Organizata Ndërkombëtare për Migrimin , IOM po nxit në Shqipëri një fushatë për ndërgjegjësimin sidomos të të rinjve për të mos u larguar jashtë vendit. Në një tryezë në Gjirokastër, një rajon tejet i prekur nga emigracioni, është disktuar bashkëpunimi më i madh i institucioneve vendore për të frenuar këtë dukuri.
Organizata Ndërkombëtare për Migrimin IOM ka nisur në Shqipëri fushatën “Shqipëria je ti në përpjekje për të nxitur ndrëgjegjësimin, sidomos të të rinjve, për të mos u larguar nga vendi.
Alketa Gaxha, Koordinatore Projektesh e IOM në Shqipëri tha gjatë një takimi në Gjirokastër me përfaqësues të institucioneve vendore se bashkëpunimi është shumë i rëndësishëm për të gjetur rrugët që e frenojnë këtë dukuri.
“Kjo është një fushatë ndërgjegjësuese dhe informuese që synon uljen e prirjes sidomos të të rinjve shqiptarë për t’u larguar nga vendi. Kemi zgjedhur kolegë nga zoant e qarkut por edhe nga diaspora që do të punojnë së bashku me komunitete vendore për shpërndarjen e informacionit dhe zbatimin e projekteve të vogla që ndikojnë për frenimin e kësaj dukurie.”
Silvana Banushi që merret me çështjet e e emigracionit në Ministrinë e Brendshme tha se ka një rënie të kërkesave për azil nga shtetasit shqiptarë në vendet e BE-së krahasuar me vitin 2019, por prirjet mbeten shqetësuese.
“Sipas të dhënave të EUROSTATIT në 2019 ka pasur 20.415 aplikime për azil nga shetasit shqiptarë dhe duke iu referuar të dhënave të disa muajve më vonë kemi 8595 aplikime për azil. Kjo është një dukuri e njohur prej shumë kohësh, herë thellohet, herë është plagë shumë e madhe e shoqërisë , herë zbutet. Gjithësesi ne duhet të mundohemi që ta zbusim këtë prirje për emigrim”.
Kryetarja e Këshillit të Qarkut të Gjirokastrës Lindita Qirko tha se dukuria e migrimit shihej me shqetësim kohët e fundit pasi po përfshinte edhe familje që kanë status të lartë ekonomik.
“Ajo që më bën shumë përshtypje kohët e fundit është se po shoh që të kenë tendencën për t’u larguar nga Shqipëria familje të konsoliduara, bashkëshortë, kryefamiljarë që janë të punësuar në sektorin publik ku paga është mbi nivelin mesatar . Dhe ky është një fenomen që duhet parë me prioritet pasi është shqetësues.”
Sipas të dhanëve të Eurostat për 11-mujorin e vitit 2021, aplikimet për azil të shtetasve shqiptarë në vendet e BE-së arritën në mbi 10 mijë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019 aplikimet janë përgjysmuar në 2021, por u rritën krahasuar me vitin 2020, kur ishte edhe situata e bllokimit të kufijve prej pandemisë .
Shqipëria vazhdon të ketë shifrat më të larta të azilkërkuesve në vendet e Ballkanit Perëndimor. Javët e fundit Organizata Europiane e Ruajtjes së Kufijve, “Frontex” ka nisur të kryejë fluturime të posaçme ajrore për të riatdhesuar migrantët e parregullt shqiptarë nga Franca dhe Spanja./VOA