Inflacioni do të jetë një nga problematikat kryesore me të cilat Kosova do të vazhdojë të përballet edhe në vitin 2023, thonë njohës të çështjeve ekonomike. Megjithatë, ata presin që trendi i rritjes të jetë më i ngadalshëm se në vitin 2022, ndërsa në gjysmën e dytë të vitit të shënojë rënie. Një arsye për këtë optimizëm është stabilizimi i zinxhirit të furnizimeve. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, norma mesatare vjetore e inflacionit në vend, për vitin 2022, ka qenë 11.6 për qind.
Në muajin dhjetor, ajo ka arritur në 12.1 për qind. Këto shifra janë të larta, thotë kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna. Por, sipas tij, këtë inflacion nuk e kanë krijuar bizneset në Kosovë – ato e kanë importuar atë pasi kanë blerë me çmime më të larta, qoftë lëndë të parë, gjysmë-produkte apo produkte finale.
“Ky inflacion në Kosovë është dyshifror dhe është shumë i lartë. Në qoftë se hyjmë në strukturën e inflacionit, ne shohim se produktet ushqimore kanë dominuar dhe kanë shkuar me ngritje të çmimeve deri në 40 për qind ose ka raste edhe deri në 50 për qind. Kjo ka qenë shumë shqetësuese për këtë vit [2022]”.
“Për sa i përket vitit 2023, unë jam më optimist – sidomos në gjysmën e dytë të vitit, e mbase edhe nga muaji prill ose maj të nisë të bjerë inflacioni, e po ashtu edhe çmimet”, thotë Rafuna për Radion Evropa e Lirë.
Rritja e çmimeve në Kosovë, por edhe gjetiu në botë ka nisur nga fundi i vitit 2021, për shkak të çrregullimeve në tregje që ka shkaktuar pandemia e koronavirusit. Rritja ka vazhduar me ritëm më të shpejtë nga shkurti i vitit të kaluar, kur Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës. Rritje kanë pësuar pothuajse të gjitha produktet e shërbimet në Kosovë – nga buka e mielli deri te rryma e patundshmëritë. Paga mesatare në vend është rreth 480 euro, ndërsa ajo minimale sillet nga 130 në 170 euro. Në disa anketa që ka realizuar REL me qytetarë në Prishtinë, shumë kanë thënë se e kanë më të vështirë të sigurojnë produktet e nevojshme.
Berim Ramosaj, profesor i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, thotë se edhe gjatë vitit 2023, Kosova do të përballet me inflacion, por trendi i rritjes do të jetë më i ngadalshëm. Ai vlerëson se inflacioni do të mund të futet në korniza të kontrollueshme vetëm pas një ose dy vjetësh. Por, për të pasur një pasqyrë reale lidhur me inflacionin në Kosovë, nuk duhet bazuar vetëm në çmimet e ngritura të produkteve bazike për qytetarët, por edhe te sasia e parave në qarkullim, thotë Ramosaj.
Ai thekson se Banka Qendrore e Kosovës nuk e ka të drejtën e kontrollimit të sasisë së parave që janë në qarkullim, sepse, pavarësisht se në Kosovë monedhë zyrtare është euroja, vendi nuk është pjesë e Eurozonës dhe, rrjedhimisht, nuk e gëzon të drejtën e vendimmarrjes për sasinë e parave në qarkullim.
“Ne do të jemi në trend të rritjes ose të rritjes më të ngadalshme të inflacionit, ngjashëm sikurse vendet e tjera në rajon. Por, te ne reflekton më shumë. Ka vende ku inflacioni e stimulon zhvillimin, ngase është një lloj përshpejtuesi në kuptimin e rritjes së sasisë së parave, rritjes së kërkesës, rritjes ekonomike… Te ne, refleksionet nuk janë aq pozitive, duke marrë parasysh se bilanci tregtar i Kosovës është mjaft i papërshtatshëm, në kuptimin e raportit eksport-import”, thotë Ramosaj për Radion Evropa e Lirë.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave, nga janari deri në nëntor të vitit 2022, Kosova ka eksportuar produkte në vlerë prej rreth 850 milionë eurosh, ndërsa ka importuar produkte në vlerë mbi pesë miliardë euro. Rrjedhimisht, deficiti tregtar i Kosovës për muajt janar-nëntor 2022 ka arritur në 4.2 miliardë euro.
