Jugu do të ndihmohet, por jo me Corona-Bonde – për momentin

0
Gjigandi

Nga Auron Dodi
BE ra dakord për masa të menjëhershme, që do të mbështesin financat publike, bizneset dhe individët të përballojnë krizën ekonomike për shkak të virusit Corona. Kredi të favorshme prej mbi 500 miliardë eurosh ofrohen kryesisht nga strukturat ekzistuese të BE

Banka Evropiane e Investimeve, instituti për nxitjen e ekonomisë në BE, do të ngrejë një fond garancie prej 200 miliardë eurosh, për kredi shtesë për sipërmarrjet e mesme e të vogla në shtetet e BE.
Komisioni Evropian u ofron shteteve kredi të favorshme, për të financuar punën me orar të reduktuar. 100 miliardë euro janë në dispozicion për shtetet, po të kenë vështirësi të financojnë punën me orar të reduktuar (që njihet në disa gjuhë edhe me  termin gjermanisht “Kurzarbeit”): me këto para punëdhënësit mund të paguajnë deri për 12 muaj, 60-67 % të pagës neto të një punonjësi, të cilit i është reduktuar puna nga kriza. Paratë vijnë nga sigurimi për papunësinë.
Ky instrument zbatohet për herë të parë dhe u deklarua i përkohshëm. Kjo kur kërkesa për një skemë të përbashkët të përhershme për sigurimin për të papunët e BE është e vjetër.
Si për kreditë e Bankës Evropiane të Investimeve, ashtu edhe për kreditë për punën me orar të reduktuar, shtetet anëtare japin secila 25 miliardë euro garanci.
Mekanizmi i Stabilitetit Evropian (ESM), mekanizmi i krizës i BE, do të japë më tej kredi parandaluese ndaj një kolapsi – në shumën dy përqind të prodhimit ekonomik të një shteti. Gjithsej 240 miliardë euro.
Çfarë arritën ministrat e financave të BE?
Kemi një kompromis, që konsiston në dy elementë: së pari që kreditë nga Mekanizmi i Stabilitetit Evropian, ESM jepen thuajse pa kushte. Kërkohet vetëm që ato të përdoren për pasojat “direkte dhe indirekte” të pandemisë në shëndetësi. Jo për programe konjukturore. Deri tani ESM kërkonte programe strukturimi të ekonomisë, si kusht që të jepte kredi. Për shoqërimin me kushte të kredive të ESM rezistoi deri në fund Holanda.
Së dyti, ndahet paketa e masave, nga fondi për rindërtimin e ekonomisë në shtetet e BE. Për këtë fond do të diskutohet në vjeshtë. Kjo pasi ka mosmarrëveshje të mëdha për mënyrën me se do të financohet ky fond rindërtimi.
Në mbledhjen e ministrave të financave të BE, të martën, nëntë shtete të BE, kryesisht Italia, Spanja e Franca kërkuan që ky fond të financohet me eurobonde – me letra me vlerë me interesa fikse, për emetimin e të cilave hyjnë në borxh të gjitha shtetet e BE.
Kurse 10 shtete kërkuan që të mos merren borxhe të përbashkëta për fondin e rindërtimit. Ndër to bën pjesë Gjermania, Holanda, Austria e Finlanda. Gjermania përfytyron që ky fond rindërtimi të financohet duke zgjeruar buxhetin e ri të BE, të viteve 2021-2027 me një fond të posaçëm.
Propozimin për këtë do ta paraqesë në 29 prill presidentja e KE, Ursula von der Leyen.
Çfarë mbeti nga kundërshtimi i ashpër i Veriut të Evropës Corona-bondeve?
Emetimi i Corona-Bondeve nuk u përjashtua kategorikisht përgjithmonë. Kjo temë do të diskutohet sërish në vjeshtë.
