Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, tha se ka inkurajuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, që të pranojë propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Përmes një postimi në Twitter, ai tha se ka biseduar me Kurtin për këtë çështje të martën.
“Një temë kyçe ka qenë partneriteti ynë dhe synimi i përbashkët për avancimin e integrimit evropian dhe euroatlantik të Kosovës”, shkroi Chollet në Twitter.
Ai tha se me Kurtin ka biseduar edhe për çuarjen përpara të diskutimeve për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Marrëveshja për krijimin e këtij asociacioni është arritur qysh në vitin 2013 në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, i cili ndërmjetësohet nga BE-ja, por ajo nuk është zbatuar kurrë. Zyrtarët në Kosovë thonë se nuk mund të krijohen asociacione njëetnike, ndërsa ata në Serbi këmbëngulin në formimin e Asociacionit të dakorduar.
Ambasada amerikane në Prishtinë ka paralajmëruar për datën 31 janar një diskutim për këtë asociacion, ku ka thënë se janë ftuar përfaqësues të shoqërisë civile, zyrtarë dhe politikanë të tjerë. Qeveria e Kosovës nuk i është përgjigjur pyetjes së REL-it nëse Kurti ka marrë ftesë për këtë diskutim.
Propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi u është dorëzuar dy vendeve në fund të verës, por përmbajtja e tij nuk është bërë publike. Në bazë të një versioni, në të cilin ka pasur qasje REL, ai nuk përfshin njohjen reciproke midis Kosovës dhe Serbisë, por përkushtimin e të dyja palëve që të mos e pengojnë njëra-tjetrën në procesin e integrimeve.
Në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë javën e kaluar, Chollet ka thënë se marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të kërkojë “zgjedhje të vështira” dhe “guxim politik”.
Nga një takim që ka zhvilluar një delegacion evropiano-amerikan me Kurtin, më 20 janar në Prishtinë, është thënë se ata kanë pritur më shumë mirëkuptim në lidhje me propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Kurti ka thënë pas atij takimi se propozimi është “bazë e mirë për bisedime të mëtejshme”, por nuk ka specifikuar më shumë. Në Serbi, presidenti Aleksandar Vuçiq ka thënë se është i gatshëm të punojë në planin për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.