Në seancën e së mërkurës në gjykimin për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, ka filluar dëshminë e tij dëshmitari A1.
Ky dëshmitar është dëshmitar i mbrojtur, i propozuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), raporton “Betimi për Drejtësi”.
Dëshmitari A1 është shpallur anonim me kërkesë të prokurorisë dhe i njëjti gjendet në objektin e Gjykatës Themeloe në Gjian, andaj po dëgjohet përmes video-lidhjes.
Seanca e fundit lidhur me këtë rast u mbajt më 20 prill, ku në cilësinë e dëshmitarit u dëgjua vëllai i Oliver Ivanoviqit, Miroslav Ivanoviq, i cili e kishte vazhduar dëshminë e filluar një ditë më parë.
PSRK fillimisht kishte ngritur aktakuzë më 27 dhjetor 2019 kundër Nedeljko Spasojeviq, Marko Roshiq, Silvana Arsoviq, Dragisha Markoviq, Zharko Jovanoviq dhe Rade Basara për veprat penale “Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ndihmë në kryerjen e veprës penale Vrasje e rëndë”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve”, “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”, “Keqpërdorim i detyrës zyrtare në bashkëkryerje” dhe “Manipulim me prova, në bashkëkryerje”.
Seanca fillestare ishte mbajtur me 11 shkurt 2020, kurse Gjykata Themelore në Prishtinë, më 6 prill 2020, kishte refuzuar kërkesat për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimet e provave.
Pas ankesave të katër avokatëve, Gjykata e Apelit kishte aprovuar ankesat e mbrojtësve dhe çështja ishte kthyer në rivendosje.
Sipas Apelit, në rivendosje nga gjykata e shkallës së parë duhet të eliminohen kundërthëniet, duke i dhënë mundësi prokurorit për tu deklaruar ose për ta korrigjuar dhe plotësuar aktakuzën në mënyrë që aktakuza të jetë në përputhje me nenin 241 të KPPRK-së.
Më pas, me 10 nëntor 2020, Prokuroria Speciale kishte përpiluar aktakuzën, ku thuhet se të pandehurit Nedejklo Spasojeviq, Marko Roshiq, Rade Basara dhe Silvana Arsoviq, nga viti 2014 deri në vitin 2018, respektivisht me datën 16 janar 2018, në qytetin e Mitrovicës, në bashkëpunim me të pandehurit Zheiko Bojiç, Zvonko Veselinoviç dhe Milan Radoiçiç, të cilët gjenden në arrati dhe me dy të pandehur tjerë që deri më tani janë të panjohur për organet e rendit, duke vepruar si grup i organizuar dhe i strukturuar, me hiearki në grup dhe me role të përcaktuara, nën udhëheqjen e të pandehurve Zvonko Veselinoviç dhe Milan Radoiçiç, në atë mënyrë që të gjithë të pandehurit në vazhdimësi dhe në bashkëveprim ndërmjet veti, me qëllim të shtrirjes së kontrollit në pjesën veriore të Mitrovicës, si në jetën politike dhe ekonomike dhe veprimtarinë e përgjithshme të grupit kriminal të organizuar, kanë vepruar me dashje dhe dijeni për të kryer veprën penale të vrasjes së rëndë, ku secili nga të pandehurit ditën kritike kur edhe ka ndodhur vrasja e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq, kanë kryer veprime inkriminuese konkrete për qëllim të grupit në fjalë, me ç’rast si pasojë e veprimeve të këtij grupi kriminal të organizuar ka ardh deri te vrasja e tani të ndjerit Ivanoviq.
I pandehuri Nedejlko Spasojeviq, thuhet se duke vepruar si anëtar i grupit kriminal, ka ndihmuar në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë, ka bashkëpunuar ngushtë me të dyshuarit e panjohur që të kryejnë vrasjen e tani të ndjerit Ivanoviq, me ç’rast me dashje dhe dijeni i ka ndihmuar të dyshuarit e panjohur në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë, duke krijuar kushtet dhe mënjanuar pengesat për kryerjen e kësaj vepre penale, ashtu që fillimisht i njëjti u ka mundësuar të dyshuarve që të lëviznin me veturën zyrtare të policisë të markës “Golf IV”, karavan, më pas i ka dërguar të njëjtit tek vetura “Opel Astra”, ngjyrë e kaltër, pa targa, nga e cila veturë është shtënë në drejtim të ndjerit Ivanoviq, e që për pasojë ka ndërruar jetë në spitalin e Mitrovicës.