Komisioni i Rithemelimit ka njoftuar përmes një deklarate për media se ditën e nësërme në intervalin kohor 08:00 – 18:00 do të zhvillohet procesi i votimit për zgjedhjen e kryetarit të ri të Partisë Demokratike. Në njoftim theksohet se Qendrat e Votimit nuk do të mbyllen derisa të ketë votuar edhe personi i fundit.
Njoftimi i Komisionit të Rithemelimit:
Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale pranë Partisë Demokratike njofton se ditën e diel, datë 22 maj 2022, do të zhvillohen zgjedhjet për Kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë.
Proçesi i votimit do të nisë në orën 8.00 e do të mbyllet në orën 18.00.
Nëse në orën 18.00 do të ketë anëtarë të PD që ende nuk kanë votuar, Qendrat e Votimit nuk do të mbyllen derisa të ketë votuar edhe personi i fundit.
Kandidatët për Kryetar sipas renditjes në fletën e votimit janë:
Sali Berisha
Ibsen Elezi
Anëtarët e Këshillit Kombëtar të PD do të votojnë në njërën prej dy qendrave të votimit në Selinë Qendrore të Partisë Demokratike, ose në degët ku ata janë të deleguar pasi të kenë njoftuar pranë Komisionit.
Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale fton të gjithë anëtarët e PD të bëhen pjesë e procesit të votimit për zgjedhjen e Kryetarit të PDSH me parimin “një anëtar një votë”.