“Të ulen tatimet”
Kryetari i OEK-ut, Lulzim Rafuna, thotë se në shumë vende të botës, qeveritë kanë ndërmarrë masa për zbutjen e efekteve të inflacionit, duke i ndihmuar qytetarët e tyre madje edhe me subvencione. Subvencionimin e grupeve të caktuara shoqërore e ka bërë edhe Qeveria e Kosovës përmes pakove të ndryshme financiare. Në një periudhë, ajo po ashtu ka vendosur çmime tavan – apo maksimale – për derivatet e naftës. Rafuna thotë se Qeveria mund të marrë edhe masa të tjera që mund të ndikojnë në zbutjen e inflacionit.
“Për shembull, ulja e tatimeve. Në këtë kohë, të ulet për shembull tatimi i akcizës ose të hiqet fare për disa produkte – në qoftë se kjo ndikon në uljen e çmimeve. Pastaj, mundësia për t’i subvencionuar kompanitë, të cilat subvencione më pas mund t’ua bartin punëtorëve të tyre. Ka shumë masa, por është vetëm çështje e analizave. Gjithmonë, thirrja jonë, si OEK, ka qenë që të ulemi bashkë me ministritë përkatëse dhe ta përgatisim një pako për bizneset. Duke i ndihmuar bizneset, i ndihmon edhe qytetarët”, thotë Rafuna.
REL kontaktoi Qeverinë e Kosovës dhe Ministrinë e Financave për t’i pyetur se si planifikojnë ta luftojnë ose menaxhojnë rritjen e inflacionit në vitin 2023, por nuk mori përgjigje prej tyre.
“Të rriten formaliteti dhe kursimet bankare”
Profesori Ramosaj thotë se ekzistojnë një mori masash që mund të ndikojnë në zbutjen e inflacionit, por, sipas tij, Kosova duhet t’iu qaset atyre që mund të jenë të zbatueshme për të. Sipas tij, Qeveria e Kosovës, mes tjerash, duhet t’iu qaset politikave të taksave dhe politikave të rritjes ekonomike, duke u bazuar në stimulimin e sektorëve të caktuar, që kanë efekt të drejtpërdrejtë në rritje ekonomike. Hyrja e parave përmes kanaleve joformale në Kosovë, thotë Ramosaj, e pengon zbutjen e inflacionit.
“Zvogëlimi i këtyre sektorëve joformalë, respektivisht rritja e formalitetit në përgjithësi në biznes, është faktor që mund të japë rezultate. Së dyti, nëse ka aq aftësi [Qeveria e Kosovës] që t’i rrisë normat e interesit për kredi dhe, në njëfarë mënyre, ta bëjë atraktiv konceptin e kursimeve… Ka mundësi që një pjesë e madhe e mjeteve të lira të qytetarëve të shkojnë nëpër banka, të kursehen dhe ato nuk krijojnë kërkesë të re në treg. Kjo ka efekt kundër inflacionit, menjëherë”, thotë Ramosaj.
Ai shton se këto janë masa kozmetike, por që mund të ndikojnë në zbutjen e inflacionit. Sipas një dokumenti të publikuar në tetor të vitit 2022 nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, shkalla e inflacionit për çmimet mesatare për konsumatorë në Kosovë ka qenë 12 për qind, në Maqedoninë e Veriut ka qenë 10.6 për qind, në Shqipëri 6.2 për qind, në Mal të Zi 12.8 për qind, në Serbi 11.5 për qind, në Bosnje e Hercegovinë 10.5 për qind dhe në Kroaci 9.8 për qind.
Sipas Bankës Botërore, në vitin 2021, Kosova shënoi rritje ekonomike prej 10.5 për qind, ndërsa në vitin 2022, rritja ekonomike nuk ishte më shumë se 3.1 për qind. Për vitin 2023, Banka Botërore parasheh që rritja ekonomike në Kosovë të jetë ndërmjet 3 dhe 4 për qind. Banka Qendrore e Kosovës ka paraparë që inflacioni në vitin 2023 të jetë rreth 6.2 për qind. Në Eurozonë, ndërkaq, inflacioni ka prekur rekord në tetor, duke arritur në 10.7 për qind./REL