Ja cila është dita më e rëndësishme e jetës suaj

0
Gjigandi

Cila është dita më e rëndësishme e jetës suaj? Përgjigja për këtë pyetje është shumë e thjeshtë: dita e sotme. E kaluara nuk mund të ndryshohet, dhe e ardhmja nuk ka ndodhur ende. Ju nuk mund të bëni asgjë për gjërat që kanë ndodhur tashmë, dhe përpjekja për të jetuar në të ardhmen do ta largojë fokusin tuaj nga e tashmja.

Prandaj për cilindo strategjia optimale është të përfitojmë sa më shumë nga momenti që kemi përballë. Po sikur sot të jetë vetëm një ditë tjetër e zakonshme? Po sikur ta ta kalojmë thjesht të ulur nëpër takime, apo të udhëtojmë më makinë? Po sikur të kemi një grindje të tmerrshme me dikë afër nesh, të humbnim punën apo një anëtar të familjes?

A është ende e sotmja dita më e rëndësishme? Përgjigja vazhdon të mbetet sërish po! Të bëjmë më të mirën sot, mund t’i lehtësojmë gjërat për ne më vonë, ose të paktën të na ndihmojë të përballojmë çfarëdo situate në të cilën ndodhemi. Injorimi i sfidave të sotme, nuk do të funksionojë.

Pasi do të përballemi me të njëjtat sfida edhe nesër dhe pasnesër. Shumë vite më vonë, as mund të mos e mbani mend ditën e sotme apo atë që ndodhur.

E sotmja mund të ngatërrohet me këtë muaj, këtë javë ose këtë vit. Por dita e sotme mund të ndihmojë sërish për të vendosur ditët që do të mbani mend. Dita juaj e dasmës, ose dita e lindjes së fëmijës suaj të parë, apo një moment kyç në karrierë, janë krijuar që të gjitha nga ngjarje që ndodhin në ditë të tjera të cilat nuk mund t’i mbajmë mend.

Sikur të mos kishin ndodhur ngjarjet kryesore në ato ditë të tjera, mund të mos kishin ndodhur as kujtimet tona kryesore.

Unë kam një shprehje: Çdo ditë që zgjohem dhe shoh dritën që vjen nga dritarja është një bekim. Çdo mëngjes pyes veten se çfarë mund të bëj për ta bërë të paharrueshme ditën e sotme. Zakonisht përgjigja përfshin të bërit diçka të mirë për dikë tjetër.

A mund ta ndihmoj dikë tjetër të përfundojë punën e tij? A mund ta ndihmoj dikë tjetër që të ndihet më mirë, pasi mund të jetë mërzitur pasi ka dështuar diku? A mund të ofroj mbështetje për mikun, anëtarin e familjes apo kolegun që nuk mund të përdorë njërën dorë? A mund ta dëgjoj dikë që ka nevojë të flasë?

Në judaizëm, fjala “mitzvah” i referohet të bërit diçkaje të mirë për dikë çdo ditë. Në shkollën hebraike çdo të shtunë na pyesnin se çfarë kishim bërë për të ndihmuar njerëzit e tjerë javën që kishte kaluar. A ndihmuam një të moshuar të kalonte rrugën? A ngushëlluam dikë që ishte i trishtuar? A blemë ushqim për dikë që nuk kishte mundësi ta blinte vetë?

A inkurajuam dikë që kishte një ide premtuese, dhe a e lexuam atë që dikush kishte shkruar, a i bëmë dikujt një kompliment të sinqertë? A ia mbajtëm derën hapur dikujt që kishte duart plot, dhe a ia lamë vendin e parkimit dikujt që e kishte më me nxitim se ne?

Të gjitha këto gjëra, dhe shumë të tjera, përfaqësojnë “mitzvah”, pra të bërit e diçkaje për të ndihmuar dikë tjetër. Pra, edhe nëse dita e sotme nuk është aq domethënëse për ty, diçka që bëni për dikë tjetër mund të jetë shumë domethënëse për ta.

Më lejoni t’ju jap një shembull. Disa vite më parë, një kolege imja më pyeti nëse doja të isha bashkautor në një punim në një doktoraturë të studentit të saj. Unë nuk e njihja studentin – nuk e kisha takuar kurrë dhe as e kisha dëgjuar emrin e tij. Por u ofrova të lexoja punimin dhe t’i jepja sugjerime.

Në fund pata rastin ta takoja këtë të ri verën e kaluar, dhe ai kaloi gjysmë ore duke më treguar se sa shumë e kishin ndihmuar komentet e mia dhe sesa këshillues me vlerë isha për të. Dhe gjithçka sepse lexova dhe komentova një punim doktorature që ai e botoi, me mua si bashkautor.

Ky person nuk ishte një folës i lindur i gjuhës angleze, dhe koha që më kushtoi për të redaktuar punimin e tij, e kishte bërë atë një shkrues shumë më të sigurt në anglisht. Unë nuk e kisha idenë se kisha ndikuar kaq shumë, dhe nuk e kisha takuar asnjëherë para kësaj vere.

Morali i kësaj historie: ju nuk e dini asnjëherë se sa shumë do të ndikojë një vepër e mirë për dikë tjetër. Pra, kuptimi më i madh që sjell e sotmja mund të mos jetë për ju, por mund të jetë për dikë tjetër. Nëse e shpërfillni sot, dikush tjetër mund të mos korrë përfitimet që mund t’i kishit dhënë. Ndaj shfrytëzojeni sa më shumë të sotmen. Dhe mund të merreni me të nesërmen, javën apo vitin tjetër kur ato të mbërrijnë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu