“Jeta ime me dy krena, si shqiponja”, artisti i famshëm franko-shqiptar bën rrëfimin e jetës, nga mërgimi në Francë, te ngjitja në skenat botërore

0
Gjigandi

Kryeministri Edi Rama ka pasur të ftuar në podkastin e tij “Flasim” artistin franko-shqiptar me famë ndërkombëtare, Angjelin Preljocaj. Gjatë intervistës, balerini dhe koreografi i njohur foli për jetën e tij nga mërgimi në Francë, tek ngjitja në skenat botërore.

Ai deklaroi se mërgimi i ka dhënë mundësinë që të jetë si me dy krena “pak si shqiponja shqiptare”.

“Por do t’i kthehem çështjes sime personale, kjo më ka dhënë mundësinë të jem pak si me dy krena, pak si shqiponja shqiptare. Një kokë që vjen nga babai, nga Vermoshi, etj, dhe koka tjetër që vjen nga Franca, që më ka pritur, që ka pritur prindërit e mi më saktë, dhe që më ka bërë ky që jam sot, domethënë njeri i pasionuar pas artit, pas baletit dhe është diçka që më ka ndërtuar dhe më bën të mundur sot të ekzistoj ndryshe, falë mërgimit”, tha Angjelin Preljocaj.

Intervista e plotë:

Rama: Në episodin e tretë, të sezonit të dytë, të podkastit FLASIM kam një të ftuar shumë të veçantë, i cili flet një shqipe të vjetër dhe një frëngjishte të re. Angjelin Preljocaj mirëmbrëma!

RonaTyra

Angjelin Preljocaj: Faleminderit!

Rama: Është kënaqësi e madhe. Do të bëj të gjitha përpjekjet për të folur ne gjuhen frënge, e cila më është shkatërruar nga të mosfolurit prej kohësh. Apo mos ti do të flasësh shqip?

Angjelin Preljocaj: Unë do të flas frëngjisht, dhe kur më vjen fjala, kam me folur shqip.

Rama: Kështu. Sikurse e dëgjoni nga theksi, Angjelini vjen nga Franca, por me rrënjët nga Vermoshi. Kjo është, rrënjët e tua, janë në Vermosh?

Angjelin Preljocaj: Po.

Rama: Dhe më kujtohet gjithmonë, sa herë flas për ty, sa herë që flitet për ty, apo sa herë dëgjoj emrin tënd në një bisedë, më kujtohet diçka shumë e bukur që ke thënë në një intervistë herën e parë kur erdhe në Shqipëri, po tregoje për jetën tënde. Ke thënë që ndoshta kam marrë rrugën e kërcimit në barkun e nënës, kur prindërit e mi u arratisën nëpër male. Nëpër rrugët e thepisura, duke lëvizur në barkun e nënës sime, më fort se zakonisht, fillova të vallëzoja.

Angjelin Preljocaj: Ëhë, është e vërtetë. Është gjithashtu ideja se rruga e mërgimit është një rrugë pothuaj artistike, gjë që na jep mundësinë të reflektojme se ç’është mërgimi, çfarë është emigracioni, të gjithë këto çështje që përshkojnë epokën tonë dhe në mënyrë të tmerrshme në këtë moment. Por do t’i kthehem çështjes sime personale, kjo më ka dhënë mundësinë të jem pak si me dy krena, pak si shqiponja shqiptare. Një kokë që vjen nga babai, nga Vermoshi, etj, dhe koka tjetër që vjen nga Franca, që më ka pritur, që ka pritur prindërit e mi më saktë, dhe që më ka bërë ky që jam sot, domethënë njeri i pasionuar pas artit, pas baletit dhe është diçka që më ka ndërtuar dhe më bën të mundur sot të ekzistoj ndryshe, falë mërgimit. Pra po i kthehem serish mërgimit.

Rama: Para mbërritjes në Francë, është ndalesa në Ulqin, ku u vendosën prindërit e tu, pasi u arratisën nga Vermoshi në një kamp refugjatësh.

Angjelin Preljocaj: Në Gerrovo.

Rama: Pra ti linde dy javë pas mbërritjes në Francë?

Angjelin Preljocaj: Po

Rama: Pra, nuk doje të “dilje” pa qenë i sigurt se do të vije në jetë në Francë.

Angjelin Preljocaj: Me sa duket po.

Rama: Nëse nuk gaboj përsëri ti ke katër motra?

Angjelin Preljocaj: E saktë.

Rama: Pra, je djalë i vetëm?

Angjelin Preljocaj: Për të qenë më i saktë, prindërit e mi kanë lindur një fëmijë tjetër, para meje, e lindën këtu, por vdiq shumë shpejt.

Rama: Një djalë?

Angjelin Preljocaj: Po, një djalë.

Rama: Ti je djalë i vetëm me katër motra, rritur sipas traditës shqiptare, djali i vetëm që do të trashëgojë emrin gjithë përgjegjësitë edhe pushkën po të jetë e nevojshme. Si ishte fëmijëria mes kësaj familjeje me traditë shqiptare dhe mjedisit përtej derës?

Angjelin Preljocaj: Ishte vërtetë si të kaloje nga një univers në tjetrin, siç thuhet, nga një dimension në tjetrin, si shumë universe në fakt, ishte universi brenda shtëpisë me gjëra të lidhura tradicionalisht me Shqipërinë dhe pastaj zbulimi në shkollë i një bote tjetër, ishte Franca, gjithçka që njohim për Francën, kultura e saj, iluministët, gjithë ajo që shkolla republikane u jep fëmijëve që të kenë vështrim të ndryshëm për botën. Pra këto dy vështrime të ndryshme të botës, u ndërthurën. Dhe përsëri kjo historia me dy koka, dy kultura që takohen, që ushqehen nga njëra-tjetra, që sjellin një të veçantë, që sjellin një hibridizim, të koncepteve të shijeve estetike dhe është kjo që të tërheq.

Rama: Gjatë fëmijërisë dhe rinisë tënde Shqipëria ishte e pranishme në shtëpinë tuaj, por jo në jetën tuaj. Sepse ishte një vend i mbyllur dhe i ndaluar. Si e ke përjetuar këtë? Ishte dëshira apo kurioziteti për ta njohur këtë vend apo ishte si diçka që nuk bënte pjesë në imagjinatën e një fëmije?

Angjelin Preljocaj: Po, nga njëra anë ishte ajo që kisha në shtëpi. Por ishin edhe njerëzit që arratiseshin nga Shqipëria herë pas here dhe vinin takonin prindërit e mi. Qëndronin te ne një javë, dy javë. Shikoja njerëz që më dukeshin pak të çuditshëm, duke pritur për më mirë dhe ishte e çuditshme sepse kur ju tregoja shokëve të mi ata nuk kuptonin. Më thoshin “Ashtu? Vijnë njerëz nga larg, nga lindja, në shtëpinë tuaj?” dhe ishte misterioze, ishte bërë si punë miti familjar që rritej. Por kisha fatin që mamaja ime e kishte familjen në Ulqin dhe Ulqini është një zonë mjaft shqipfolëse, janë njerëz me tradita dhe kulturë shqiptare. Kështu që çdo verë, ne shkonim me pushime me familjen atje, sa herë kishim mundësi më saktë, dhe unë aty zbuloja një mjedis më të hapur se familja ime, rrethi zgjerohej dhe kështu… Ky udhëtim ishte vërtet shumë interesant.

Rama: Në shkrimet për ty, thuhet që ajo shkreptima e parë për të hapur derën e botës së kërcimit, ishte kur pe Nurejevin në kopertinën e një reviste. Është e vërtetë apo legjendë?

Angjelin Preljocaj: Jo, e vërtetë është. Por është edhe shumë paradoksale, sepse kërcimi është lëvizje dhe ajo që provokoi pasionin tim për kërcimin ishte një fotografi, ishte një klishe, pra diçka e palëvizshme, e ngurtë. Pra është diçka paradoksale. Në atë pamje ishte Rudolf Nurejevi i varur në një kërcim, dhe është e çuditshme, sepse të rrish varur ashtu është si të fluturosh në fakt. Dhe për fat të mirë ishte foto, sepse përndryshe do të kishte rënë. Por kjo më ngjalli dëshirën për baletin sepse kishte një dritë të tillë, një bukuri të tillë te ky njeri që po ushtronte pasionin e tij, baletin, saqë pata dëshirën të zbuloja se çfarë kishte prapa këtij imazhi. Dhe ia ktheva revistën vajzës që ma dha dhe e pyeta se ku bënte kurs kërcimi, dhe ajo më ftoi të shkoja në kursin e saj.

Rama: Dhe nëse ndjek si duhet itinerarin e legjendës, ti shkove në orën e baletit me kostumin e xhudos.

Angjelin Preljocaj: Është e vërtetë që bëja xhudo, kur shkova herën e parë nuk kisha geta baleti. Kështu që vesha pantallonat e xhudos dhe një bluzë të bardhë, dhe ja kështu e bëra mësimin e parë të baletit. Dhe ishte si zbulim sepse më pëlqente shumë muzika, por nga ana tjetër isha dhe shumë fizik, bëja xhudo, më pëlqente kontakti me partnerin, edhe pse ishte sport luftimi, xhudo mund të jetë edhe shumë i hijshëm. Pra këto dy gjërat lëvizja dhe muzika, bashkoheshin për herë të parë për mua, dhe ishte diçka që nuk e kisha provuar më parë. Pra ishte diçka e çuditshme…

Rama: Diçka që ju intereson të gjithë atyre që ndjekin këto reagime, është reagimi i babait tënd. Ti fole për reagimin e mamasë tënde që nuk ishte…

Angjelin Preljocaj: …Nuk ishte shumë dakord, nuk ishte dakord.

Rama: Nuk ishte dakord, por nuk ishte agresive. Por nuk ke thënë gjë për reagimin e babait tënd, ai ka një djalë që adhuron, djali i fortë që merret me xhudo, si luftëtar shqiptar dhe një ditë hyn në shtëpi dhe do të bëhet “balerino”. Është mjaft tronditëse në fakt.

Angjelin Preljocaj: Vërtet, është shumë tronditëse. Është pak për të qeshur sepse unë përmend gjithmonë sociologun Pierre Bourdieu, i cili thotë që sociologjia është sport luftimi, kurse unë them që baleti është art luftimi. Kështu që unë kam mbrojtur gjithmonë idenë që dua të vallëzoj, duhet të vallëzoj, e mbroja këtë ide para babait tim, para mamasë, mamaja ishte pak si e pavendosur, siç e the dhe ti, por ajo punonte në uzinë. Dhe pyeti atje: djali im do të bëhet kërcimtar, çfarë mendoni? Si ju duket? Dhe atje dëgjoi gjëra vërtet të tmerrshme çka bëri që edhe ajo të ishte kundër. Pra rrëshqiti edhe ajo në kampin e babait. Por ishin edhe djemtë dhe vajzat e lagjes periferike ku jetoja, sepse prindërit e mi ishin të varfër, nuk jetonim në lagje rezidenciale, por në periferinë e varfër. Dhe atje sigurisht hip-popi nuk ekzistonte, ky kërcimi urban, që është më mashkullor, më i afirmuar, që është edhe moda , epoka e hip-popit. Dhe për djemtë dhe vajzat e lagjes sime, vallëzimi do të thoshte ky djali vesh geta dhe bën ca gjëra të çuditshme. Dhe ata talleshin mua. Kështu që mu desh të luftoja dhe të afirmohesha. Mendoj se mjedisi kundërshtar ndonjëherë ta përforcon akoma më shumë dëshirën. Mendoj se sikur të ishin dakord të gjithë, ndoshta do të isha marrë me gjë tjetër, ndoshta pikturë, muzikë, nuk e di. Por kundërshtimin ndaj baletit dhe ndaj meje, e shndërrova në luftë, dhe kjo shprehu një formë vullneti, mprehu një formë rezistence.

Rama: Kjo bën pjesë ndër arsyet, kjo bën pjesë në energjinë që të shtyu të shkosh përtej kërcimtarit që është pjesë e një trupe dhe është nën drejtimin e një drejtuesi, një regjisori, për t’u bërë ti vetë krijues baleti dhe gjeneral për këtë ushtri lufte, ndoshta…

Angjelin Preljocaj: Po, ndoshta. Pastaj, është e vërtetë që kur vallëzon për një koreograf, mbron një vizion të botës, një opsion artistik, koncepte. Duke pasur parasysh të gjitha sa thamë, unë kisha përshtypjen e një alteriteti të krijuar brenda meje me këto universe të ndryshme, familja, vendi im i origjinës, Franca me gjithë atë që ajo ka interesante dhe pasionante përmes artistëve që e kanë përshkuar. Pra kisha ndjesinë se mund të bëja diçka me gjithë këtë hibridizim, me këtë përzierje që kisha brenda vetes. Pra mendova të bëja një projekt të parë për të parë nëse kisha diçka për të thënë, isha mjaft në ankth, edhe ti vetë e njeh këtë, kur ke bërë pikturat e para, ekspozitat e para. Te mua kjo shtroi çështjen e legjitimitetit. Pyesja veten: a jam legjitim për të tërhequr vëmendjen e të tjerëve, të njerëzve, të publikut duke ju thënë: ejani e uluni, shikoni se kush jam dhe çfarë kam për t’ju treguar, kjo është diçka e tmerrshme sepse duket sikur të është rritur pak mendja. Atyre që ju rritet mendja kujtojnë se diçka që e mendojnë ata, ju intereson edhe të tjerëve doemos. Mendoj se kjo ndodh me të gjitha artet.

Rama: Sigurisht, të vjen të thuash: unë po krijoj botën time po a i intereson botës, bota ime?

Angjelin Preljocaj: Po pikërisht

Rama: Pastaj filloi një jetë mes teatrove më të mëdha të botës dhe këtij bagazhi të përbërë nga mërgimi, periferia… Nuk kam pasur rastin të ta them, por kur kam parë për herë të parë shfaqjen tënde në Paris, deri atëherë nuk e kisha dëgjuar emrin tënd, isha në metro shikoja posterat e mëdhenj dhe thosha me vete ky emër : Angjelin Preljocaj, duket sikur ka të bëjë me mua, me vendin tim. Pastaj fillova të interesohesha, të flisja me njerëzit. Dhe kur pashë shfaqjen e parë, besoj se ishte në Chatelet, mu duk se kishte diçka shumë shqiptare në thelb, jo në skript, por në thelb, diçka shumë ndryshe nga ajo që shohim te koreografët e tjerë të mëdhenj. Besoj se kishte diçka mjaft autentike, diçka që nuk dukej, që mua më shkaktoi këtë jehonë të brendshme, nuk e di nëse është e saktë si përjetim, apo ideja që unë e dija historinë tënde, e dija që ishe shqiptar më bënte të mendoja këtë. Por a beson edhe ti se ka diçka që vjen nga shumë thellë në spektaklet e tua?

Angjelin Preljocaj: Besoj se ka diçka që nuk e rrokim dot dhe aq më mirë. Ti si artist, e di shumë mirë këtë Edi. Sepse nëse nuk ka diçka që na ikën, do të thotë se jemi në gjëra shumë …

Rama: Të qarta…

Angjelin Preljocaj: Të qarta, në ato që quhen “ide të rëndomta” në kuptimin diçka që është e zakonshme për të gjithë. Kështu që nëse e lëmë ta na ikë diçka, shpëtojmë dhe ne nga këto “idetë e rëndomta”. Mendoj se për një artist është e rëndësishme të lërë t’i shpëtojë diçka, diçka që është e pandërgjegjshme, që është thellë brenda nesh, por jo e arsyetuar…..Mendoj se arti është përzierje mes instinktit dhe inteligjencës.. Sepse priren të mendojnë gjithmonë që një artist nuk është patjetër i lidhur me inteligjencën, ose që është vetëm instinktiv, por besoj se janë të dyja . Por duhet të kesh një të kuptuar të botës, në botën ku jemi, bota e artit, e pikturës, e baletit, e muzikës, ka edhe një si kuriozitet, ku do të vendosem unë në raport me këtë botë edhe me epokën ku ndodhem, ku do të pozicionohem unë si individ, me gjithë atë që më karakterizon, në raport me thelbin tim, më këtë gjë që ikën nga unë, që ikën gjithmonë edhe kur nuk dua të ikë. Mendoj se çështja e vërtetë është kjo, përzierja mes një forme inteligjence dhe instinktit që mund të jetë i brendshëm dhe lidhet me këtë të pandërgjegjshme.

Rama: Dhe këtë kombinim të inteligjencës me instinktin e brendshëm, ti e ke shprehur ne një moment, e mbaj mend mirë sepse kam qenë në Francë, në një moment kur more një vendim që shkaktoi shumë zhurmë në të gjithë Francën, pate edhe një përplasje me Marine Le Pen, e cila të tha të ktheheshe andej nga vije.

Angjelin Preljocaj: Në Tiranë…

Rama: Sepse sipas saj nuk i përkisje atij vendi sepse kishe marrë vendimin për t’u larguar nga Teatri i Toulon-it pas fitores së partisë Fronti Kombëtar dhe përgjigja jote kishte diçka shumë mbresëlënëse, pikërisht me atë dellin e Vermoshit, ke thënë : “Unë mund të kthehem dhe t’ia filloj nga zero, por nuk do jap kurrë shfaqje në një vend ku njerëzit votojnë për partinë tuaj.”

Angjelin Preljocaj: Po, dua të saktësoj diçka që kjo nuk ishte një kapriço, apo një ide e krisur. Ishte diçka mjaft realiste si vendim. Në atë kohë isha në Qendrën Koreografike Kombëtare të Toulon-it, dhe kur flasim për qendra të tilla, në bordin drejtues ka disa përfaqësues, është shteti, sepse është qendër kombëtare, pastaj edhe Rajoni dhe Bashkia. Një përfaqësues i Bashkisë, pra i Frontit Kombëtar, do të vinte në zyrën time për të më thënë këtë duhet ta bësh, këtë jo. Ishte diçka që nuk mund ta duroja.

Rama: Të të ndërhynte në koreografi…

Angjelin Preljocaj: Pikërisht të më thoshte këtë duhet ta bësh, këtë jo, ishte diçka që nuk mund ta duroja. Unë mund të flas me demokratë, me njerëz të së djathtës, të së majtës, madje edhe të ekstremit të majtë, por me Frontin Kombëtar, nuk mundesha. Kështu që vendosa të lija gjithçka dhe të largohesha.

Rama: Erdhën vitet ‘90, kur Shqipëria nuk ishte më e mbyllur. Kur ishte ai momenti që the: “Ky vend nuk është më i mbyllur, po hapet, ndoshta duhet të shkoj të shoh ku kanë lindur prindërit e mi, ku më kanë ngjizur mua?”

Angjelin Preljocaj: Po, kështu ndodhi, kur u hap vendi më lindi dëshira. Pastaj u shoqërua edhe me një ftesë për të ardhur dhe unë u përgjigja menjëherë pozitivisht, sigurisht. Ishte një moment tepër i fortë, tepër mbresëlënës, sepse u thashë prindërve që kisha marrë një ftesë nga Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit i Tiranës, do të jepja shfaqje atje, dhe doja që të vinin dhe ata. Ata pranuan, erdhën, pata rastin t’i çoja edhe në Vermosh, dhe ishte një moment shumë i fortë sepse pata përshtypjen se bëra rrugën në drejtimin tjetër.

Rama: Shtëpia ishte akoma atje?

Angjelin Preljocaj: Nuk e di nëse shtëpia ishte akoma atje, por ne kishim shumë të afërm në Vermosh, kisha xhaxhain, kisha kushërinj dhe shkonim i vizitonim.

Rama: Të afërm që takoheshin për herë të parë me ju pas shumë vitesh?

Angjelin Preljocaj: Pikërisht, dhe unë takova njerëz që i shihja për herë të parë, por më dukej sikur i rinjihja, ishte shumë e çuditshme, sepse fjala rinjoh do të thotë që njoh përsëri dikë që e kam njohur më parë, por nuk i kisha parë më parë, por si mund t’i njihja përsëri kur nuk i kisha parë kurrë më parë? Në fakt ndieja të gjitha ato lidhje, atome, gjithë ato kromozome që kishim të përbashkëta, këtë ndieja. Kur takoja dikë, ishte vërtet tronditëse.

Rama: Dhe pastaj pati vizita të tjera pas kësaj vizite të parë?

Angjelin Preljocaj: Po, në disa aspekte. Së pari ishte bashkëpunimi që më propozoi TKOB i Tiranës për të përfshirë në programin e tij disa pjesë të miat. Dhe unë pothuaj çdo vit kam dhënë shfaqjet e mia për TKOB, pa pagesë, si mënyrën time për t’i kthyer këtij vendi gjithçka që më ka dhënë dhe për të rivendosur lidhjen që kam thellë brenda meje me Shqipërinë.

Rama: Kam ndjesinë se u ke thënë gjithmonë “po” ftesave nga Shqipëria, sapo të është dhënë mundësia, ke thënë po do të vij. Tani që kjo lidhje është vendosur, çfarë të tërheq për të ardhur këtu? Çfarë të pëlqen nga Shqipëria që i thua vetes, po shkoj atje sepse më pëlqen kjo, më pëlqen ajo…?

Angjelin Preljocaj: Sepse është pak si shtëpia ime. Është si zgjatim i ndjesisë familjare. Është shtëpia ime në kuptimin që ishte dikur shtëpia në periferinë franceze, ku ishte shtëpia ime, por nuk ishte Franca, ishte si vazhdim i shtëpisë tonë në Shqipëri, pra është një shtrirje e tillë, dhe tani ndjesia është që vendi ndodhet brenda meje, dhe sa herë që kthehem është si të kthehem në shtëpi, si të kthehem në fëmijëri, sikur kthehem në familjen time, që është populli shqiptar.

Rama: Po të flasim për familjen tënde gruaja dhe vajzat, e kanë këtë lidhje të fortë me Shqipërinë, apo është më e qetë?

Angjelin Preljocaj: Në radhë të parë, është hibridizimi sepse gruaja ime është franceze, ato janë pak si kam qenë unë, por ato kanë atë ndjenjën e thellë për Shqipërinë, është shumë e këndshme që po transmetohet diçka. Gjuhën nuk mund ta transmetoj, sepse nuk e di mirë, por transmetohet ndjenja, dëshira, që e kam pasur gjithmonë, ndjesinë e përkatësisë, unë thosha gjithmonë, që kur isha i vogël, kur fillova kërcimin, jam shqiptar, prindërit e mi janë shqiptarë, këtë e kam pohuar gjithmonë me zë të lartë, nuk e kam fshehur kurrë, dhe këtë ua kam transmetuar edhe vajzave …

Rama: Pra, edhe ato kanë ardhur këtu?

Angjelin Preljocaj: Po.

Rama: Dhe ju pëlqeu?

Angjelin Preljocaj: E adhuruan sepse është edhe një si mitologji që u bashkua me atë që njihnin më parë, që u kisha thënë, vizituan muzetë, etj. ishte gjë e bukur t’i shihja që po zbulonin këtë, atë që më ndërton mua së brendshmi.

Rama: Ti aktualisht po ndihmon për krijimin e pjesëve për një event të rëndësishëm që do të mbahet çdo vit, për kërcimin.

Angjelin Preljocaj: Po, po punojmë me Tim Njuman dhe Ajola Xoxa për krijimin e këtij festivali të dancit bashkëkohor në Tiranë. Mendoj se është diçka që di ta bëj dhe mund t’ia dhuroj Shqipërisë, pa asnjë lloj interesi nga ana ime, por ku unë marrë pjesë me gjithë qejf. Dhe do të donim ta bënim çdo vit, të ftojmë kompani të mëdha ndërkombëtare, që shqiptarët ta njohin dancin, por edhe artistët e huaj ta njohin Shqipërinë sepse mendoj se është një vend që meriton të njihet. Është një mënyrë për t’u njohur me njëri-tjetrin ndoshta.

Rama: Do ta përfundoj me kënaqësi dhe një ftesë. Në fund të nëntorit do të organizojmë një ngjarje të madhe, si sintezë e festivalit folklorik, ai që organizohet një herë në katër apo pesë vjet, do të jetë një ditë në Tiranë, do të ketë valltarë popullorë nga të gjitha trevat, kështu që të ftoj ta ndjekim nëse je i lirë, aty do të shohim të gjitha lëvizjet shqiptare, ekspozitë me të gjitha ngjyrat, të gjitha tendencat e kërcimit popullor. Kështu që ti mund të marrësh pak më tepër për muzeun tënd të kujtimeve.

Angjelin Preljocaj: Muzeun tim të brendshëm

Rama: Dhe të fantazmave nga Shqipëria.

Angjelin Preljocaj: Faleminderit shumë Edi, duhet thjesht të verifikoj datat nëse jam i lirë, por do të jetë kënaqësi shumë e madhe.

Rama: Dhe në fund fare, fare, nuk dëshiron të thuash diçka në shqip?

Angjelin Preljocaj: (flet shqip)

Rama: Më këtë theks dhe mënyrë të foluri të shqipes, sikur të dëgjonim vetëm zërin, do të dukeshe si një plak 150 vjeçar. Por kur flet frëngjisht dukesh si djalë i ri që ka shumë gjëra për të bërë, por mbi të gjitha të kërcejë çdo ditë sepse e kam mësuar nga ti këtë, Niçe thoshte që “një ditë pa kërcyer, është ditë e çuar dëm”.

Ky ishte Angjelin Preljocaj, ylli i baletit bashkëkohor, një ndër koreografët më të famshëm, por edhe një ndër shqiptarët më interesant. Faleminderit!

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu