“Korsia preferenciale e shërbimit” në spitale/ Sejrani: Vonesa deri në mohim të aksesit për këto grupe

0
Gjigandi

Çështjet që lidhen me shëndetësinë, duke qenë se kanë interes të lartë publik, kanë qenë gjithmonë në qendër të diskutimeve. Akuzave se shërbimi spitalor në vend ofrohet vetëm kundrejt pagesës, qeveria aktuale e kryeministrit Rama iu përgjigj me premtimin se shëndetësia do të ishte falas për këdo. Një premtim ky që nëse do të realizohej do të lehtësonte xhepat e qytetarëve shqiptarë. Megjithatë, sot ndodhemi përpara fakteve të tjera. Duke lënë mënjanë të gjitha pagesat e paligjshme që u ofrohen mjekëve për marrjen apo favorizimin e pacientëve, duket se tashmë “ryshfeti do të legjitimohet”. Thënë kjo, ligji i ri i  “korsisë preferenciale e shërbimit” u jep mundësi atyre që paguajnë, të marrin shërbim spitalor përpara atyre që nuk zgjedhin apo nuk munden të ofrojnë para.

Konkretisht, pacientët mund të mos ndjekin sistemin e referimit, që përfshin marrjen e rekomandimit pranë mjekut të familjes, në qendrën shëndetësor. Ata mjafton të paguajnë tarifën dhe marrin shërbim më të shpejtë, ndërsa ata që nuk munden duhet të presin në radhë.

Ky ligj konsiderohet diskriminues dhe praktikisht legjitimon diferencimin midis personave me nivele të ndryshme të ardhurash. Lidhur me këtë çështje, redaksia e Priza.al kontaktoi me avokatin, njëkohësisht dhe drejtuesin e Organizatës “Drejtësi Sociale” z. Gentian Sejrani. Ai u shpreh se ky ligj mund të vonojë, e madje mohojë aksesin për disa nga grupet vulnerabël si anëtarët e komunitetit rom e egjiptian, të moshuarit, gratë kryefamiljare apo studentët. Sipas Sejranit ky ligj është diskriminues dhe shkel të drejtat e njeriut.

Intervista e plotë:

Çfarë përfshin “korsia preferenciale” në sistemin shëndetësor?

RonaTyra

Korsia preferenciale përfshin një formë tejkalimi të radhës në sistemin shëndetësor me pagesë. Sipas nenit 27 të ligjit të ri për sistemin spitalor, për pacientin e shtruar apo ambulator, spitalet publike kanë të drejtë të ofrojnë, jashtë sistemit të referimit, korsi preferenciale shërbimi kundrejt tarifave të përcaktuara me vendim të bordit drejtues.

Ky lloj sistemi ku është marrë si referencë?

Nga kërkimi që kemi bërë, është marrë si referencë nga sistemi grek i shëndetësisë dhe vijon të përdoret në atë shtet.

A shkon paralel me atë çfarë qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë ka propaganduar për shëndetësi falas?

Sigurisht që po. Shëndetësia falas besojmë që është totalisht e kundërta e kalimit të radhës me pagesë shkon në favor të personave që kanë mundësi financiare dhe vonon deri në mohim të aksesit për grupet vulnerabël si anëtarët e komunitetit rom e egjiptian, të moshuarit, gratë kryefamiljare, studentët etj.

Kush përfiton nga kjo korsi dhe kush përjashtohet nga ajo?

Nga kjo korsi përfitojnë personat që kanë mundësi financiare për të tejkaluar radhën dhe penalizohen grupet vulnerabël dhe shtresat në pamundësi financiare, pra shumica e popullsisë në Shqipëri.

A është diskriminues si ligj, pasi shkel nenin e Kushtetutës për të pasur çdokush akses të barabartë në sistemin shëndetësor?

Po, është diskriminues duke penalizuar aksesin e qytetarëve në sistemin shëndetësor bazuar në aftësitë e tyre paguese dhe jo në nevojat që ata kanë për të marrë shërbime pranë spitaleve. Ky penalizim mund të çojë deri në mohim të aksesit që mund të shoqërohet dhe me humbje jete të pacientëve që vijnë nga grupe në nevojë, që është një shkelje totale e të drejtave të njeriut./Abc24.al

*Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Abc24.al sipas ligjit Nr. 35/2016 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi pa autorizimin e Abc24.al në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016*

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu