Një gjykatë federale e apelit dha urdhër të mërkurën për pushimin e çështjet penale kundër ish-këshilltarit të Presidentit Trump për sigurinë kombëtare, Michael Flynn. Në një vendim 2-1 gjykata e apelit për qarkun e Uashingtonit u shpreh se vendimi i Departamentit të Drejtësisë për të braktisur çështjen kundër zotit Flynn e mbyll këtë lëndë, edhe pse Flynn e pranoi fajësinë se kishte gënjyer prokurorët gjatë hetimeve speciale mbi Rusinë.
Gjykatësi Emmet Sullivan pati refuzur të ndalte çështjen menjëherë, duke kërkurar të vlerësojë vetë kërkesën e pazakontë për pushimin e çështjes nga Departamenti i Drejtësisë. Ai emëroi një gjykatës federal në pension për të sjellë argumente kundër qëndrimit të Departamentit të Drejtësisë dhe të shqyrtonte nëse zoti Flynn mund të dënohej për dëshmi të rreme.
Zoti Flynn ishte i vetmi zyrtar i Shtëpisë së Bardhë ndaj të cilit u ngritën akuza në hetimet speciale nga Prokurori i Posaçëm Robert Mueller mbi lidhjet mes fushatës së zotit Trump dhe Rusisë. Ai pranoi fajësinë se kishte gënjyer FBI-në disa ditë pas ceremonisë së inagurimit të presidentit në janar të vitit 2017, lidhur me një bisedë që ai kishte zhvilluar me ambasadorin rus gjatë periudhës së tranzicionit të pushtetit.
Departamenti i Drejtësisë vendosi të pushojë çështjen në muajin mars si pjesë e një përpjekjeje të gjerë nga Prokurori i Përgjithshëm William Barr për të shqyrtuar e madje për të zhbërë, disa prej vendimeve të marra gjatë hetimeve për Rusinë, të cilat gjithnjë e më shumë ai i kakritikuar.
Në vendimin e tij, Departamenti i Drejtësisë argumentoi se bisedat telefonike të zotit Flynn me ambasadorin rus, në të cilat u diskutuan sanksionet e administratës së Presidentit Obama ndaj Rusisë për ndërhyrje në zgjedhjet amerikane, ishin të rregullta dhe nuk ishin thelbësore në hetimet e kundërzbulimit. Departamenti po ashtu theksoi se disa javë para intervistës, FBI-ja ishte përgatitur për të mbyllur hetimet ndaj zotit Flynn pasi nuk gjeti prova penale.
Por gjykatësi në pension, i emëruar nga zoti Sullivan, John Gelson, e quajti kërkesën e Departamentit të Drejtësisë një ‘abuzim të rëndë’ të pushtetit prokurorial dhe e akuzoi qeverinë për krijimin e një preteksti për të pëfituar një aleat i presidentit. Opinioni i së mërkurës 2-1 kishte mbështetjen e gjykatëses Neomi Rao, e emëruar nga Presidenti Trump, e cila shkroi edhe argumentet për vendimin. Asaj iu bashkua edhe Karen LeCraft Henderson, e cila kishte ngritur skepticizëm në pyetjet drejtuar avokatëve të zotit Flynn dhe Departamentit të Drejtësisë gjatë argumentave në fillim të muajit./VOA
Burimi: top-channel.tv