhim të sektorit energjitik. Zv. Ministri i infrastrkturës dhe energjisë, i përgjigjet kështu:

“Menaxhimi ka qenë matematikor, importet e kryera kanë qenë të tilla, që nëse përkthehen në nivel kaskade, janë brenda normave të rregullores që ne kemi për menaxhkmin e kaskadës, pa vënë në kërcënim sigurinë e rrjetit. Dikur kishim ndërpreje të energjisë, dhe përmbytje për shkak të mospërllogaritjes së rezervave. Nuk kemi më shumë se 4 miliard m3 ujë rezervë, nëse vjen më shumë se kaq, e kalojmë në turbinë. Ajo çka ne bëjmë është optimizimi, pra mundohemi ta depozitojmë atë që të kemi mundësi ta marrim në periudhën kur nuk e kemi. Prodhimi në total në vend është më i madh se nevoja që kemi, por është i shpërndarë në 5 muaj”

-u shpreh për Zërin e Amerikës Ilir Bejtja, Zv. Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë.

Ekspertët ngrenë shqetësime edhe për nivelin e lartë të humbjeve të energjisë në rrjet mbi 20%. Edhe pse janë përgjysmuar gjatë viteve të fundit, ato konsiderohen sërish të larta. Sipas autoriteteve, e gjithë energjia që prodhohet nga hidrocentralet e vogla, shkon për të mbuluar këto humbje dhe sipas tyre, nevojat për investime në rrjet janë shumë herë më të larta se mundësitë aktuale financiare.

Prodhimi hidrik i energjisë në vend, në të shkuarën ndihmohej edhe nga disa termocetrale, me fuqi 200 MW. TEC-i i Fierit me fuqinë më të lartë prej 160 MW, rezistoi deri në vitin 2012, ku si pasojë e një privatizimi të dështuar përfundoi në demolim. Njohës të fushës së energjisë thonë se duhet investuar më shumë drejt burimeve tjera, veç atyre hidrike, por ata nënvizojnë se në këtë drejtim janë bërë hapa pas.

” E parë si fuqi në tërësi është rritur, por në kuptimin e diversifikimit të burimeve dhe të paketës së sigurisë kemi bërë hapa pas. Kemi hequr termocentralet. Në 1 korrik të vitit 2021, liqeni i Fierzës mbi kaskadën e Drinit ka qenë për t’u admiruar, 282.7 metra. Nëse nuk do punonim me Fierzën dhe do kishim termocentral me fuqi 200 MW dhe do ta vinim 3 muaj në punë, kjo kuotë do të transferohej e tillë edhe në 1 tetor, kur në këtë kohë shkoi poshtë 270 metrave, nën nivelin mesatar shumëvjeçar të 3 dekadave të fundit”-

u shpreh për Zërin e Amerikës Pajtim Bello, ekspert në fushën e energjisë.

Mbi kaskadën e lumit Drinit pritet të ndërtohet një tjetër hidrocentral ai i Skavicës, që mendohet të rrisë me 20% prodhimin e energjisë në vend. Gjatë vitit të shkuar u shtuan 18 hidrocentrale të vogla, duke prodhuar afro 80 MW/h ose 1% të totalit të prodhimit vendas të energjisë elektrike. Ndërkohë 0.5% e energjisë, ose 40 MW/h, u sigurua nga burime alternativë nga impantet fotovoltaike. Autoritetet thonë se synojnë ta rrisin këtë prodhim brenda 15 muajve në 240 MWh, ose 3% të totalit të prodhimit vendas.

“Ka akoma hidrocentrale në ndërtim. Shpresa dhe pritshmëria është që deri në vitin 2025 ne të kemi prodhuar plotësisht, gjatë gjithë vitit, energjinë që na duhet në mënyrë ditore. Pra të mos e kemi më efektin sezonal”

– tha Ilir Bejtja, Zv. Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë.

Këtij qëllimi i shërbejnë dhe përpjekjet për të vënë në punë Termocentralin e Vlorës, si garantues të furnizimit të sistemit. 10 vjet nga ndërtimi, me një kosto rreth 100 milion euro, ai nuk është vënë asnjë ditë në punë për shkak të një defekti në sistemin e ftohjes.

Kontraktori (Tecnimont) nuk e mori përsipër defektin dhe sipas autoriteteve shqiptare u largua. Zyrtararët shqiptare nënshkruan një marrëveshje pak kohë më parë me kompaninë amerikane Exxon Mobil dhe Excelerate Energy, që parashikon ndërtimin e një platforme lundruese për gazin e lëngshëm natyror, ndërtimin i një terminali të ri gazifikimi, dhe mundësinë e konvertimit të tec-it për të punuar më gaz.

“Tec deri tani është një gangrenë financiare, që ne e kemi paguar mbi 70% të vlerës së tij, pa prodhuar asnjë ditë energji. Kemi nëshkruar një marrëveshje me kompaninë amerikane Exxon Mobil dhe Excelerate Energy, për rritjen e kapacitetit deri në 350 MW, vënien në punë të tij më gaz si dhe riparimin e sistemit ftohës. Pritet që të ndodhë e gjitha kjo midis 15-18 muaj”-

pohoi Ilir Bejtja, Zv. Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë.

Një prej projekteve ambicioze drejt diversifikimit të burimeve të energjisë, sipas autoriteteve, është dhe ndërlidhja me rrjetin e furnizimit ndërkombëtar të gazit natyror TAP, që filloi të funksionojë në fund të vitit 2020. Por Shqipëria për shkak të mungesës së rrjetit të shpërnadrjes së gazit nuk mund ta shfrytëzojë gazin natyror të TAP.

Autoritetet zyrtare thonë se, kanë nisur punën për ndërtimin e tij fillimisht nga Fieri në Vlorë, që do të pasohet, sipas tyre, nga projekte të tjera të brendshme dhe rajonale. Ata thonë se sasia e gazit që mund të përfitojë Shqipëria në tubacion, është disa herë më i lartë se nevoja dhe se shpresojnë, se brenda një 10 vjeçari gazi të kthehet në burim kryesor për prodhimin e energjisë në vend.

Por megjithë përpjekjet e autoriteteve zyrtare, për t’a rimëkëmbur sektorin energjitik, një ndër më problematikët në vend në vitet e tranzicionit, në kushtet e një krize globale, sfidat bëhen edhe me të mëdha./VOA

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu