Gjashtë muaj në det, “Artania” mbërrin në destinacion

0
Gjigandi

Pas një odiseje gjashtë mujore përreth botës, gjatë të cilës u prek nga koronavirusi dhe pa oqeanet të zbrazura, pa asnjë anije tjetër, krocera e fundit që ende kishte në bord pasagjerë, ka hyrë në portin final duke kthyer tetë pasagjerët e mbetur në një botë krejtësisht të ndryshme nga ajo që kishin lënë pas, kur ishin nisur në lundrim.

MV Artania, u ankorua në portin e Bremerhavenit në gjermani të hënën duke i dhënë fund udhëtimit epik të kthimit nga Australia, gjatë të cilit, anija bëri devijime të pafundme.
Mbërritja në destinacion e Artanias, vjen më shumë se dy muaj pasi anijet e fundit të mëdha krocerë, me pasagjerë në bord, u ndalën, ndërsa industria e krocerave u mbyll në mesin e pandemisë globale. Ndërsa Costa Deliziosa, MSC Magnifica dhe Pacific Princess, u ankoruan në prill, Artania vazhdoi të lundronte. Anija, që mund të mbajë 1200 pasagjerë, u nis në një lundrim 140 ditor nëpër botë, nga gjermania më 21 dhjetor 2019. Në mars, koronavirusi preku krocerën me 36 pasagjerë të saj që rezultuan pozitivë pas testimit në Australi.
Të prekurit u vendosën në karantinë në spitalet lokale. Dy pasagjerë të saj dhe një pjesëtar i ekuipazhit, humbën jetën. Turistët e pasur të Artanias, qëndruan në karantinë në anije deri në fluturimet e riatdhesimit në fund të marsit. Qindra pasagjerë, shumica gjermanë, fluturuan nga Australia perëndimore në Frankfurt dhe disa qëndruan në spital për tu shëruar. Tetë pasagjerë vendosën të ktheheshin në shtëpi përmes oqeanit dhe jo me avion dhe ata morën statusin surreal të pasagjerëve të fundit të një krocere, në det. Ata panë botën të ndryshonte, vendet të izoloheshin dhe hapeshin sërish, ndërkohë që vetë ishin në det, shëtitësit e fundit të oqeaneve të botës.

Burimi: top-channel.tv

RonaTyra

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu