Një i dënuar në burgun e Korçës është proceduar penalisht bashkë me pesë punonjës policie për futjen e sendeve të paligjshme në qeli. Pjesë e këtyre objekteve të ndaluara nga ligji kanë qenë edhe disa bizhuteri, të cilat i dënuari për korrupsion ia dhuronte njërës prej oficereve të burgut të Korçës me të cilën dyshohet se kishte krijuar një raport të afërt personal.
Pesë punonjës të policisë së burgjeve në Korçë dhe një i dënuar u proceduan penalisht nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve pas zbulimit të një skeme korruptive për futjen e sendeve të paligjshme brenda qelive.
Pjesë e kësaj skeme ishte edhe lidhja që një i dënuar kishte krijuar me një nga oficeret e burgut, të cilës i ka dhuruar bizhuteri dhe vlera monetare.
Burimet zyrtare thanë se pesë nga të përfshirët janë punonjës të Policisë në burgun e Korçës, përkatësisht:
SHKBB referoi dosjen ndaj tyre në prokurori pasi kreu veprimet e para procedurale për veprat penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shpërdorimi i detyrës” ,”Mashtrimet” dhe “Deklarata të rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”.
Sipas burimeve nga hetimi, të proceduar janë i dënuari me iniciale V.R, i akuzuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe punonjësja e policisë me iniciale O.P.
Në prokurori janë kallëzuar për shpërdorim detyre edhe katër punonjës të tjerë të policisë së burgut të Korçës, përkatësisht:
-A.XH, punonjës i Policisë së Burgjeve, për veprat penale të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal “Shpërdorimi i detyrës”, neni 143 paragrafi i dytë, i Kodit Penal “Mashtrimet” dhe 25 të K.Penal;
-O.T, punonjës i Policisë së Burgjeve, për veprat penale të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal “Shpërdorimi i detyrës”, neni 143 paragrafi i dytë, i Kodit Penal “Mashtrimet” dhe 25 të Kodit Penal;
-A.SH, punonjës i Policisë së Burgjeve, për veprën penale të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal “Shpërdorimi i detyrës” dhe 25 të Kodit Penal;
-A.M, punonjës i Policisë së Burgjeve, për veprën penale të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal “Shpërdorimi i detyrës” dhe 25 të Kodit Penal
Sipas hetimeve të nisura pak javë më parë, ka rezultuar se i dënuari me iniciale V.R, u ka ofruar shuma monetare punonjësve të policisë në këmbim të futjes brenda qelive të sendeve të paligjshme, si shuma monetare por edhe buzhuteri.
Kqyrja e kamerave të sigurisë por edhe mbledhja e provave e dëshmive të tjera kanë nxjerrë në pah faktin se disa nga këto bizhuteri i dënuari ia ka dhuruar oficeres së policisë së burgut me iniciale O.P, me të cilën dyshohet se kishte një raport të afërt.
Katër efektivët e tjerë dyshohet se kanë përfituar shuma monetare në këmbim të lejimit të sendeve të paligjshme që porositeshin jashtë burgut nga i dënuari për korrupsion.