Gjyqtaret femra do të gjykojnë për herë të parë në një Kupë Bote për meshkuj, dhe këtë gjë e ka konfirmuar FIFA, ku po ashtu edhe tre asistente femra do të iu bashkohen atyre.
Në luftën për barazi gjinore brenda futbollit, Stéphanie Frappart nga Franca, Salima Mukansanga e Ruandës dhe Yoshimi Yamashita nga Japonia janë përfshirë në listën e 36 gjyqtarëve që do të dalin në fushë në Katar përgjatë muajve nëntor dhe dhjetor.
Treshes do t’i bashkohen Neuza Back nga Brazili, Karen Díaz Medina e Meksikës dhe Kathryn Nesbitt nga Shtetet e Bashkuara, të cilët janë pjesë e listës me 69 anëtarë të gjyqtarëve ndihmës.
Sipas kreut të gjyqtarëve të FIFA-s, Pierluigi Collina, përzgjedhja e zyrtarëve është bërë pa marrë parasysh gjininë.
“Kjo gjë përfundon një proces të gjatë që filloi disa vite më parë me vendosjen e gjyqtareve femra në garat e FIFA-s për të rinj dhe seniorë. Në këtë mënyrë theksojmë qartë se për ne ka rëndësi cilësia dhe jo gjinia. Shpresoj që në të ardhmen, përzgjedhja e zyrtarëve të ndeshjeve të femrave për garat e rëndësishme të meshkujve do të perceptohet si diçka normale dhe jo më e bujshme”,
tha Collina.
FIFA ka zgjedhur 24 meshkuj për të punuar në teknologjinë e rishikimit të videove, ndërsa VAR-i për vendimet jashtë loje ende duke u konsideruar.
Nga dy gjyqtarë u zgjodhën prej Argjentinës, Brazilit, Anglisë dhe Francës, ku si përfaqësues të Anglisë do të jenë Michael Oliver dhe Anthony Taylor.
Janny Sikazwe i Zambisë, i cili shkaktoi polemika kur gjykoi një lojë dramatike të Kupës së Afrikës në janar, duke e ndalur ndeshjen para kohës së rregullt, po ashtu është përzgjedhur nga FIFA.