Sekretari i Përgjithshëm në Partinë Socialiste, Damian Gjiknuri ka komentuar lajmet e publikuara nga mediat ndërkombëtare pas arrestimit të ish-zyrtarit të lartë të FBI-së, se ai ka fshehur takimet e tij me kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe pagesat që ka marrë nga një shtetas shqiptaro-amerikan.
Gjiknuri tha se akuzat ndaj Ramës “janë nga ato filma triller që vetëm në mendjen e Sali Berishës ekzistojnë”.
“Ky lajm ka rëndësi për Amerikën se është cenuar autoriteti i një organi shumë të lartë s’ka lidhje me Shqipërinë. Mos i bëjmë historitë qesharake si i bën Berisha, që një person na lëvizka gjithë zinxhirin e lidhjeve të cështjes Muzin. Këto janë nga ato filma triller që vetëm në mendjen e Sali Berishës ekzistojnë. Na dilka që kryeministri shqiptar na qeka korruptuesi më i madh i botës, histori qesharake” – u shpreh Gjuknuri.
Sekretari i Përgjithshëm i PS u shpreh se cilido zyrtar i lartë të kërkonte takim me kryeministrin ai do të pranonte.
Gjiknuri u pyet edhe lidhur me përgjimet e dosjes 184 për vjedhjen e votës, ku ai dëgjohet duke thënë “Do e bëjmë tërmet”.
“Fjala tërmet është metaforë që e përdor Sali Berisha dhe e përdorin të gjithë. Unë re thoja në privat, Berisha dhe të tjerët e përdorin në publik. Më vjen mirë që pasurova fjalorin politik me një fjalë që nuk kishte asnjë ngjyrim tjetër” – tha ai.
Gjiknuri deklaroi se çështja në fjalë i është nënshtruar hetimit dhe asgjë nga ato që thuhen nuk përbëjnë vepër penale.