Gra vs burra: Si konkurrojnë në punë e të ardhura në Shqipëri

0
Gra vs burra: Si konkurrojnë në punë e të ardhura në Shqipëri
Gjigandi

8 Marsi njihet ndërkombëtarisht si Dita e Gruas. Në Shqipëri, ndonëse janë bërë përparime në barazinë gjinore, sërish ka diferenca të mëdha, teksa meshkujt paguhen më shumë sesa femrat dhe dominojnë në pozicionet drejtuese në biznes.

Në të kundërt është rritur pesha e grave në politikë. Teksa femrat po mbizotërojnë gjithnjë e më shumë në Universitete dhe studime pasuniversitare si master apo doktoraturë, në të ardhmen nuk është çudi që dominanca e tyre të rritet.

Burrat paguhen më shumë, por gratë ua kalojnë në pozicionet drejtuese

Një femër u pagua mesatarisht 51.7 mijë lekë në vitin 2020, sipas INSTAT, ose 6.5% më pak sesa burrat. Hendeku gjinor në pagë është reduktuar vitet e fundit.

Nga 36 grup-profesione që raporton INSTAT, vetëm në 4 prej tyre (Drejtues administrativë dhe komercialë; Punonjës në profesionet e elektro-teknologjisë; Punonjës të shërbimeve personale dhe të mbrojtjes; Punëtor të punimit të metaleve dhe montimit të makinerive), gratë paguhen më shumë sesa burrat dhe në tre të tjera shpërblimet mujore janë pothuajse të barabarta (Punonjës të ndërtimit; Punëtorë shërbimi dhe ndihmës; Ndihmës në përgatitjen e ushqimit).

RonaTyra

Ndonëse në përgjithësi paguhen më pak se meshkujt, kur bëhet fjalë për pozicionet drejtuese, janë femrat ato që dominojnë. Edhe në 2020-n, “drejtueset administrative dhe komerciale” femra kanë vijuar që të jenë më të mirë paguara sesa meshkujt në të njëjtën pozicion. Drejtueset femra marrin pagat më të larta nga të gjitha grup-aktivitetet për të dyja gjinitë. Në 2020-n, ato u paguan mesatarisht bruto në muaj me 166.4 mijë lekë (mbi 1,300 euro), ose 17% më shumë se meshkujt në pozicionet e drejtuesit administrativ dhe komercial.

“Drejtues prodhimi dhe shërbimesh të specializuara” është grup-profesioni i dytë më i paguar për fermat, me 102.7 mijë lekë në muaj, por në këtë kategori meshkujt paguhen 15% më shumë.

Pas nivelit drejtues, më shumë paguhen “Specialistë të teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit”, me 96 mijë lekë në muaj, ose 4.5% më pak sesa meshkujt.

Në kategorinë e “Ligjvënës, nëpunës të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorë ekzekutivë”, i katërti më i shpërblyer, paga mesatare për femrat ishte rreth 87 mijë lekë, pothuajse në nivele të njëjta me meshkujt e po kësaj kategorie.

Diferenca më e lartë në paga mes meshkujve dhe femrave është në sektorin e industrisë (27%) dhe atë të shëndetësisë (20%).

Gratë më pak pronare, kush punon më shumë

Biznesi është “punë” për burrat. Gratë që kanë në pronësi sipërmarrjet, ose i administrojnë ato, zënë një peshë të ulët në totalin e subjekteve në vend.

Sipas INSTAT, në vitin 2020, përqindja e grave pronare ose administratore në ndërmarrjet aktive është 25,5 % nga 25,4 % që ishte në vitin 2019. Përqindja e pronareve ose administratoreve gra është më e lartë në ndërmarrjet e vogla (me 1-4 të punësuar) me 25,8 % gra, përqindje kjo e njëjtë, krahasuar me vitin 2019. Në kategoritë e tjera të ndërmarrjeve ( 5-9 të punësuar, 10-49 dhe mbi 50 punonjës) përqindja e pronareve/administratoreve gra është rritur, krahasuar me vitin paraardhës.

Përqindja e pronareve gra ose administratore në vitin 2020, është rritur, krahasuar me vitin 2019, si përsa i përket bizneseve me aktivitet ekonomik prodhues, ashtu dhe sektorit të shërbimeve. Numri i bizneseve me pronare ose administratore gra është më i madh në Sektorin e Shërbimit, sesa në Sektorin Prodhues, përkatësisht 33,7 % dhe 12,6 %.

Në përgjithësi, sipas anketës së forcave të punës, gratë kanë më pak gjasa të marrin pjesë në tregun e punës. Përsa i përket popullsisë 15-64 vjeç, pjesëmarrja e grave në forcat e punës, ka një rënie të lehtë në vitin 2020, me 61,2 % nga 61,6 % që ishte në vitin 2019.

Sipas arsyeve së inaktivitetit, gratë mbesin jashtë forcës së punës kryesisht pasi janë nxënës, studentë, në trajnim të mëtejshëm, përvojë pune pa pagesë (20,9 %) ose duke përmbushur detyrat shtëpiake (18,8 %). Vetëm 0,6 % e burrave kanë si arsye të inaktivitetit të tyre përmbushjen e detyrave shtëpiake dhe 25,7 % e tyre janë studentë ose nxënës.

Gratë janë më pak të prirura edhe të marrin kredi. Në vitit 2020, numri i huamarrësve në bankat tregtare ishte 338.871, prej të cilëve 56,8 % ishin burra dhe 43,2 % ishin gra. Ato janë dhe më pak “kursimtare” sesa burrat. Numri i depozituesve në bankat tregtare, në vitin 2020 ishte 2.512,365, prej të cilëve 56,5 % janë burra dhe 43.5 % janë gra.

Arsimi, tashmë janë femrat që mbizotërojnë në Universitete, master e doktoraturë

Gjithnjë e më shumë femra, në raport me meshkujt po zgjedhin që të ndjekin shkollën e lartë. Vitet e fundit. Sipas INSTAT, 38.7% e femrave të grup moshës 25-39 vjeç janë me arsim të lartë, përkundrejt 26.4% që është kjo peshë për meshkujt e të njëjtës grupmoshë.

Nuk ka qenë gjithnjë kështu. Diferenca vjen e ngushtohet me rritjen e grup moshës. Për 40-64 vjeçarët, 12.1% e femrave janë me arsim të lartë, përkundrejt 10.8% të meshkujve. Raporti përmbyset për grupmoshën mbi 65 vjeç, ku vetëm 6.1% e femrave janë më arsim të lartë, përkundrejt 10.8% te meshkujt.

Numri i femrave që ndjekin programet master dhe doktoraturë në vitin akademik 2020-2021 ishte gati dy herë më i lartë se i meshkujve, sipas të dhënave të INSTAT.

Burrat dominojnë në Kuvend, gratë në qeveri

Në periudhën 2018-2020, rreth 30% e deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë ishin gra. Por, rekordin ato e kanë mbajtur para viteve ’90. Sipas të dhënave të INSTAT, që e raporton treguesin e pjesëmarrjes në Parlament sipas gjinisë, që nga viti 1920, pesha më e lartë e tyre raportohet në 1974, me 33.2% të totalit.

Gratë filluan të përfaqësohen në Kuvend për herë të parë në vitin 1945 dhe deri në 1990-n përbënin gati një të tretën e tij. Në fillim të viteve 1990, pesha e tyre ra dukshëm, në 6-7%, ndërsa më pas filloi të rritej gradualisht, duke e kaluar 20%.

Në Europë, sipas Eurostat, peshën më të lartë te grave në Parlament e ka Suedia, me afër 50%, e ndjekur nga Finlanda me 46%, Belgjika me 43%, ndërsa më të ulëtën, Hungaria dhe Malta me nga 13% secila.

Në Qeverinë aktuale nga 15 anëtarë të Kabinetit, 12 prej tyre janë gra, duke u renditur ndër një nga vendet që ka peshën më të madhe të grave ministre në botë. Deri në vitin 2020, rekordin e mbante Spanja me rreth 67% të kabinetit me gra, sipas Visual Capitalist.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu