Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, tha se nuk do të zbatojë rekomandimin e Bashkimit Evropian për të hequr kufizimet e udhëtimit për më shumë vende jashtë bllokut 27-anëtarësh.
Për të justifikuar vendimin e tij, Orban përmendi rrezikun e shpërthimeve të reja të rasteve me koronavirus.
Bashkimi Evropian, më 30 qershor, ka finalizuar një listë të vendeve – me më pak raste me koronavirus – qytetarët e të cilave lejohen të hyjnë në bllok nga 1 korriku.
Hungaria, vend me gati 10 milionë banorë, ka raportuar deri më tash pak më shumë se 4,100 raste me koronavirus dhe rreth 590 vdekje.
“Ne, aktualisht, nuk mund të zbatojmë kërkesën e BE-së për të lejuar hyrjen e qytetarëve jo të BE-së, me përjashtim të Serbisë”, tha Orban në një video-mesazh në Facebook.
Budapesti ka rihapur kufirin me Serbinë fqinje – e cila ka një popullsi të madhe etnike hungareze që jeton kryesisht përgjatë kufirit me Hungarinë – në muajin maj.
Por, heqja e kufizimeve të udhëtimit për më shumë vende jashtë BE-së “do të shkonte kundër interesave të kujdesit shëndetësor për popullin hungarez”, tha Orban.
Vendet në listën e BE-së janë: Algjeria, Australia, Kanadaja, Japonia, Gjeorgjia, Mali i Zi, Maroku, Zelanda e Re, Ruanda, Serbia, Koreja e Jugut, Tajlanda, Tunizia dhe Uruguaji, si dhe Kina nëse ka reciprocitet. Shtetet e Bashkuara dhe Rusia nuk janë në listë.
Edhe disa vende të tjera të BE-së gjithashtu kanë shprehur rezerva në lidhje me heqjen e kufizimeve të udhëtimit.
Austria ka thënë më 1 korrik se do të ndjekë rekomandimin e BE-së, por jo për Serbinë dhe Malin e Zi.
Burimi: top-channel.tv