Gratë të cilat dhimbjen e tyre e shndërruan në forcë për zhvillim, janë shembulli tjetër për të cilin vazhdojnë të na bëjnë krenarë.
Për sakrificën dhe përkushtimin sublim të grave të Krushës, ministrja Haxhiu u ndau një mirënjohje në shenjë vlerësimi për kontributin që Krusha i dha dhe vazhdon t’i jap atdheut tonë, Kosovës.
Ndërkohë gjatë ditës, ministrja e Drejtësisë, e shoqëruar nga zëvendësministrja, njëherit koordinatore kombëtare kundër dhunës në familje, pritën në takim kryesuesit e Odës Ekonomike të Kosovës, asaj Amerikane dhe Gjermane.
“U diskutua mbi sfidat e grave, përfshirë qasje në tregun e punës, dhe nismat që mund të ndërmerren në koordinim me Ministrinë e Drejtësisë. Të pranishmit ranë dakord në konsolidimin e një bashkëpunimi për të garantuar punësim të grave, të mbijetuara të dhunës në familje”
, thuhet në komunikatë të MD-së.
Në një takim të mundësuar nga QKRMT, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, takoi disa nga të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës me të cilat diskutoi për sfidat e tyre, pengesat në njohjen e statusit të tyre si dhe rëndësinë e adresimit të këtyre krimeve të luftës në Prokurorinë Speciale me ç’rast i njoftoi për angazhimin në rritjen e kapaciteteve e kësaj prokurorie.
Ministrja Haxhiu falënderoi Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës për kontributin e dhënë ndërvite, duke qenë adresë për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës.
Në ditën ndërkombëtare të gruas, ministrja Haxhiu së bashku me ministrin e Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, kanë pritur në takim përfaqësueset gra nga komunitetet egjiptian, ashkali dhe rom.
Gjatë këtij takimi u theksua përfshirja dhe roli shumë i rëndësishëm i gruas, si në jetën shoqërore, politike e kulturore. Ministrja Haxhiu theksoi se diskriminimi i grave dhe vajzave në Kosovë bëhet nga radhët e të gjitha komuniteteve, por më e theksuar është tek këto komunitete.
Nga ana tjetër, ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi tha se
“Fakti që kjo qeveri në vazhdimësi ka interes t’i trajtojë kërkesat e një komuniteti të margjinalizuar do të thote shumë. Investimi në shkollimin e pjestarëve të komunitetit, veçanërisht të vajzave duhet të trajtohet me prioritet”.
Ministrja Haxhiu shprehu zotim se përpjekjet e saj do të jenë të vazhdueshme në trajtimin me prioritet të të drejtave të grave, punësimit dhe avancimit të rolit të tyre në shoqëri.