Por për momentin nuk shihet e nevojshme që të gjitha shtetet e BE të hyjnë në borxh me obligacione për Coronan, pasi mjete për ta ndihmuar Italinë dhe Spanjën po jepen. Paratë nuk falen, jepen si kredi, por ato jepen pa kushte për ristrukturim ekonomik të vendeve marrëse, si p.sh. të Italisë e Spanjës. Deri tani kusht që ESM të ofronte kredi të favorshme afatgjata ka qenë detyrimi për reforma strukturore nga shteti marrës.
Më tej është fakt që tani nuk ka të dhëna të sakta për humbjet ekonomike të shteteve nga kriza e Coronas. Që disa shtete mund të duan të shfrytëzojnë shokun e Coronas për kërkesën e vjetër për borxhe të përbashkëta me eurobonde, kjo nuk përjashtohet. Prandaj u la që të diskutohet me me qetësi në vjeshtë, nëse vërtet nuk bëhet dot pa Corona-Bonde.
Nuk duhet harruar se marrëveshja e Lisbonës e BE e ndalon hyrjen në borxh të një shteti, për hir të një shteti tjetër.
Një pikë për të mos u nënvleftësuar: marrja e borxheve ka kosto për çdo vend. Ajo do të thotë për çdo shtet rëndesa vjetore, në përputhje me prodhimin ekonomik. Gjermanisë do t’i duhej të paguante çdo vit 12 miliardë euro shtesë për borxhet e reja. Pasi barra mund të ishte deri 0,36 përqind e prodhimit ekonomik. Holandës do t’i duhej të paguante deri 1,4 miliardë euro në vit shtesë, për borxhet e reja.
Këto i ka llogaritur Banka Amerikane e Investimeve Jefferies, të cilën e citon Handelsblatt.
Një veçanti është se në Gjermani Eurobondet (apo Corona-bondet në këtë rast) duhet t’i aprovonte Bundestagu, me dy të tretat e votave. Kjo është kërkesë e Gjykatës Kushtetuese Gjermane.
Gjithçka është proces sa financiar, sa parimor, aq edhe psikologjik në shtetet anëtare të BE.
Sinjale për braktisje të vijave të kuqe në Gjermani
Kriza e përbotshme e gjen Gjermaninë në gjendje të mirë. Brenda vendit: arkat publike janë plot. Megjithatë kalim të vijave të kuqe ka edhe në Gjermani. P.sh. në marrjen e borxheve të reja: borxhi i shtetit u thellua, pa diskutime, me 150 miliardë euro. Deri tani prej gati një dekade në fuqi ishte doktrina: sa të ardhura, aq edhe borxhe – për të cilën iniciatori kryesor ishte ish-ministri i Financave, Wolfgang Schäuble.
Në politikën e jashtme: edhe në Gjermani vritet mendja si të mbështetet më mirë Italia dhe Spanja. Borxhi i Italisë aktualisht është 130 përqind e prodhimit ekonomik. Po arriti 160 përqind mbas kësaj krize, Italia ndodhet aty ku ishte Greqia. Dhe një kolaps i Italisë do të kishte pasoja më të rënda për bashkësinë, se ai që kërcënoi Greqinë.
Për herë të parë edhe në Gjermani ngrihen zëra që kërkojnë lejimin e eurobondeve, të Corona-Bondeve si masë e përkohshme. Përfaqësues të industrisë automobilistike i kërkuan këto ditë në një bisedë kancelares Merkel ndihma të gjithanshme për Italinë e Spanjën. 800 furnizues për 20.000 pjesë këmbimi për automjetet kanë gjermanët në këto dy vende. Përfaqësuesit e industrisë automobilistike thonë se nuk ka asnjë vlerë rihapja e fabrikave të automjeteve në Gjermani, po nuk eci e sinkronizuar puna me furnizuesit. Ekonomitë janë të ndërthurrura në BE.
Edhe nga radhët e CDU-së, politikani i njohur Roderich Kieseweter kujtoi që BE ka marrë eurobonde në vitin 1974, në krizën e naftës. Dhe këtë mund ta përsëritë. Shtatë ekonomistë të njohur gjermanë kërkuan gjithashtu së fundi eurobonde.
Po kjo temë mbetet e vështirë t’u përcillet për momentin taksapaguesve. Prandaj u la të diskutohet në një kohë më të qetë./DW/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu