Sot me ftesën e kryetarit të komunës së Vitisë, Sokol Haliti, është mbajtur një takim me grupin për përgatitjen e Hartave Zonale. Me këtë rast u bë me dije se komuna e Vitisë, në bashkëpunim me Kolegjin UBT- Prishtinë, ka finalizuar Propozim Planin Zhvillimor Komunal, i cili më pas do të ndjek të gjitha procedurat ligjore si: marrja e pëlqimit nga ministria përkatëse që të dal në shqyrtim publik, aprovimit në Kuvendin Komunal të Vitisë dhe konfirmimit të ligjshmërisë së saj nga niveli qendror.
Gjatë këtij takimi kryetari Haliti, tha se falë kësaj pune po krijohen dokumente të rëndësishme për komunën e Vitisë.
“Me hartimin dhe finalizimin e Planit të ri Zhvillimor Komunal dhe të Hartave Zonale, po krijohen dokumente shumë të rëndësishme të cilët do të ndikojnë pozitivisht në zhvillimin e komunës sonë. Kjo pasi që kemi shumë investitor të cilët janë të gatshëm të investojnë në komunën tonë”,
u shpreh Haliti.
Ndërkaq gjatë këtij takimi përfaqësuesit e grupit për hartimin e hartave zonale kanë dalë me propozime konkrete për hartat zonale në qytetin e Vitisë dhe në Pozheran. Përndryshe në këtë takim kanë marrë pjesë edhe përfaqësues nga Kolegji UBT-Prishtinë, në krye me z. Edmond Hajrizi.