Festivali i madh evropian, Eurovision ka bërë të ditur se nuk ka ndërmend ta ndalojë Rusinë të konkurrojë, pavarësisht tentim-pushtimit të Ukrainës nga presidenti Vladimir Putin.
Organizatorët përsëritën statusin e konkursit vjetor si një “ngjarje kulturore jopolitike”, mes sulmeve të vazhdueshme nga Rusia ndaj fqinjit të saj, shkruan
The Independent
.
“Eurovision Song Contest është një ngjarje kulturore jopolitike që bashkon kombet dhe feston diversitetin përmes muzikës”, thuhet në një deklaratë të lëshuar nga organizatorët.
“Anëtarët e transmetuesit publik [të Bashkimit Evropian të Transmetuesve] në Rusi dhe Ukrainë janë zotuar të marrin pjesë në ngjarjen e këtij viti në Torino dhe ne aktualisht po planifikojmë të mirëpresim artistë nga të dy vendet për të performuar në maj”, thuhej tutje në deklaratë.
Përfaqësuesja e Rusisë në Eurovision 2021 (Foto: Tajikistan News)
“Natyrisht, ne do të vazhdojmë të monitorojmë nga afër situatën”, përfundon deklarata.
Kompania Transmetuese Publike e Ukrainës (UA:PBC), tha sot (24 shkurt) se i ka bërë thirrje EBU-së që të përjashtojë Rusinë nga pjesëmarrja në festival sivjet.
Kërkesa pretendoi se transmetuesit rusë kanë qenë “një zëdhënës për Kremlinin dhe një mjet kyç i propagandës politike” dhe kanë marrë pjesë në “shpërndarjen sistematike të dezinformatave” kundër Ukrainës, “në kundërshtim” me vlerat e EBU-së.
Edicioni i 66-të i Eurovisionit është planifikuar të zhvillohet në Torino këtë vit, pas fitores së Italisë me grupin Maneskin vitin e kaluar.
Javën e kaluar, përfaqësuesja e zgjedhur e Ukrainës, Alina Pash, u tërhoq nga konkursi mes shqyrtimit mbi vizitën e saj të raportuar në vitin 2015 në Krimenë e pushtuar nga Rusia. Ajo është zëvendësuar nga grupi rep Kalush Orchestra, i cili do të konkurrojë me këngën e tyre “Stefania”.
Rusia ende nuk e ka shpallur këngën përfaqësuese për në Eurovision 2022.
Veprimet e Rusisë janë pritur me dënim nga liderët botërorë anembanë globit. Vendet duke përfshirë ShBA-në dhe Mbretërinë e Bashkuar kanë njoftuar se do të vendosin sanksione ndaj Rusisë.
/abc24.al/