Ambasadorja e Gjermanisë në Serbi, Anke Konrad deklaroi se ngjarjet e 24 shtatorit në fshatin Banjskë në veri të Kosovës duhet të sqarohen dhe se gjendja duhet të qetësohet.
“Situata aktuale nuk është e qëndrueshme për njerëzit në veri të Kosovës, e as për njerëzit në Serbi dhe Kosovë në përgjithësi”, tha Konrad për gazetën Blic të mërkurën, shkruan REL.
Ajo tha se është e rëndësishme të krijohen kushte për rikthimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë sa më shpejt që të jetë e mundur, për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit nga viti 2013, duke përfshirë edhe krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, si dhe zbatimin e dy marrëveshjeve të arritura këtë vit në Bruksel dhe Ohër.
Konrad, po ashtu, theksoi domosdoshmërinë e mbajtjes së zgjedhjeve lokale në komunat e Kosovës me shumicë serbe dhe kthimin e përfaqësuesve politikë të serbëve në institucionet e Kosovës.