INTERVISTA/ Fatos Rushiti: Me marrëveshjen për dokumentet Vuçiç pranoi Kosovën shtet. Edi Rama një luftë false me krimin dhe me drogën. Ai do ta bëj Shqipërinë një Turqi a një Brazil të vogël

0
Gjigandi

Ndërsa serbët ne veri të Kosovës po udhëtojnë me dokumente ku nënshkruhet Republika e Kosovës ajo që e ka shqetësuar presidentin serb Aleksandër Vuçiç ka qenë nxitimi për të sqaruar se kjo nuk është një njohje e shtetit kosovar. Por çfarë më shumë se kaq duhet për ta quajtur këtë një njohje kur çdo serb tani mban në dorë një dokument ku shkruhet qartë Republika e Kosovës? Megjithatë i njohur si një njeri që luan fort më kartën e nacionalizmit  Vuçiç  u kujdes për të qetësuar të vetët dhe me një synim të qartë të mbetet sërish njeriu më i rëndësishëm në Open Balkan.  Ndërsa aksioni i madh i ndërkombëtareve me të drejtë mund të quhet një përpjekje për të mbajtur nën kthetra presidentin Serb Aleksandër Vuçiç kur dihet se qëllimi kryesor është për ta mbajtur atë dhe Ballkanin larg ndikimit rus. Kush është roli i kryeministrit Rama në këtë situatë dhe a është ai i bindur për orientimin që Shqipëria do të ketë apo Rusia është thjesht një obsion sezervë?

Kemi një marrëveshje edhe pse të pashkruar ose më saktë një pranim nga ana e Serbisë të përdorimit të dokumenteve kosovare nga serbët në Veri të Kosovës: Çfarë do të thotë kjo marrëveshje?

-Përgjigja në këtë pyetje mendoj se duhet të ngërthej racioanalisht momentin apo rrethanorët politik evropianë tani kur Lufta e Rusisë me Ukrainën po vazhdon ndërsa BE dhe SHBA duan t’i mbyllet shtegu Rusisë për manovrime të reja në vendet tjera duke shfrytëzuar aleat tradicional të saj siç është Serbia në Ballkanin Perëndimor. Andaj kemi një diplomaci tepër aktive e këtyre aktorëve që Serbia dhe Kosova të ecin me hapa të shpejtë drejt një marrëveshje përfundimtare.  Kjo njëra anë, ndërsa ana tjetër ka të bëj me faktin se BE dhe SHBA duken ‘’të lumtur’’ se në Kosovë udhëheq me Qeverinë një politikan si Kurti i cili që nga pas lufta ishte ekstremisht kundër qasjes tolerante të po këtyre aktorëve ndaj Serbisë dhe vetë serbëve në Kosovë, duke marr tepër pushtet lokal përmes komunave të reja një etnike serbe me theks tek Komuna e Mitrovicës Veriore e cila, me Marrëveshjet e Brukselit mori kompetenca të veçanta në gjyqësi, polici dhe arsim. Të gjitha këto ishin kundërshtuar ashpër nga Kurti me bashkëpunëtorë. Jo rastësisht SHBA përmes Pablo Eskobar ishte hapur në anën e kryeminstrit Kurti kur deklaroi se Asociacioni i komunave serbe duhet të jetë sipas kushtetutës së Kosovës. Andaj, parë në këtë prizëm BE dhe SHBA duke shfrytëzuar edhe krizën e tanishme me luftën në Ukrainë, duan të mbajnë me brenda ‘’kthetrave’’ të tyre Vuçiçin nacionalist dhe nga ana tjetër duke ushtruar presion ndaj Kurtit si politikan nacionalist-majtist kërkojnë me ngulm të kenë suksese në mbylljen e çështjeve të hapura mes dy vendeve.

Kush sipas jush ka bërë lëshim dhe pse nuk nënkupton kjo njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë? Por në fakt a është kjo një njohje DE FACTO?

-Në fakt, marrëveshja për njohjen e dokumenteve klasikisht do të thotë edhe njohje defakto sepse në ato dokumente shkruan Republika e Kosovës, por Vuçiç që luan bukur me kartën e nacionalizmit,  duke dashur të mbetet një lojtar i rëndësishme Ballkanik, ( kjo u pa me mbështetjen që po i japin SHBA-të për Ballkanin e Hapur), dëshiron të vë një substrat të bollshëm politik për më tutje sigurisht për t’i bindur serbët  të pranojnë faktin se Kosova veç më është shkëputur nga Serbia, dhe ai po bën të pamundurën  të shpëtojë çfarë mund të shpëtohet me interes për serbët në Kosovë.  Këtu lëshimin e shoh shumë më tepër nga Serbia.

RonaTyra

Por BE thotë se çështja e targave është e vështirë për t´u zgjidhur. A kemi të bëjmë këtu me dy standarte, edhe shtet të ri kosovar edhe pamundësi për t’a bërë Serbinë të njoh targat?

-Bindja ime është se çështja  e njohjes së dokumenteve formalisht dhe juridikisht është shumë më tepër e rëndësishme se sa njohja e targave të automjeteve. Targat po shfrytëzohen nga të dyja palët, më shumë për të treguar dhëmbët dhe për të dramatizuar situatën që më pas të dalin të lodhur në triumf  cili normalisht se do të vijë shpejtë dhe do të interpretohet në mënyra të ndryshme para opinionit vendor serb dhe kosovar.

Dhe habia më e madhe se i dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak tha këtë javë se ka 2 muaj afat për marrëveshjen për targat kur në fakt dihet që kryeministri kosovar Kurti ka deklaruar se më 1 shtator nis zbatimi. Çfarë po luhet apo si po “luan” faktori ndërkombëtar në këtë “betejë”?

-Faktori ndërkombëtar, SHBA bashkë me vendet kryesore të BE-së, duket që nën tryezë kanë punuar më shumë me Kurtin sa i përket shtrimit të rrugës drejt një marrëveshje përfundimtare e cila jo domosdoshmërisht mund të përfshijë edhe njohjen de jure nga Serbia, sepse, nëse do ketë marrëveshje për të gjitha pikat e hapuara në krye me Asociacionin e Komunave serbe, atëherë  (mos)njohja de jure mund të mbetet kartë e djegur e Presidentit Vuçiç, deri në një kohë të mesme jo dhe aq e rëndësishme për Perëndimin. Me gjasë Kurti mund të stopojë përsëri reciprocitetin me arsyetimin se do t’i jep kohë dhe shanse vetes dhe palëve tjera për të pasur suksese në bisedime.

Në përgjithësi si e shihni sjelljen e BE-së përballë Ballkanit Perëndimor? A janë të sinqerta deklaratat për zgjerim apo Perëndimit tani nuk i duket e volitshme një konflikt tjetër dhe kërkon të afrojë Ballkanin për të mos ia lënë këtë ta bëj Rusia?

-Më e sinqerta me duket Gjermania, si një aleat tradicional i shqiptarëve në Ballkan. BE mendoj se tani po vetëkorrigjohet dhe po tenton të unifikojë faktorët brenda vetes në mënyrë që deri në vitin 2030-të të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të jenë pjesë e organizatës së tyre.

Ndërkohë Open Balkan vijon të bëjë hapa “false” nëse mund t’a themi kështu. Një Open Balkan që ka në përbërje vetëm tre shtete dhe ku njëri nga të cilët është kundërshtari më i madh i gjysmës së kombit shqiptar, Kosovës.

-Fatkeqësisht në hapësirat shqiptare ende veprojnë qarqet antikombëtare përmes mekanizmave të shërbimeve sekrete. Dhe, siç ka ndodhur edhe në të kaluarën kur shqiptarët janë drejt progresit, janë disa shqiptarë të tjerë që i ndërthurin ambiciet e sëmura për të qenë me çdo kusht në pushtet me interesa e vendeve fqinje, edhe atë armike si Serbia dhe Greqia.  E tëra është një trysni brenda një loje të sofistikuar që po tolerohet nga SHBA në interes të ‘’kapjes’’ së Vuçiçit që mos të ‘’rrëshqasë’’ edhe më shumë në prehrin e Putinit, pra të një qasjeje tepër të pasinqertë ndaj Kosovës kur po zhvillon negociata serioze me Serbinë. Takimi i fundit  në Beograd vë në pah dhe më shumë humbjen e busullës politike të një kryeministri të çoroditur si Edi Rama, i cili do të bëhet njëfarë Esat Pashë Toptani modern i shqiptarëve. E pa që i doli boja më dhe në takimin e fundit e zbuti fjalorin ndaj udheheqësisë politike të Kosovës. Më duhet të them se kur një politikan edhe udhëheqës si Vjosa Osmani, tmerrësisht shumë e përgatitur profesionalisht, mbanë qëndrim të ftohtë ndahu Kryeministrit të Shqipërisë, kjo është sinjal se udhëheqja e Shqipërisë nuk punon sipas asaj që e obligon kushtetuta, ruajtën e interesave kombëtare të shqiptarëve jashtë territorit shtetëror. Mos të flasim pastaj edhe për shqiptarët e Maqedonisë që fare nuk janë në fokus të interesimit të shtetit shqiptar.

Marrëveshja e fundit për të përballuar bashkë krizat energjetike Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Ndërkohë që dihet që Serbia vijon zbatimin e kontratave me Rusinë. Pra në mënyrë të tërthortë Rusia po ndihmon të ashtuquajturin Open Balkan për këtë krizë?

-Rusia është në anën e saj, natyrisht jo të duhur,  duke përfituar sa të mundet nga Serbia,  dhe me përkrahjen ndaj Ballkanit të Hapur ajo luan perfekt intrigantin, por që kjo nuk e ndihmon të ushtrojë ndikimin siç e ka pasur më herët ndaj politikës serbe pas luftës me Ukrainën. Jo vetëm marrëveshja për energjinë por edhe ajo për kinematografinë dhe kishe ndihma reciporke për eksportet, këto janë një hipokrizi e pastër politike ku më të prekurit janë shqiptarët e Kosovës dhe boshnjakët. Ekspertë e dine se këto marrëveshje bëhen fare normalisht mes shteteve, pra mes dy apo më shumë vendeve, dhe kjo po tentohet ti lihet Ballkanit të Hapur, po, por hapur vetëm për të dobësuar Kosovën. E them Kosovën sepse lajm do të ishte marrëveshja që po diskutohet dhe që është top prioritete i kryeministrit Kurti për të pagjeturit, edhe atë me gjetjen e eshtrave të Ukshin Hotit, e jo  energjia dhe kinematografia. Në vend se Shqipëria të jetë suport i fuqishëm për Kosovën në bisedimet me palën serbe, kryeminstri shqiptar tallet në Beograd, por realisht ai vetëm se shton nënqeshjet e miqve tanë gjermane dhe miqve tjerë europianë se si shqiptari nuk e do shqiptarin dhe ata çuditen me veten se si po na duan neve më shumë se sa udhëheqësit e tyre politike.

Ndërkohë ka një reagim të ashpër nga KE përsa i përket një nisme të Qeverisë Rama për pasaportën e artë për këdo që investon në Sqipëri. Sipas reagimit kjo favorizon krimin e organizuar dhe është në kundërshtim me rregullat e BE për vende që aderojnë të bëhen pjesë e Unionit: Si e shihni ju një veprim të tillë të Qeverisë Rama?

-Edi Rama e pa së fundmi se BE e lexoi falsitetin e luftës së tij me drogën dhe krimin e organizuar, po tenton t’i tregojë BE-së se ka opsione të tjera për Shqipërinë, të bëhet një Turqi a një Brazil i vogël duke qenë në aleancë të ngushtë me vendet tjera pra, por edhe duke e patur si rezervë edhe përkrahjen ruse. Ngjarjet e fundit me agjentë rus dhe të vrarë tjerë nga Rusia në Shqipëri nuk janë të rastësishme. Koketimi që në mënyrë  jo demokratike të bëj pjesë të sistemit paranë informale, ndoshta duke pasur si shembull Italinë, kjo nuk i mbush mendjen fare vendeve kryesore të BE-se se mund të ketë sukses. Nuk mendoj se do t’i shkojë deri në fund kësaj ideje, ose nëse i shkon ai veç më kalon në unision imazhiv ekstra personal, me bosët e krimit dhe drogës e të cilët duket që i ka partnerë nën tavolinë. Po ngjarjet e fundit me shkarkimin e drejtorit të policisë a nuk e thonë këtë.

Ana Bërnabiq sërish kryeministre e Serbisë? Çfarë do të thotë kjo për Serbinë apo Kosovën dhe nëse Vuçiç po e përdor për të qenë vetë në qendër të vëmendjes politike.

-Bërnabiq reflekton njeriun që përshtatet karshi më të fortit në këtë rast Vuçiçit. Ajo i duhet ende të jetë në krye të qeverisë kur po përpiqet të neutralizojë qendrat e vendosjes në shoqërinë serbe për të pasur suksese me Kosovën. Ndryshe Vuçiç gjatë kësaj rruge ka shumë mundësi që të zëvendësojë Ana Bërnabiqin me një person që mbron ose vjen nga njerëzit me ndikim patriotik në shoqërinë serbe ku Vuçiç veç edhe e paralajmëroi një gjë të tillë kur e propozoi Bërnabiqin për postin e kryeministrit.

Fatos Rushiti, analist politik, Shkup

*Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Priza.al sipas ligjit Nr. 35/2016 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi pa autorizimin e Priza.al në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016*

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu