Ekzekutimi i ish-drejtorit të OST-së, ekzekutori refuzon të zbulojë porositësit: Unë punoj në ndërtim

0
32
Gjigandi

Ndonëse kanë kaluar me shumë se 24 orë nga ndalimi i tij, Dorjan Keqi, i dyshuar për vrasjen e ish-drejtorit të OST-së për Veriun, Saimir Jaku, dhe plagosjen e shtetasit Gjergj Prenga, nuk ka folur për akuzat e ngritura ndaj tij.
40-vjeçari po mbahet në dhomat e paraburgimit të Komisariatit të Policisë Lezhë dhe hetuesit kanë tentuar disa herë ta marrin në pyetje, por Dorjan Keqi ka refuzuar të komentojë akuzat, duke deklaruar se do flasë në një moment të dytë.

Dyshimet janë se ai bashkë me persona të tjerë janë paguar nga një grup kriminal, për të ekzekutuar ish-drejtorin e OST-së, Saimir Jaku, por deri në këtë fazë hetimesh, pavarësisht dyshimeve nuk është arritur të provohet se kush mund të jenë porositësit e vrasjes.

Puna hetimore

Për të zbardhur plotësisht këtë ngjarje, po kryhen një sërë veprimesh hetimore dhe po mbahen në monitorim edhe persona të tjerë të dyshuar, ndërsa me interes për hetuesit do të jetë dëshmia e Dorjan Keqit, i cili është personi kyç që mund të zbërthejë atë çfarë ka ndodhur. 40-vjeçari me banim në Krujë, u arrestua të hënën nga Policia me urdhër të Prokurorisë së Lezhës. Ai u zbulua në bazë të gjurmëve të gishtave që kishte lënë te bidoni me benzinë që u gjet pak metra larg vendit ku autorët kishin djegur makinën pas krimit. Ndaj Dorjan Keqit janë ngritur akuzat “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake e municionit”, ndërsa ai pritet të dalë të enjten në gjykatë për t’u njohur me masën e sigurisë.

Ish-drejtori i OST-së për Veriun, Saimir Jaku, u ekzekutua me 9 shtator të vitit 2016-të. Ai u sulmua me breshëri automatiku nga dy persona, teksa po pinte kafe në një lokal në Rrëshen bashkë me një mikun e tij i cili nga të shtënat mbeti i plagosur. Autorët e ngjarjes të cilët mendohet të kenë qenë 3 persona mes të cilëve dhe Dorjan Keqi, arritën të largohen me një automjet tip “Benz”, i cili pas ngjarjes u gjet i djegur në një fshat të Kurbinit. Ekzekutimi i Saimir Jakut u pasua me një seri vrasjesh në qytetin e Rrëshenit dhe vende të BE, që mendohet të kenë ardhur se pasojë e përplasjeve të dy grupeve me influence në Qarkun e Lezhës.

Arrestimi

Dorjan Keqi i arrestuar si një nga tre autorët e vrasjes së Saimir Jakut, ish-drejtorit të OST-së në Rrëshen, ka mohuar se është i përfshirë në këtë ngjarje.

Pasi u njoh me akuzën e vrasjes në rrethana cilësuese, dhe atë të plagosjes së rëndë me dashje, 40-vjeçari është shprehur se ai nuk është përfshirë në asnjë ngjarje, dhe se është punëtor krahu.

“Nuk kam lidhje me këtë ngjarje. Personin për të cilin më akuzoni nuk e njoh. Unë punoj në ndërtim në të zezë dhe nuk kam asnjë dijeni për akuzat apo personat që më akuzoni”, mësohet të ketë thënë Keqi, përpara hetuesve, të cilët ditën e sotme do i kërkojnë Gjykatës mbajtjen e tij në qeli nën masën e sigurimit personal arrest me burg, masë me të cilën pretendohet jo vetëm të kopsitet dosja e tij, por madje të shkohet deri tek identifikimi i vrasësve jo vetëm të Saimir Jakut.

Hetuesit pretendojnë se gjurmët e gishtërinjve i rrëzojnë pretendimet e 40- vjeçarit krutan.

Sipas grupit hetimor Dorjan Keqi, është personi që ka spërkatur me benzine dhe më pas ka djegur mjetin që autorët përdorën në vrasjen e Jakut. Sipas grupit hetimor gjurma është e pakundërshtueshme dhe përputhet me provën materiale të gjendur në vendngjarje. Ndërkohë, identifikimi i këtij shtetasi nuk ishte bërë i mundur, pasi ai rezultonte pa precedent penal dhe i paskeduar nga ana e Policisë. Kapja e tij ishte krejt rastësore. Dorjan Keqi u arrestua disa ditë më parë, pasi gjatë një patrullimi të Policisë Rrugore përgjatë aksit nacional të Kurbinit, ai u kap në gjendje të dehur. Duke qenë se ai ishte pa paprecedent, Policia nisi procedurat për marrjen e shenjave të gishtërinjve, por përgjigja e tyre e krahasimit të te dhënave papilare vuri menjëherë në lëvizje oficerët e krimeve, duke identifikuar 40-vjeçarin si një nga autorët e ngjarjes së 6 viteve më parë në Rrëshen, ku u ekzekutua Saimir Jaku dhe u plagos rëndë Gjergj Prenga./Panorama

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu