Intervista/Edita Tahiri, Ish Zëvendëskryeministre dhe Kryenegociatore: Brukseli të therrasë urgjentisht palët në bisedime për të zgjidhur situatën në Veri. Plani Franko-Gjerman nuk duhet pranuar pa njohjen e Kosovës

0
Gjigandi

Çfarë po ndodh në Veri të Kosovës dhe nga do të vijë zgjidhja që duhet të jetë me patjetër largimi i barrikadave dhe ndoshta gjetja përfundimtare e një zgjidhje në mënyrë që të mos provokohen kriza të tilla?

A do tentoj Serbia t´i dërgoj trupat e saj në brendësi të territorit kosovar të banuar me shumicë serbe?

A do ishte ky veprim pashmangshmërisht një konflikt i armatosur dhe cili është roli i Rusisë në këtë krizë? Këto janë pyetje që mund të lindin natyrshëm këto ditë ku shumica madje edhe ata policë me uniformat e Kosovës që rinë në Veri, duhet të ishin duke festuar me familjet e tyre Krishtlindjet. Të flasësh për një konflikt të tillë (që duhet të ishte zgjidhur) në kohën kur në Ukrainë pasojat e një lufte absurde dhe që vijon të marë jetë njerëzish ka marë vëmendjen e gjithë botës duke harruar tema të tjera. Pra të flasësh për një konflikt të tillë si ai mes Kosovës dhe Serbisë nuk është luks por të mos e zgjidhësh atë është njësoj sikur të kesh pranuar që Presidenti Rus Vladimir Putin po ia del edhe të destabilizoj Ballkanin. Shumë mendojnë që BE duhet të gjej mekanizmat e duhur për ta detyruar Serbinë të zgjedhë ose me Perëndimin ose me Rusinë, por provokime si ajo e dërgimit të trupave serbe në Kosovë ndoshta këtë synim ka, të heq vëmendjen nga një konflikt më i rëndë si ai në Ukrainë dhe ta përqendroj atë te një tjetër. Dhe i gjithë ky konflikt zhvillohet në një kohë kur vëmendja duhet të ishte te pranimi ose rinegociimi i propozimit Franko-Gjerman për zgjidhjen e konfliktit Kosovë-Serbi.

Për të gjitha këto pikëpyetje unë kam biseduar këtë javë me Dr. Edita Tahiri, Ish Zëvendëskryeministre dhe Kryenegociatore në bisedimet Kosovë-Serbi

Nga Klara Dervishi

RonaTyra

Prishtinë, 22 dhjetor 2022

  1. Barrikadat vijojnë të jenë në Veri prej më shumë se 10 ditësh. Çfarë po ndodh në të vërtetë në këtë pjesë të Kosovës dhe sa e rrezikon kjo stabilitetin?

Gjendja në Veri të Kosovës është mjaft e rrezikshme madje këto ditë Serbia po kërcënon me konflikt të armatosur dhe po keqpërdor pakicën serbe për skenarë të rrezikshme. Në fakt, Serbia në vazhdimësi ka qenë në kërkim të  preteksteve për të destabilizuar pjesën veriore të Kosovës, me qëllime për ndarjen e veriut sidomos për potenciale gjeopolitike te veriut si një tokë e pasur me minerale dhe ujë. Serbia propagandon se gjoja po  mbron pakicën serbe, mirëpo nuk e ka mendjen te njerëzit por te territori dhe potencialet ekonomike të kësaj pjese të shtetit tonë. Nga ana tjetër Qeveria Kurti nuk ishte e vëmendshme për këto rreziqe, në vend që të ishte vigjilente dhe e koordinuar me aleatët amerikan u mor me çështje krejtësisht teknike si çështje e zbatimit te targave legale të automjeteve nga ana e pakicës serbe dhe që nxiti tensione që i dhanë shkas Serbisë të provokoj destabilizimin  e veriut ndërsa instrumentalizoi pakicën serbe deri në vendosjen e barrikadave, që realisht janë vendosur nga Serbia. Qeveria pastaj iu rikthye koordinimit të veprimeve të saja me partnerët ndërkombëtare, mirëpo gjërat shkuan jashtë kontrollit të cilën e përshkallëzon mëtej Serbia. Serbia nuk e dëshiron paqen sepse ambiciet e saja janë të dominoj Ballkanin, prandaj Vu çi çi është kaq jo paqësor dhe destruktiv. Serbia po bënë një agresion gjeopolitik në Kosovë e ndikuar nga Rusia/Putini. Janë disa faktorë që e kanë bërë Serbinë agresive në këtë kohë siç janë dhënia e statusit kandidat Bosnies nga BE-ja me të cilën Serbia sheh se e humbi dominimin në Ballkan, si edhe rrëzimi i projektit te “Open Ballkan” nga ana e Gjermanise e cila ringjalli procesin e Berlit dhe i dha prioritet Ballkanit Perëndimor. Pastaj, Serbia duket se është kundër marrëveshjes finale me Kosovën.

