Kryeministri Edi Rama thotë se Shqipëria është e gatshme të ndihmojë Europën, lidhur me krizën e emigrantëve nga Lindja e Mesme, Afrika dhe Azia, që pritet të rëndohet edhe më tepër pas konfliktit mes Izraelit dhe Hamasit.
I pyetur lidhur me këtë çështje, në një konferencë të përbashkët me kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe presidenten e KE, Ursula von der Leyen, Rama tha se Shqipëria nuk është pjesë e rrugës ballkanike nga ku kalojnë emigrantët ilegalë, megjithatë është e gatshme të ndihmojë me kapacitetet që ka.
“Folëm për të. Nuk mund të shtoj më shumë. Çfarë mund të them?! Nuk jemi pjesë e rrugës ballkanike, në këtë aspekt nuk influencojmë aq shumë, për mirë apo për keq këtë fenomen. Por si gjithmonë jemi gati të ndihmojmë. E kemi bërë gjithë historinë tonë. Shqipëria është e vetmja që ka pasur më shumë hebrenj pas luftës së dytë botërore.
Dhe asnjë hebre nuk u dorëzua tek nazistët. Pastaj kemi eksperiencën e dramës e emigracionit nga Kosova. Kishim gjysmë milionë refugjatë nga Kosova sepse u detyruan të linin shtëpinë dhe u ndoqën nga regjimi i Milllosheviçit. I dhamë strehë mijëra afganëve pas situatës. Jemi gati ta bëjmë edhe në të ardhmen duke konsideruar dimensionin tonë modest dhe kapacitetet tona të limituara. Është një fenomen që duhet ndërmarrë të bashkuar”, deklaroi Rama.
p.c. / ABC24.AL