Shërbimet e Policisë Rrugore, pas marrjes së njoftimit se një mjet me drejtues ende të paidentifikuar, në rrugën “Asim Vokshi”, ka aksidentuar shtetasin Z. K., 73 vjeç, i cili si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë në spital, dhe drejtuesi i mjetit, pas aksidentit është larguar, menjëherë kanë organizuar punën me qëllim identifikimin dhe kapjen e tij.
Si rezultat i veprimeve të shpejta profesionale, është bërë identifikimi i drejtuesit të mjetit, shtetasi E. N., 45 vjeç, banues në Tiranë, dhe shoqërimi i tij në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 dhe është testuar drager dhe me aparatin drogë-testues dhe ka rezultuar se e drejtonte automjetin nën efektin e alkoolit dhe lëndëve narkotike.
Në përfundim të veprimeve procedurale, u bë arrestimi në flagrancë i këtij shtetasi, për veprat penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”, dhe Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ndaj tij, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Gjithashtu, këtij shtetasi iu pezullua leja e drejtimit për 24 muaj, iu zbritën 15 pikë nga leja e drejtimit dhe iu vendos masa administrative 35.000 lekë të rinj.