Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kanë arritur pajtueshmëri për 19 pika në sektorë të ndryshëm, në kuadër të mbledhjeve të përbashkëta tradicionale që mbahen ndërmjet dy shteteve.
Mbledhja e së hënës shënon takimin e tetë të tillë mes dy qeverive. Qeveria e Kosovës ka thënë se marrëveshjet e memorandumet ndërqeveritare janë arritur në fushën e arsimit, doganave, energjisë, bujqësisë, infrastrukturës rrugore, transportit, shëndetësisë, mbrojtjes e drejtësisë. Në sektorin e arsimit është arritur marrëveshje për mundësi konkurrimi dhe vijim të studimeve në 19 universitete të të dyja shteteve, në kushte të barabarta. Në takim, palët janë pajtuar për të punuar drejt lehtësimit të plotë të lëvizjes së lirë mes dy shteteve, më pas për të krijuar një platformë të përbashkët digjitale për promovim të turizmit të të dyja vendeve. Në sektorin e transportit është arritur marrëveshje për një studim fizibiliteti që i hap rrugën ndërtimit të linjës hekurudhore Durrës – Prishtinë, projekt që mëton të lehtësojë transportin e njerëzve dhe mallrave.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë thirrje për besim të ndërsjellë social.
“Vendet tona nuk i bën bashkë interesi, por është në interesin tonë që të qëndrojmë bashkë. Aq sa na bashkon historia, gjuha dhe kombi, aq duhet të na lidhë bashkëpunimi institucional në çdo fushë”, ka thënë Kurti.
Rama, në anën tjetër, takimin e së hënës e ka konsideruar si bilanc pozitiv të bashkëpunimit.
“Nuk e ekzagjeroj fare po të them se pas çdo mbledhjeje të përbashkët, ne i afrohemi pak më shumë qëllimit të madh të dokumentit të Partneritetit Strategjik mes dy shteteve tona, të nënshkruar në Prizren më 2014”.
Ai ka thënë se volumi tregtar para bashkëpunimit të afërt mes dy vendeve ka qenë 136 milionë, ndërsa tani ka arritur në 433 milionë. Rama është deklaruar edhe rreth atyre që i ka konsideruar komente mbi mosmarrëveshje dhe mungesë të ecurisë mes punës së të dyja qeverive.
“Me qeverinë aktuale ne kemi shkallën më të lartë të zbatimit të marrëveshjeve të nënshkruara, përfshirë edhe marrëveshjet e nënshkruara në të kaluarën. Shpresoj që ky të konsiderohet fakt dhe jo arsye për të bërë spekulime të natyrës politike, sepse unë jam tërësisht i papërfshirë dhe i painteresuar të përfshihem në jetën politike të Kosovës”.
Kurti ka thënë më herët gjatë ditës se në takime të tilla në të kaluarën janë nënshkruar 127 marrëveshje kurse janë zbatuar 75 prej tyre. Megjithatë, Kurti ka përmendur se ekziston nevoja e një harmonizimi e bashkërendimi më të mirë “të politikave dhe veprimeve mes dy vendeve tona, si në çështje rajonale e po ashtu edhe të politikës së jashtme”.
Ballkanin e Hapur
I pyetur për nismën Ballkani i Hapur, në të cilën merr pjesë Shqipëria, por jo edhe Kosova, dhe për ndikimin e këtyre qëndrimeve në marrëdhëniet mes shteteve, Kurti ka thënë se këto shtete kanë raporte vëllazërore dhe se iniciativa del përtej lidhjeve bilaterale.
“Marrëdhëniet tona bilaterale janë të shkëlqyeshme dhe vëllazërore. Vëllezërit nuk kanë ndërmjetësues mes njëri-tjetrit. Prandaj mbledhja e këtillë është takim që të forcojmë të dyja shtetet tona në funksion të qytetarëve tanë, për nevojat dhe dëshirat e tyre”.
Rama ka thënë se Ballkani i Hapur është e vërtetë që nuk bashkon dy vendet, por “është kaq e vërtetë që nuk na ndan”.
“Në këtë pikë kemi këndvështrime të ndryshme, ky nuk është sekret, por këto këndvështrime të ndryshme në këtë pikë nuk na pengojnë që në marrëdhëniet bilaterale të vazhdojmë të ecim përpara”.
Nisma “Ballkani i Hapur” është vazhdimësi e “Mini-Shengenit” ballkanik, e prezantuar në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.Kosova, Bosnje-Hercegovina dhe Mali i Zi, nuk janë pjesë e saj.
Në mesin 13 marrëveshjeve të nënshkruara vitin e kaluar, ishin edhe lehtësimi i procedurës për marrjen e leje-qëndrimit, rregullimi i regjimit të trafikut lokal të kufirit, hapja e pikës së përbashkët të kalimit kufitar mes Kukësit dhe Dragashit, lehtësira në procedura doganore dhe kontroll të mallrave, kalendari i përbashkët kulturor vjetor mes dy vendeve dhe njohja e diplomave.
Por, marrëveshjet e nënshkruara ndër vite ndërmjet dy vendeve konsiderohen vetëm si marrëveshje në letër, pasi shumë nga to nuk gjejnë zbatim.
Në vitin 2020 u nënshkrua edhe një deklaratë e përbashkët ndërmjet dy qeverive dhe Këshillit të ministrave të Republikës së Shqipërisë, për t’i rekomanduar Kuvendit të Kosovës dhe Kuvendit të Shqipërisë mbikëqyrjen e zbatimit të marrëveshjeve të nënshkruara në mes të dy qeverive. Në mbledhjet e mbajtura deri më tani janë nënshkruar rreth 100 marrëveshje. Përgjatë viteve kryeministrat e dy shteteve kanë thënë se këto marrëveshje do të lehtësojnë jetën e qytetarëve në të dyja anët e kufirit. Por, në tetor vitit 2021, Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA) dhe Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS) kanë matur qëndrimet e qytetarëve të Kosovës dhe Shqipërisë, sa u përket marrëdhënieve mes dy qeverive. Më shumë se 60 për qind e të anketuarve kishin deklaruar se marrëveshjet e nënshkruara ndërmjet dy qeverive nuk kanë pasur ndonjë ndikim në jetën e përditshme. Qeveria e Republikës së Kosovës dhe ajo e Republikës së Shqipërisë në dhjetor të vitit 2013 ishin dakorduar për organizimin e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive. “Qëllimi i kësaj nisme është vendosja e një partneriteti strategjik më të strukturuar dhe të institucionalizuar në mes të dy shteteve tona”, thuhej në njoftimin e para nëntë viteve./REL