Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka refuzuar thirrjet për një hetim ndërkombëtar lidhur me parregullsitë e supozuara në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe lokale, që nxitën protesta të organizuara nga opozita, e cila po kërkon anulimin e zgjedhjeve.
Demonstruesit po protestojnë në rrugët e Beogradit dhe qyteteve të tjera në Serbi që nga zgjedhjet e 17 dhjetorit, të cilat sipas rezultateve preliminare i ka fituar Partia Progresive Serbe (SNS) e Vuçiqit.
Koalicioni opozitar “Serbia kundër dhunës”, që doli e dyta në zgjedhjet parlamentare, e ka akuzuar SNS-në për mashtrime të gjera zgjedhore, akuza që autoritetet i mohojnë.
Një mision ndërkombëtar që monitoroi zgjedhjet, tha pas votimeve se SNS-ja kishte përfituar avantazh të padrejtë përmes mediave të njëanshme, përmes ndikimit të Vuçiqit dhe po ashtu kishin vërejtur parregullsi në votime sikurse blerja e votave.
Autoritetet serbe kanë mohuar të gjitha këto akuza.
Duke refuzuar çdo hetim të jashtëm, Vuçiq tha më 2 janar se zgjedhjet në Serbi “janë çështje e institucioneve shtetërore [serbe]”.
Vuçiq sugjeroi se koalicioni “Serbia kundër dhunës”, që ka udhëhequr protestat, kundërshton rezultatin zgjedhor, veçmas zgjedhjet lokale në Beograd, sepse sipas tij, kjo parti nuk doli aq mirë në zgjedhje ashtu siç priste.
Në zgjedhjet parlamentare, koalicioni “Serbia kundër dhunës” ka dalë në vendin e dytë me 23.56 për qind të votave, pasuar nga Partia Socialiste e Serbisë me 6.56 për qind.
Sërish protestë në Beograd, kërkohet anulimi i zgjedhjeve
Rezultatet përfundimtare pritet të publikohen gjatë këtij muaji. Mijëra persona protestuan në Beograd më 30 dhjetor të vitit 2023, në atë që u cilësua si protesta më e madhe deri më tani lidhur me zgjedhjet, përderisa protestuesit brohoritën “Hajna”.
Ajo protestë ishte organizuar nga iniciativa e pavarur qytetare, ProGlas, që para zgjedhjeve bëri fushatë për dalje më të lartë në votime.
Më 17 dhjetor, Serbia mbajti zgjedhje parlamentare, lokale dhe krahinore. Opozita ka bërë thirrje për një hetim ndërkombëtar, pasi përfaqësuesit e disa organizatave të huaja që kanë monitoruar procesin raportuar për parregullsi, përfshirë mbushjen e kutive dhe blerjen e votave.
Monitoruesit lokalë të zgjedhjeve po ashtu kanë thënë se votues nga e mbarë Serbia dhe nga shtetet fqinje ishin regjistruar në Beograd për të votuar në zgjedhjet lokale.
a.c./dita