Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit dhe i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar ka mbërritur ditën e sotme në Shqipëri, ku është takuar me Komisionerin Europian për Zgjerimin Oliver Varhelyi.
Lajmin e ka bërë të ditur ambasada amerikane, e cila përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka zbardhur edhe “diskutimet e nxehta”.
Në fokus të diskutimit ka qenë integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE, ku sipas tyre lufta Rusi-Ukrainë e ka bërë këtë proces më urgjent.
“Ndihmës Sekretarja e Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike Karen Donfried dhe Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit dhe i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar mbërritën sot në Shqipëri dhe u takuan me Komisionerin Europian për Zgjerimin Oliver Varhelyi. Ata ranë dakord se pushtimi i pajustifikuar i Ukrainës nga Rusia e ka bërë integrimin edhe më urgjent. Ata diskutuan mbi prioritetin e përbashkët të integrimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian dhe Ndihmës Sekretarja Donfried rikonfirmoi mbështetjen e fortë të Shteteve të Bashkuara për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe tha se SHBA mbetet e angazhuar për të punuar me partnerët shqiptarë dhe të BE-së për të siguruar reformën në drejtësi në Shqipëri dhe rrugën e suksesshme drejt Bashkimit Europian”,
njofton ambasada.