  1. Ka pasur një kërkesë gati ultimative nga amabsadori i Gjermanisë në Prishtinë që barrikadata të largohen para Krishtlindjeve. Por nuk e kemi parë këtë nga vende të tjera. Ka një unison në BE për këtë?

Barrikadat duhet të hiqen përmes një marrëveshje trepalëshe që duhet të arrihet me dialogun e Brukselit. Nga përvoja ime si kryenegociatore me kriza të ngjashme që i kemi pasur, zgjidhjet i kemi bërë me marrëveshje përmes bisedimeve në Bruksel. Pra mendoj se BE-ja dhe SHBA-ja duhet ta thërras nje takim urgjent ne dialogun e Brukselit, në mënyrë që të parandalohet përshkallëzimi i gjendjes dhe të ndalohen skenarët e rrezikshëm që ka Serbia në mendje, nuk duhet harruar se Serbia po shtyn përpara skenarë të tillë që veriu të vendoset nën një protektorat ndërkombëtar, në këtë kuadër janë edhe kërcënimet që të kthej forca të armatosura në Kosovë. Edhe pse Serbia e di që ka kapitulluar në luftën e Kosovës, që përcaktohet nga Marrëveshja e Kumanovës, është bombarduar nga NATO, dhe nuk ka të drejtë të kthej forcat në Kosovë, përsëri krijon psikozën dhe propagandën e luftës duke i bërë gjoja kërkesë KFOR-it pa bazë ligjore.

  1. Kërkesa absurde e Serbisë për të kthyer forcat ushtarake ne Veri a duhet të kishte një reagim edhe me të fortë nga EULEX, NATO, KFOR, BE?

SHBA-ja bëri reagimin dhe refuzimin e kërkesës absurde të Serbisë, këtë e bëri përmes emisarit Amerikan Escobar i cilia i tha qartë Serbisë se refuzohet kërkesa e saj. Do ta refuzojnë edhe NATO dhe KFOR-i në bazë të Marrëveshjes së Kumanovës, por edhe në bazë të kushtetutës së NATO-s e cila përcakton se në një vend ku vepron ushtria e NATO-s, nuk mund të veproj asnjë ushtri tjetër.

  1. Për shembull është për tu habitur për të mos thënë që shkon në kufijtë e një pyetje: Në anën e kujt është KFOR këtë herë? Duke pasur parasysh se ka pasur një deklaratë këtë të mërkurë se ata po e marrin në shqyrtim kërkesën e Serbisë për të lejuar kthimin e trupave serbe në Veri? Cfarë po ndodh me KFOR?

SHBA-ja së bashku me NATO-n kanë bombarduar Serbinë për të mbrojtur dhe çliruar Kosovën dhe mposhtur gjenocidin serb ndaj shqiptarëve, mbi këtë bazë ndërkombëtare vepron edhe KFOR-i si mision paqeruajtës i NATO-s. Mirëpo, duhet pasur parasysh se në marrëdhëniet ndërkombëtare, është qasje diplomatike të trajtohen çfarëdo kërkese qofshin ato absurde apo të çmendura, janë protokollet ato që shpjegojnë sjelljen e institucioneve ndërkombëtare me aktorë shtetëror për çfarëdo konteksti.

  1. Në fakt janë hedhur dyshime nga drejtues të shoqatës së policisë Kosovare se dicka po pregatitet në Veri dhe ndoshta këtë po e favorizon edhe KFOR? Ka vënd për dyshime të tilla?

Jo nuk ka fare dyshime të tilla, KFOR ka besueshmëri të plotë në Kosovë, është mision paqeruajtës i aleatëve tanë strategjik SHBA dhe NATO-s që së bashku me neve shkruam historinë e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

  1. Aplikimi i Kosovës për statusin e kandidatit në BE është një vendim dhe vjen në kohën e duhur apo  e shtoi kjo edhe më shumë zemërimin e  Beogradit?

Ishte koha më e fundit të bëhej kjo kërkesë, pavarësisht sfidave që mund të dalin nga pesë vendet mosnjohëse të Kosovës. Mbase mendoj se BE-ja duhet të marrë një vendim gjeopolitik të shtrihet në Ballkanin Perëndimor sa më shpejt, po ashtu dhe NATO-ja ta bëjë të njëjtën, për t´ju kundërvënë projekteve serbo-Ruse gjeopolitike sic janë ‘bota serbe’ dhe bota ruse’ përkatësisht ‘Serbia e Madhe’ dhe ‘Rusia e Madhe’

  1. Po luan kryeministri Kurti, zonja Tahiri, për: „shumë ose asgjë” pra për të provokuar një reagim të Perëndimit që në fakt duhet ta kishte bërë me kohë?

Për këtë duhet të përgjigjet vetë Kurti.

  1. Plani Franko-Gjerman.. A është një bazë e mirë për të ardhur të njohja e Serbisë për Kosovën? A duhet ta pranoj Kosova atë apo duhet patjetër të këkroj të futen Njohja si kusht dhe pranimi I Kosovës në  OKB?

Plani Franko-Gjerman nuk e ka njohjen reciproke mes dyja shteteve Kosovës dhe Serbisë, prandaj nuk duhet të pranohet, sepse vetëm një plan me njohje reciproke direkte, de jure, mund të sjellë një paqe të qëndrueshme në Ballkan dhe në mes dyja shteteve. Kjo është e vetmja rrugë për të hapur kapitullin e paqes pas luftës dhe gjenocidit serb në Kosovë, në këtë mënyrë mbyllet kapitulli i armiqësisë mes Kosovës dhe Serbisë, madje dhe më gjerë mes shqiptarëve dhe Serbëve

  1. A shihni një rol më konstruktiv të SHBA në këtë situatë dhe  është kjo një kusht që asnjë marrëveshje nuk duhet pranuar pa  “bekimin” e SHBA?

SHBA-të janë aleati jonë strategjik, të gjitha arritjet historike i kemi bërë bashkë dhe do ti bëjmë bashkë edhe në procesin vijues final paqësor mes Kosovës dhe Serbisë.  Aleanca strategjike me SHBA-të ka qenë arritja jonë më e madhe diplomatike, është arritje historike, strategjike dhe gjeopolitike, për këtë ndjej krenari duke qenë se kam qenë ministre e jashtme e Kosovës në kohën e rëndë të okupimit të Kosovës dhe kam punuar pareshtur derisa arritëm këtë qëllim strategjik në ato kohë sfiduese kur u kërcënua ekzistenca e jonë ndërsa ne me luftë paqësore dhe të armatosur të mbështetur nga SHBA dhe NATO-n dolëm fitues të luftës kundër Serbisë.

10. Roli i Rusisë në këtë konflikt dhe përfshirë edhe situatën tani në VERI? Si e shihni?

Serbia asnjë agresion nuk e bënë as nuk e ka bërë pa Rusinë, Serbia është ‘Kali i Trojës i Rusisë në Ballkan’ dhe do të vazhdoj të jetë problem i Ballkanit, destabilizuesi dhe shkatërruesi i arritjeve të tashme paqësore. Serbia duhet të ndalet, partnerët perëndimor duhet ti thonë qartë se nuk mundet ma ‘edhe me perëndimin edhe Rusinë’.  Ky dualizëm i Serbisë në politikën e jashtme nuk duhet të tolerohet dhe as të neglizhohet, sepse tashmë analistët seriozë alarmojnë  për pasojat e shtrierjes së luftës së Ukrainës në Ballkan…

Faleminderit Zonja Tahiri.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu